Ndërlidhjet

Aktorët kryesorë të dhunës në Kuvend, ende në liri


Dhuna në Kuvnedin e Maqedonisë.
Dhuna në Kuvnedin e Maqedonisë.

Dhuna në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill, ende nuk ka marrë një epilog konkret gjyqësor. Deri më tani organet e ndjekjes penale kanë ngritur akuza ndaj disa pjesëmarrësve në dhunën e ushtruar ndaj deputetëve dhe zyrtarëve tjerë, ndërsa njëri prej tyre, Pançe Angellov, është dënuar me katër vjet burgimpër tërheqjen për flokësh të ministres së Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska.

Nga Prokuroria Speciale thonë se hetimet për pjesëmarrësit e tjerë në dhunë po ecin ngadalë, për shkak të pengesave të ndryshme që bëhen nga drejtuesit e gjykatave, por shprehen të bindur se askush nuk do të mund t’i ikë drejtësisë.

Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, ishte një nga deputetët që ishte në shënjestër të sulmit të protestuesve që kishin pushtuar Kuvendin për shkak të zgjedhjes së kryetarit shqiptar të Kuvendit, por edhe mosformimit të Qeverisë së re nga VMRO-ja, që sipas tyre, ishte fituese e zgjedhjeve.

Sela, që kishte pësuar më së shumti nga sulmuesit, thotë se pas këtij sulmi qëndrojnë personalitet të larta të pushtetit të kaluar, të cilët, siç shprehet, për të mbuluar krimin janë të gatshëm të bëjnë gjithçka.

Realisht, nuk kanë nevojë shumë për dëshmi, sepse gjithçka ishte shumë publike, sikur që ishin publike edhe tendencat e asaj që ndodhi. Edhe porositësit e asaj që ndodhi janë shumë publikë, janë figura politike, kryetar partish, të cilët në përpjekje për të shpëtuar krimin dhe korrupsionin që kanë bërë ndër vite, janë të gatshëm të bëjnë gjithçka”, deklaron Sela.

Njohësit e çështjeve juridike, thonë se rasti i 27 prillit nuk mund të quhet i zbardhur pa u dënuar porositët e pushtimit të Kuvendit dhe të dhunës së ushtruar mbi deputetët dhe anëtarët e qeverisë, që ndodheshin aty.

“Lavdërohen se kanë ngritur akuzë për veprën vrasje në rastin e Zijadin Selës. Për kë? Për muskujt apo për ata të fortët që e kryen aktin e dhunës? Ku është këtu grupi kriminal, ku është porositësi, ku është ai që mundësoi pushtimin e Kuvendit, ku është roli i Policisë, e cila nuk ndaloi protestuesit të futen brenda dhe të rrahin për vdekje deputetët?! Do të jetë e turpshme nëse mendojnë se me këtë e kanë mbyllur këtë proces”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë, Zvonko Davidoviq, njohës i çështjeve juridike.

Edhe Osman Kadriu, profesor i së Drejtës Kushtetuese kërkon përgjegjësi për organizatorët e gjithë asaj që ka ndodhur në Kuvend, në të kundërtën, sipas tij, përgjegjësia do të bjerë mbi Gjyqësorin, edhe ashtu të kritikuar për mbrojtjen e ish-zyrtarëve për veprat e dyshuara për krime nga më të ndryshmet.

“Këtu duhet urgjentisht të veprohet pasi nuk ka kohë për zvarritje të mëtejme, këtu duhet të veprojë drejtësia, pasi kemi të bëjmë me vepra të rënda penale kundër pjesëtarëve të pushtetit, kundër deputetëve, ndaj të cilëve është ushtruar dhunë fizike me motive konkrete politike, por kualifikimi i veprave është shumë i rëndë. Ata duhet gjykuar për vrasje, por edhe për vepra tjera si kundër shtetit, tradhti kombëtare, para së gjitha për organizatorët e puçit që ndodhi në Kuvend”, vlerëson Kadriu.

Gjatë dhunës së ushtruar në Kuvend, përveç Ziadin Selës, lëndime kishin pësuar edhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev, tani kryeministër i vendit, si dhe disa deputetë tjerë të partisë së tij.

Pushtimit të Kuvendit i kishte paraprirë protesta disaditore e një grupi të madh të protestuesve, ithtarë të VMRO-së, të cilët veç tjerash kundërshtonin edhe formimin e Qeverisë mes LSDM-së dhe partive shqiptare. Gjatë hyrjes së dhunshme në Kuvend, ata besohet të jenë ndihmuar nga së paku tre deputetë të VMRO-së së Nikolla Gruevskit, të cilët kishin hapur dyert e Kuvendit pa u penguar fare nga pjesëtarët e sigurimit të Kuvendit.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG