Ndërlidhjet

Aktakuzë ndaj tre personave për krime lufte në Kosovë


Ndërtesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës në Prishtinë. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Ndërtesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës në Prishtinë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj tre të pandehurve për krime lufte kundër popullatës civile.

Të pandehurit, sipas Prokurorisë, janë R.V dhe M.V të nacionalitetit serb, dhe A.Ç, i nacionalitetit boshnjak, të cilët akuzohen se kanë marrë pjesë në vrasjen e 14 civilëve shqiptarë në Komunën e Pejës.

“Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit si pjesëtarë rezervë të Policisë të stacionit policor në Pejë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore serbe, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Ozdrim, Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, kanë kryer vrasje, dëbim, shkatërrim të pasurisë dhe keqtrajtim ndaj popullsisë civile shqiptare që nuk ishin të përfshirë në luftë, me ç’rast u vranë 14 civilë të nacionalitet shqiptar”, u tha në njoftim.

Prokuroria tha se ka propozuar që ndaj tre të akuzuarve gjykimi të mbahet në mungesë, pasi ata gjenden në arrati.

Sipas ligjeve në Kosovë, gjykimi në mungesë mund të zhvillohet vetëm me kusht që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarve.

Më 26 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 vjet burgim Çedomir Aksiqin, për akuzën krime lufte kundër popullsisë civile, të kryera nga janari deri në maj të vitit 1999 në territorin e komunës së Shtimes, përkatësisht në fshatrat Reçak, Malopolc dhe Petrovë.

Ky është vendimi i parë për krime lufte i marrë në mungesë, bazuar në Kodin e ndryshuar të Procedurës Penale të vitit 2022.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG