Ndërlidhjet

Kurti: Presim që barrikadat të hiqen gjatë ditës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se janë gjithsej nëntë barrikada të vendosura në veri të Kosovës, siç tha “me njerëz të armatosur”, që mbrëmë sipas tij kanë ndaluar qytetarët dhe kanë shtënë me armë zjarri.

Gjatë një konference për media, Kurti tha më 1 gusht se strukturat ilegale serbe në Kosovë po bëhen më agresive.

“Janë gjithsej nëntë barrikada. Presim që gjatë ditës së sotme të hiqen të gjitha”, tha Kurti. Ai shtoi se barrikadat do të konsiderohen se janë larguar, vetëm kur të hiqen të gjitha.

Kurti tha se Qeveria përsërit zotimin se kur të hiqen të gjitha barrikadat, do të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të ekzekutimit për targat dhe dokumentet serbe.

Ai falënderoi ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, për kontributin e tij në uljen e tensioneve.

Hovenier ishte takuar me liderët e Kosovës mbrëmjen e së dielës, duke iu kërkuar që të shtyjnë zbatimin e vendimeve për dokumentet dhe targat serbe.

Këto dy vendime nxitën pakënaqësi te serbët lokalë të cilët bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Kurti tha se këto dy pikëkalime ende janë të mbyllura sepse “ende mbeten të bllokuara rrugët që shpien atje”.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se 11 qytetarë kanë marrë trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve të marra.

Po ashtu janë dëmtuar edhe disa vetura të qytetarëve dhe Policisë së Kosovës, nga siç tha Sveçla, “strukturat kriminale, ilegale të armatosura”.

Për këto raste, Policia ka nisur hetimet, bënë të ditur zyrtarët shtetërorë.

Disa barrikada në veri kanë filluar të largohen më 1 gusht, dhe Kosova ende po vazhdon zbatimin e reciprocitetit për dokumentet serbe. Deri në mesditë, janë lëshuar 1.501 dokumente për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në territorin e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG