Ndërlidhjet

“Alarm” për urat e rrezikshme në Kosovë


Sa janë të sigurta urat në Kosovë?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:12 0:00

Sa janë të sigurta urat në Kosovë?

Gjendja e urave në Kosovë nuk është e kënaqshme, vlerësojnë autoritetet përgjegjëse. Për konstatimin e gjendjes së urave dhe aftësisë mbajtëse, kërkohet që të bëhet ekzaminimi i tyre, pasi që disa prej tyre kanë dëmtime dhe rrezikojnë të shemben.

Rasti i fundit tragjik i shembjes së një ure në Gjenova të Italisë, ku shkaktoi rrëzimin e veturave nga 100 metra lartësi dhe la të vdekur mbi 40 persona, ka ngritur alarm në Evropë në lidhje me gjendjen e urave.

Ky alarm, sipas ekspertëve të fushës duhet të jetë edhe për Kosovën.

Naser Kabashi, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në një bisedë për Radion Evropa e Lirë flet për gjendjen e urave në Kosovë, ku sipas tij, shumica e urave në Kosovë janë të vjetra dhe duhet bërë inspektim.

“Në përgjithësi, jo vetëm urat, por të gjitha objektet e rëndësisë së veçantë duhet t’i nënshtrohen një kontrolli permanent ose një inspektimi permanent, që është në kuadër të institucioneve kompetente”.

“Duhet të krijohen ekipe me inxhinier që të bëjnë vlerësimin e gjendjes faktike, meqenëse në funksion të kohës mund të ketë edhe dëmtime e dëmtimet janë të natyrës të ngarkesave të sjelljes së strukturës nën veprimin e kushteve të ndryshme dhe në të njëjtën kohë degradimi i materialeve me kohën”, thotë Kabashi.

Kosova, nënvizon Kabashi, duhet të këtë një qasje të tillë të ekzaminimit të urave, pasi që disa prej tyre mund të jenë ndërtuar 50 apo 60 vjet më parë. Ai shton se është urgjente të ngritet një komision në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës që të bëhet një vlerësim i gjendjes faktike të urave.

“Ky raport i inspektimit bazik ose vizual duhet të bëhet që të kemi një pasqyrë reale dhe pastaj aty ku ka nevojë, të bëhen ekzaminimet përkatëse. Cili është domeni bazik. Në bazë të vlerësimit krijohet një prioritet, cilat janë urat që kanë nevojë imediate për intervenim, cilat janë urat cilat mund të presin për një kohë të caktuar dhe ato cilat e kanë gjendjen e mirë, por nevoja permanente është te inspektimi. Ky është një parametër i cili ndiqet kudo të shtetet e ndryshme, e kjo duhet të bëhet edhe nga institucionet përkatëse”, thotë Kabashi.

Numri i përgjithshëm i urave në Kosovë, sipas të dhënave të Ministrisë së Infrastrukturës është 373, prej tyre vetëm 27 janë të reja të ndërtuara pas periudhës së pas luftës në Kosovë.

Mesatarisht shumica e urave janë të ndërtuara në vitet e 70-ta.

Ura më e rrezikuar, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Infrastrukturës është ura në aksin rrugorë Doganaj-Brezovicë, fshati Firajë dhe ura në rrugë nacionale në fshatin Drelaj, në Rugovë të Pejës.

Fillojetë Konjuhi nga kabineti i ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se rrezikshmëria e këtyre urave është konstatuar në aspektin vizuel, mirëpo gjendja e tyre mund të përcaktohet saktësisht nëse bëhet ekzaminimi i tyre.

“Duke pasur parasysh faktin se urat e Kosovës i përkasin viteve të 70-ta (mesatarisht), ku teknologjia e ndërtimit nuk ka qenë e sofistikuar sa është tani dhe ky është parametri kryesor që tregon për gjendjen e tyre. Gjendja e urave nuk është e kënaqshme, për konstatimin e gjendjes së urave (aftësisë mbajtëse) të tyre duhet të bëhet ekzaminimi i tyre”, thotë Konjuhi.

Ajo thotë se do të shikohet mundësia të ndërhyhet me urgjencë në urat të cilat konsiderohen të rrezikshme në mënyrë që të mos vihet deri te ndonjë tragjedi.

“Alarmi i bazuar që sot është ngritur në Evropë në lidhje me gjendjen e urave, pas rastit tragjik në Gjenova të Italisë, është edhe për neve një kambanë alarmi, që sigurisht se ka objekte të vjetruara të urave. Si Ministri do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm dhe të shpejt, duke zgjedhur ekspertë të fushës për të bërë fillimisht ekzaminimin e të gjitha urave dhe marrjen e masave me radhë sipas gjendjes së tyre, disa nga të cilat situacione tashmë veç janë, sa i përket qëndrueshmërisë së urave në Kosovë”, thotë Konjuhi.

Deri në vitin e kaluar, kujdesi ndaj urave në Kosovë ka qenë në kuadër të mirëmbajtjes së rrugëve, por në vitin e kaluar për mirëmbajtjen e urave është ndarë një fond i veçantë.

Megjithatë, ky fond sipas Konjuhit nuk është i mjaftueshëm për të bërë atë që këto ura kanë tepër nevojë, e që është rikonstruktimi apo mirëmbajtja e tyre.

Qytetarët të cilët frekuentojnë urat me vetura, apo në disa raste edhe në këmbë, mbesin të rrezikuar.

Idriz Veseli me veturën e tij çdo ditë udhëton në rrugën Vushtrri – Mitrovicë. Ai thotë se në urën te hyrja në Mitrovicë ka frekuentim të madh të veturave e mjeteve me pesha të rënda.

“Kjo urë mund të jetë e rrezikshme është që një kohë shumë të gjatë e ndërtuar. Peshat tani të automjeteve janë më të mëdha, krahasuar me të kaluarën. Ura nuk duket se është në gjendje shumë të mirë pasi që ka edhe çarje në disa pjesë të saj”, thotë ai.

Afrim Geci, qytetar, thotë se frekuenton çdo ditë në rrugën Pejë – Prishtinë dhe disa nga urat nëpër të cilat kalon, thotë se shihet se janë të vjetra.

“Po disa janë të vjetra, shihet edhe me sy, mund të jenë edhe të rrezikshme. Ndoshta do të ishte mirë që komuna apo institucionet tjera të kontrollojnë dhe të marrin masa të riparimit të tyre, që mos të ndodhë ndonjë fatkeqësi”, thotë Geci.

Urat në Kosovë sipas Ministrisë së Infrastrukturës inspektohen deri në gjashtë herë në vit, derisa urat të cilat kanë shkallën e dëmtimit më të theksuar, ato thuhet kontrollohen në mënyrë të vazhdueshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG