Ndërlidhjet

Kurti hesht për aktakuzën ndaj ministrit të tij 


Qeveria e Kosovës gjatë një mbledhjeje të mbajtur më 23 mars, 2021.
Qeveria e Kosovës gjatë një mbledhjeje të mbajtur më 23 mars, 2021.

“Nuk do të kemi në qeveri ministra me aktakuza”, është një nga frazat e përdorura shpesh nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në kohën e zgjedhjeve.

Tash kur ka marr pozitën e kryeministrit të Kosovës për herë të dytë, Kurtit po i kërkohet shkarkimi i ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili ka një aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës. Vetë Aliu ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni lidhur me këtë aktakuzë.

Kryeministri Albin Kurti, që të mërkurën gjatë gjithë kohës ishte i shoqëruar nga ministri Aliu dhe ministrat e tjerë, ka refuzuar të flasë se çfarë veprimesh do të ndërmarrë lidhur me këtë çështje.

“Te ky vend i dëshmorëve nuk mund të flasim për politika të ditës”, tha ai para gazetarëve, pas homazheve që bëri në kompleksin memorial në Gllogjan të Deçanit.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga ministri Liburn Aliu, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve.

Deputeti i partisë më të madhe opozitare në Kosovë, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet të vërtetohet nëse ministri Aliu është fajtor dhe pastaj të kërkohet shkarkimi i tij.

“Opozita do t’ia nxjerrë si problem për ta dobësuar politikisht edhe variantin që e kanë bërë ata gjatë gjithë kohës ndaj kundërshtarëve politikë ose ndaj pushtetit të kaluar. Ne jemi në betejë politike dhe normalisht do të nxjerrim edhe sihariqe tjera”, thotë Haliti.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësisë (IKD), që të martën ka raportuar se ministri Aliu ka një aktakuzë, thonë se kryeministri Kurti duhet ta mbajë premtimin dhe zotimin se në qeverinë e tij nuk do të ketë ministra me aktakuza.

Leotrim Gashi, hulumtues në IKD, thotë për Radion Evropa e Lirë se Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka deklaruar se qeveria duhet t’i ketë duart e pastra.

“Nëse zoti Kurti ende mbetet pranë këtyre zotimeve, do të ishte normale që këtë ta dërgojë deri në fund dhe realisht të ndodhte edhe lirimi nga detyra i zotit Aliu”, thotë Gashi.

Mandatin e kaluar si kryeministër, Albin Kurti e kishte shkarkuar këshilltarin e tij, politikanin serb të Kosovës, Nenad Rashiq, ndaj të cilit ishte ngritur aktakuzë.

Gashi thotë që kjo praktikë duhet të ndiqet edhe në rastin e ministrit aktual të Mjedisit dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

“Në momentin që është ngritur aktakuzë ndaj tij për korrupsion, zoti Kurti ka liruar nga detyra zotin Rashiq. Pra, ka zbatuar atë premtimin dhe zotimin e tij. Se çfarë do të ndodhë me zotin Aliu, ne do të presim ditëve në vazhdim që të shohim vendimet si të zotit Kurti ashtu edhe të zotit Aliu, i cili tashmë është i akuzuar për korrupsion”, thotë Gashi.

Aliu: Për aktakuzën u njoftova nga mediat

Ministri Liburn Aliu ka shkruar të martën në profilin e tij në Facebook se lidhur me akuzimin e tij ka dëgjuar për herë të parë më 23 mars nga mediat.

“Unë nuk kam qenë dhe akoma zyrtarisht nuk jam në dijeni për asnjë aktakuzë që ekziston ndaj meje. Asnjëherë nuk jam kontaktuar as nga Prokuroria, as nga Gjykata për t’u informuar në mënyrë zyrtare se ekziston ndonjë aktakuzë e ngritur kundër meje. Ngritja e aktakuzës (nëse diçka e tillë është e vërtetë) pa njoftimin tim si palë, është shkelje e procedurës. Dhe për këtë unë do të kërkoj përgjegjësi”, ka shkruar ai.

Mirëpo, Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një njoftimi bëri të ditur se Aliu ka qenë i pajisur me aktakuzën.

Sipas Prokurorisë, thuhet se Prokurori i Shtetit më 17 prill të vitit 2019, ka marrë aktvendim për fillim të hetimit, me ç’rast i ka zhvilluar të gjitha hetimet lidhur me rastin dhe ka dëgjuar të gjithë të pandehurit veç e veç.

Sipas njoftimit, thuhet se Aliu është dëgjuar nga Prokurori i Shtetit me datën 5 gusht, 2019 dhe në bazë të provave e dëshmive të siguruara, më 24 korrik të vitit 2020, ka ngritur aktakuzë për veprën penale “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Kjo aktakuzë e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, e ngarkon Aliun me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Sipas kësaj aktakuze të ngritur nga prokuroria, rezulton se Liburn Aliu dhe disa zyrtarë të tjerë komunalë akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban, si plan hapësinor i nivelit më të lartë, që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim. Sipas aktakuzës, të pandehurit e kanë refuzuar si të pabazë kërkesën për lejimin e kushteve ndërtimore për ndërtimin e kompleksit të shtëpive individuale të banimit për disa persona privatë.

Kush janë deputetët me aktakuza aktive?

Në zgjedhjet e 14 e shkurtit të këtij viti, nëntë prej 110 deputetëve në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për deputetë, kanë aktakuza aktive.

Glauk Konjufca, i cili është zgjedhur kryetar i kuvendit, akuzohet për veprën “përdorim i armës dhe pengim i personit zyrtar”.

Me të njëjtën akuzë ngarkohen edhe Arbërie Nagavci (ministre e Arsimit) e Xhelal Sveçla (ministër i Punëve të Brendshme).

Për “përdorim të armës dhe pengim të personit zyrtar”, akuzohen edhe katër deputetë të tjerë të zgjedhur të Lëvizjes Vetëvendosje: Fitore Pacolli, Valon Ramadani, Jetmire Vrenezi dhe Drita Millaku.

Derisa Sali Zyba akuzohet për “përdorim të armës dhe pengim të personit zyrtar” dhe “sulm ndaj personit zyrtar, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, kurse Mimoza Kusari-Lila akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Deputetë të zgjedhur, e që kanë aktakuza aktive, ka edhe në partitë e tjera.

Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, akuzohet për “përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe pengim i personit zyrtar”, si dhe për veprën tjetër “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Edhe kolegia e tij, Time Kadrijaj, akuzohet me akuzën e njëjtë “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

Të gjithë këta deputetë akuzohen për vitin 2015, në kohën kur në ambientet e Kuvendit të Kosovës është hedhur gaz lotsjellës.

Aktakuzë aktive ka edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti. Aktakuza e tij ka të bëjë me veprën “sulm”. Me akuzën për “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, është i akuzuar deputeti i Listës Serbe, Ivan Teodosjeviq.

Deputeti i Partisë së Bashkuar Gorane, Adem Hoxha, u lirua nga akuza për “sulm dhe kanosje”, mirëpo ende nuk ka vendim të formës së prerë.

Për shkak të dënimit me kusht që mori në vitin 2018, kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti, iu ndalua që të garonte për pozitën e deputetit në zgjedhjet e 14 shkurtit, 2021. Kjo pasi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ua ndalon kandidimin për deputetë personave të dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit.

Përveç kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të dënuar në tre vjetët e fundit ishin edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ish-deputetët Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi.

Ata u dënuan me kusht më 3 janar 2018, për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG