Ndërlidhjet

Kurti: Shtetet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin së bashku drejt BE-së


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti arrin në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti arrin në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se beson se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të rrugëtojnë së bashku drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një paneli për zgjerimin e BE-së, në kuadër të Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, Kurti tha se lidhur me këtë do të ndihmonte modifikimi i Marrëveshjes së CEFTA-s (Marrëveshja Tregtare e Evropës Qendrore).

“Para disa javësh kam propozuar në samitin e Tiranës që në vend të marrëveshjes CEFTA të bëhet marrëveshja SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore), e modeluar sipas EFTA-EEA, ku të gjashtë shtetet e Ballkanit do të lëviznin së bashku drejt BE-së. Besoj se kjo është rruga më e sigurt përpara”, tha Kurti.

Ai tha se në mënyrë që Ballkani Perëndimor të ketë përparim duhen katër elemente: “sundimi i ligjit ndaj oligarkëve, demokratizimi kundër autokratëve, ballafaqimi me të kaluarën kundër kriminelëve të luftës që janë në pushtet dhe e fundit një lloj simetrie apo reciprociteti për të drejtat e minoriteteve në të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit kundër nacionalistëve hegjemonistë”.

Gjatë këtij paneli, Kurti po ashtu tha se nuk mendon që vlerat e BE-së janë raca dhe feja, ashtu siç tha se ishte thënë në një panel tjetër në Forumin e Bledit.

“Vlerat e BE-së janë demokracia, të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit, të drejtat civile, tregtia e lirë, drejtësia sociale. Dhe duhet të jemi të kujdesshëm, duke luftuar talibanët të mos bëhemi si ta”, tha Kurti.

Gjatë panelit, Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, tha se procesi i zgjerimit është më shumë proces administrativ sesa politik. Ai tha se shtetet e Ballkanit duhet të integrohen në BE në shumë aspekte, siç është “integrimi politik, ekonomik dhe sigurisë”. Sipas tij, këto janë çështjet kryesore që duhet të diskutohen kur bëhet fjalë për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Kritik ndaj procesit të zgjerimit u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shteti i së cilit, së bashku me Maqedoninë e Veriut, po presin që të nisin bisedimet për anëtarësim në BE.

“Nuk ka të ardhmen të Evropës pa shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, tha Rama.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë dështuar që të nisin bisedimet për anëtarësim, për shkak se Bullgaria, shtet anëtar i BE-së, ka vendosur veto ndaj Shkupit zyrtar, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin.

Por, Rama i bëri thirrje Bullgarisë që “të hapë rrugën” për Tiranën dhe Shkupin. Ndërkaq, presidenti bullgar, Rumen Radev iu përgjigj se vendi i tij është mbështetës i madh i zgjerimit.

“Bullgaria është mbështetësja më e madhe e procesit të zgjerimit. Ne duam të shohim proces të fortë, të pakthyeshëm të integrimit”, tha ai duke shtuar se Sofja zyrtare është e hapur për dialog.

Ndërkaq, kryeministri slloven, Janez Jansha, shteti i të cilit ka kryesimin e presidencës së BE-së, tha se zgjerimi BE-së është “pyetja për të ardhmen e Evropës”.

Ai tha se themeluesit e BE-së nuk kanë folur për Evropën Lindore dhe Perëndimore, por për një Evropë si tërësi, prandaj, Jansha tha se “zgjerimi është mjet për ta përmbushur këtë qëllim”.

Më herët gjatë ditës, në hapje të forumit, udhëheqësit e BE-së thanë se Ballkani Perëndimor e ka të ardhmen në BE.

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli tha se BE-ja duhet ta rishikojë procesin e anëtarësimit të Ballaknit Perëndimor.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e historisë sonë dhe ne ndajmë me ta një identitet të përbashkët. Për këtë arsye ne duhet të jemi të gatshëm që të angazhohemi për procesin e anëtarësimit sepse ne duhet që ta rishikojmë këtë proces ne nuk mund të mbajmë shtetet dhe opinionin publik duke pritur me dekada. Ata duan që t’i bashkohen familjes sonë evropiane”, deklaroi Sassoli.

Forumi i Bledit do të vazhdojë deri më 2 shtator dhe organizohet nga Qeveria sllovene dhe Qendra për Perspektivë Evropiane.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG