Ndërlidhjet

Aksioni “Stop drogave në shkolla” vë në pranga 26 persona


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Ka arritur në 26 numri i personave të arrestuar gjatë një operacioni policor gjashtë ditor, që kishte si qëllim luftimin e substancave narkotike nëpër shkollat në gjithë Kosovën.

Ka disa muaj që autoritetet e rendit i kanë shpallur luftë përdorimit dhe shpërndarjes së substancave narkotike nëpër shkolla.

Në Policinë e Kosovës thonë se në aksionin e fundit të ndërmarrë, janë arrestuar 26 persona dhe është konfiskuar 63 gramë drogë e llojit marihuanë, 0.5 gram kokainë dhe një armë.

Ky është aksioni i dytë që autoritetet e rendit kanë ndërmarrë me moton, “Stop drogave në shkolla” në kuadër të përpjekjeve për parandalimin dhe luftimin e dukurisë së shpërndarjes së drogave te nxënësit. Edhe në aksionin e parë që është zhvilluar në tetorin e vitit të kaluar, janë arrestuar 34 persona dhe janë konfiskuar më shumë se një kilogram drogë e llojit marihuanë.

Të dy aksionet kanë zgjatur nga gjashtë ditë me radhë.

Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës thotë se gjatë operacionit të ditëve të fundit, janë realizuar mbi një mijë patrullime rreth shkollave dhe janë iniciuar 17 raste.

“Policia në bashkëpunim edhe me autoritetet tjera relevante, në vazhdimësi po punon për parandalimin e rasteve të abuzimit me substanca narkotike. Megjithatë, në aspektin ligjor do të ndërmerren masa të ashpra ligjore ndaj të gjithë atyre që janë të përfshirë në trafikim me substanca narkotike dhe vepra tjera të kundërligjshme që rrezikojnë shëndetin e të rinjve tanë”, tha Hoxha.

Por, zyrtarët që merren me rehabilitimin e personave të varur nga drogat, thonë se përkundër masave që po ndërmarrin autoritetet e rendit, parandalimi i përdorimit të substancave narkotike nëpër shkolla mbetet i mangët.

Safet Blakaj drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, tha për Radion Evropa e Lirë se duhet të ketë më shumë programe parandaluese në shkollat e Kosovës.

“Ne në ‘Labirint’ e përkrahim aksionin e policisë për parandalimin e drogave në shkolla. Normalisht që nuk mjafton vetëm përndjekja dhe arrestimi. Do të ishte e rëndësishme që të përcillej me programe parandaluese brenda shkollave. Përndryshe, aksioni ka dhënë rezultatet e veta dhe duhet të dinë ata që merren me trafikimin e drogave që janë nën shënjestër të policisë”, tha Blakaj.

Ndryshe, edhe pse jozyrtarisht, në bazë të të dhënave të qendrës “Labirint”, në Kosovë llogaritet se janë rreth 5 mijë përdorues të drogave të cilët i përdorin në mënyrë aktive substancat narkotike, derisa llogaritet se janë rreth 25 mijë persona që herë pas here përdorin droga.

Edhe nxënësit thonë se kanë njohuri në lidhje me këtë dukuri, e cila aktualisht po luftohet në një intensitet më të shtuar nga autoritetet e rendit.

Nxënësja L.K. nga shkolla e mesme ‘’Sami Frashëri’’ në Prishtinë, thotë se të rinjtë, përkatësisht nxënësit, mund të vijnë shumë lehtë në kontakt me persona që u shesin atyre substanca narkotike.

“Qasja deri tek këto substanca nuk është e vështirë. Këto substanca mund të gjenden edhe përreth shkollës e mos të flasim nëpër lokale, diskoteka. Çka më shqetëson më së shumti është droga brenda shkollës, e që sipas informatave që unë i kam, çka dëgjoj nga të rinjtë, shumë nxënës përdorin droga, kryesisht llojin marihuanë”, thotë kjo nxënëse.

Sidoqoftë, pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve të rendit që të parandalohet përdorimi dhe shitja e drogave në përgjithësi dhe në mjedise në afërsi të shkollave në veçanti, organizatat joqeveritare konsiderojnë se qasja e të rinjve deri te shitësit e drogave nuk është e vështirë, gjë që, sipas tyre, është shumë shqetësuese.

Një gjendje e tillë, sipas organizatave që merren me monitorimin e kësaj dukurie, është pasojë e mungesës së koordinimit të duhur ndërmjet shumë mekanizmave institucionalë në vend.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG