Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që forcat shtesë të KFOR-it, që janë dërguar në Kosovë, “të koncentrohen në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë”.
Këtë kërkesë ai e bëri gjatë një takimi me komandantin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, Ozkan Ulutash.
Sipas njoftimit, Kurti dhe Ulutash biseduan për situatën e sigurisë në Kosovë, pas sulmit ndaj policisë më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
*Video: Si menaxhohet kufiri mes Kosovës dhe Serbisë?
Gjatë sulmit të grupit të armatosur të serbëve nga policisë mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në përleshje, autoritetet thanë se u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kurti tha se Kosova është e interesuar që të rrisë bashkëpunimin me KFOR-in.
“Kryeministri e mirëpriti shtimin e numrit të trupave të KFOR-it, në përgjigje të sulmit terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë, duke theksuar që kjo prezencë e shtuar duhet të koncentrohet në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën. Ruajtja e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kurtit.
Pas sulmit, autoritetet konfiskuan një sasi të madhe armësh në veri të shtetit. Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Për shkak të sulmit, NATO rriti praninë në Kosovë duke dërguar trupa shtesë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin.
Kosova ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’i vendosë Serbisë masa ndëshkuese, ndërkaq në bllokun evropian kanë thënë se po presin që të përfundojnë hetimet dhe më pas do të vendosin për masat dhe hapat eventualë.