Ndërlidhjet

Kurti: Nëse ka pajtueshmëri, mund ta thelloj vizionin për Asociacionin


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një adresimi në Kuvendin e Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një adresimi në Kuvendin e Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se mund ta thellojë draft-vizionin e paraqitur nga ai për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por së pari, sipas tij, duhet të ketë pajtueshmëri mes palëve.

Gjatë rundit të dialogut me Serbinë më 2 maj në Bruksel, Kurti kishte paraqitur një draft-vizion lidhur me çështjen e rregullimit të komunitetit serb. Pavarësisht se në këtë draft-vizion nuk përmendet Asociacioni, ai thirret në nenin 7 të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që Kosova dhe Serbia arritën më 27 shkurt në Bruksel. Më pas, palët më 18 mars në Ohër arritën edhe Aneksin për zbatimin e marrëveshjes.

Ky nen i marrëveshjes kërkon që palët të sigurojnë “një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”.

“Unë këtë [draft-vizionin për Asociacionin] mund të thellojë, por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra, kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që ju i përmendën se unë i kam thënë në parim, kur të pajtohemi në parim atëherë lirisht mund të thellojmë tekstin. Por, nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim”, tha Kurti gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës më 8 qershor.

Në draft-vizionin për Asociacionin të prezantuar nga Kurti, thuhet se për të arritur deri te një draft-statut për Asociacionin, ai duhet t'i plotësojë disa kushte - mes tjerash, “t’ua ofrojë pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë mundësinë për të promovuar dhe mbrojtur interesat e veta përmes një kornize vetëmenaxhimi”.

Pas kësaj, sipas draft-vizionit, do të duhej të parashihej edhe mundësia për bashkëpunim me institucionet e Kosovës, si dhe të “njihen plotësisht karakteristikat kushtetuese” të Kosovës, duke respektuar pavarësinë dhe integritetin e saj territorial.

Më 2 maj, në Bruksel, Ekipi Menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit, kishte prezantuar një draft për këtë çështje.

Por, Qeveria e Kosovës e kishte refuzuar të njëjtin dhe më pas kishte shkarkuar Ekipin Menaxhues, të përbërë prej katër anëtarësh serbë.

“Qeveria ime nuk është pajtuar me draftin e Ekipit Menaxhues, për shkak se ai draft imitonte në përmbajtje dhe formë Republikën Serbe të Bosnje dhe Hercegovinë. Rrjedhimisht, unë kam propozuar një draft-vizion për të zbatuar nenin 7 të Marrëveshjes Bazike dhe në lidhje me nenin 10, për të cilin nuk kam pranuar së pari aprovimin e palës tjetër – e cila nuk e pranoi fare dokumentin – e më pas edhe të Brukselit zyrtar, i cili vazhdon të konsiderojë këtë çështje të hapur. Tash e tutje mund të diskutojmë në kuadër të dialogut të Brukselit, pra është një çështje e hapur nga pikëpamja e Brukselit, për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes sipas vizionit tim të prezantuar në Bruksel, dhe i cili prezanton shkronjën dhe frymën e Kushtetutës së Republikës sonë, konsensusin transatlantik të vlerave të demokracisë liberale”, tha Kurti para deputetëve.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015, palët kanë nënshkruar edhe Marrëveshjen për parimet për themelimin e Asociacionit.

Po ashtu, në nenin 10 të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve thuhet se Kosova dhe Serbia zotohen që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut, përfshirë edhe atë për Asociacionin.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova që të nisë zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin. Por, përkundër thirrjeve të vazhdueshme, Kosova vazhdimisht ka refuzuar, me arsyetimin se kompetencat e gjera të Asociacionit do ta kërcënonin funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

Më 8 qershor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se një ditë më parë ua ka përcjellë një draft për Asociacionin presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Rama tha se dokumenti është konfidencial, por u shpreh i bindur se është "një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën".

SHBA-ja ka argumentuar se ka modele të ndryshme evropiane që rregullojnë jetën e pakicave kombëtare, të cilat Kosova mund t’i përdorë si model për themelimin e Asociacionit.

Qeveria e Kosovës ka insistuar se për të krijuar një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, do të shtyjë përpara një model kroat për pakicat kombëtare.

Uashingtoni ka thënë se nuk përkrah asnjë asociacion që do t’i ngjasonte një Republike Sërpska, por ka shtuar se themelimi i Asociacionit do të mundësonte që veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, të vendosen nën kontrollin e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG