Ndërlidhjet

Masat e policisë me pak efekt në ndaljen e aksidenteve


Aksidentet në trafik janë shndërruar viteve të fundit në një problem serioz në Kosovë. Sipas Policisë së Kosovës, 52 persona kanë humbur jetën që nga janari i vitit 2019 si pasojë e aksidenteve, kurse qindra të tjerë kanë marrë lëndime të lehta apo të rënda trupore.

Në shtatë muajt e fundit kanë ndodhur 44 aksidente me fatalitet.

Mosrespektimi i Ligjit, përkatësisht rregullave në trafik, konsiderohet ndër faktorët kryesor që çojnë në aksidente të tilla.

Policia e Kosovës, ka ashpërsuar dukshëm masat dhe ka shtuar aktivitetet në trafik në përpjekje për të parandaluar rritjen e numrit të aksidenteve, duke aplikuar edhe masa më rigoroze të gjobave në trafik.

Nga janari deri në korrik të këtij viti, Policia ka shqiptuar më shumë se 237,500 dënime për shkelësit e rregullave në komunikacion.

Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se përkundër masave të ndërmarra nga Policia e Kosovës, numri i aksidenteve, sidomos atyre me fatalitet mbetet shqetësues.

“Edhe përkundër angazhimeve dhe planeve konkrete, ende mbetet shqetësues numri i lartë i aksidenteve në trafik. Policia e Kosovës apelon tek të gjithë që të kenë kujdes të shtuar, të respektojnë shenjat në komunikacionin rrugor dhe t’u përmbahen kushteve të rrugës”, tha Kelani.

Por, sipas autoriteteve të rendit, krahasuar me vitin 2018, për periudhën e njëjtë shihet një rënie e numrit të aksidenteve të trafikut dhe personave të vdekur, ndërsa ka një ngritje të shqiptimit të gjobave.

Në shtatë mujorin e parë të vitit 2018, sipas Policisë, kishte 50 aksidente me fatalitet, ku kanë vdekur 67 persona, ndërsa janë shqiptuar 225.864 tiketa. Ndërkaq gjatë gjithë vitit 2018, si pasojë e aksidenteve me fatalitet, kanë vdekur 128 persona. Kurse në vitin 2017, në aksidente trafiku kanë humbur jetën 137 veta.

Në janar të vitit të kaluar, në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji i ri për komunikacionin i cili parasheh dënime nga 300 deri në 900 euro për shkelësit e rregullave në trafik si dhe konfiskimin e pikëve nga patent-shoferët për ngasësit problematikë.

Por, edhe masat e reja shtrënguese, po konsiderohen se nuk po japin efektet e duhura.

Qytetarët thonë se ndonëse po ndërmerren aksione për parandalimin e aksidenteve nga autoritetet e rendit, këto aksione po zgjasin shumë pak dhe nuk po tregohen efikase sa duhet.

Video nga arkivi: Policia patrullon me vetura civile

Mentor Halimi, një vozitës nga Prishtina, i tha Radios Evropa e Lirë se krahas ngasësve të automjeteve, edhe këmbësorët duhet të kenë kujdes, madje edhe nëpër vendkalimet për këmbësorë, ku jo rrallë ka ndodhur të jenë goditur nga veturat për shkak të mosrespektimit të shenjave të komunikacionit dhe përdorimit të telefonave celularë nga të dyja palët.

“Unë jam vozitës me profesion, dhe mendoj se problemi më i madh janë telefonat celularë gjatë ngasjes, por edhe kur qytetarët kalojnë rrugën dhe nuk shikojnë fare. Shumë aksidente që po shkaktohen janë pikërisht nga përdorimi i telefonave gjatë ngasjes".

"Por sa i përket policisë, aksionet janë shumë të shkurta. Unë jam tërë ditën në Prishtinë, dhe shumë rrallë nëpër udhëkryqe, aty ku edhe ndodhin më së shumti aksidente, policia është në vendin e ngjarjes. Sidomos tash në sezonin e verës ku janë trefishuar automjetet, do duhej të ishte aksion më i gjerë”, tha Halimi

Ndërkaq Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit, thotë se nuk janë bërë përgatitje nga vetë institucionet e Kosovës, sidomos për sezonin e verës, kur numri i automjeteve në vend është i shtuar. Ai përmend disa faktorë që po ndikojnë në aksidentet me fatalitet.

“Elementet që ndikojnë në shtimin e numrit të aksidenteve gjatë sezonit të verës janë rritja e numrit të automjeteve, si dhe ndryshimi i kushteve atmosferike. Këto dy elemente janë kryesore, derisa në aspektin vjetor janë tejkalimi i shpejtësisë gjatë ngasjes, përdorimi i alkoolit dhe narkotikëve etj”, tha Dedaj.

“Preventivë tek ne nuk ka, dhe nuk ekzistojnë institucione për analizën e faktorëve që shkaktojnë aksidente. Në sezonin veror është dashur që institucionet të përgatiten për të parandaluar aksidentet me fatalitet që po ndodhin”, tha Dedaj.

Video: Shoferët përdorin Viberin për t’i ikur policisë

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me numrin e lartë të aksidenteve të trafikut me fatalitet.

Ekspertët e Institutit Kombëtar alarmojnë dhe paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë së banorëve do të jetë enorme, andaj apelon te të gjithë qytetarët të kenë shumë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve, pasi automjeti është armë vrasëse që merr viktima të pafajshme.

Ata përmes një komunikate kanë thënë se shkaqet e aksidenteve janë të ndryshme, por sigurisht se faktori njeri është më i shpeshtë pasi që nuk janë duke u respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, por duke mos munguar as faktori rrugë dhe automjet pasi në shumë vende mungojnë shenjat e komunikacionit dhe veturat e vjetra me mangësi të shumta teknike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG