Ndërlidhjet

AKP: Kompleksi në Banjskë i është dhënë me qira MPB-së


Pamja e kompleksit “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit. Fotografi nga arkivi.
Pamja e kompleksit “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit. Fotografi nga arkivi.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka marrë nën administrim kompleksin “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit, pasi prona i përket një ndërmarrjeje shoqërore të Kosovës dhe të njëjtin ia ka lëshuar me qira Ministrisë së Punëve të Brendshme, tha për Radion Evropa e Lirë drejtori menaxhues i kësaj agjencie, Arben Limani.

“Bordi i drejtorëve [të AKP-së], me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme [të Kosovës], për nevoja dhe interes publik të Ministrisë, ka marrë vendim që këto objekte të jepen me qira për shërbime të MPB-së. Pra, për shërbimet e tyre publike për të cilat ne nuk kemi ndonjë informatë”, tha Limani, duke shtuar se vendimi u mor në mbledhjen e mbajtur më 14 dhjetor.

Limani tha se për një periudhë kohore AKP ka tentuar që të kontaktojnë me personat apo entitetet që e kanë shfrytëzuar këtë pronë, por nuk kanë marrë përgjigje, andaj kanë kërkuar asistencën e Policisë së Kosovës që ta marrin nën administrim këtë pronë, që gjendet në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Pronat e kompleksit në Banjskë, janë prona të Ndërmarrjes Shoqërore Trepça Standard, që ka selinë në Mitrovicë të Veriut dhe prona është në emër të kësaj njësie dhe objekti që ka ekzistuar aty. Sipas të gjitha gjasave, dikush e ka rinovuar objektin gjatë një periudhe, të cilën ne nuk e dimë sepse atje kemi pasur qasje mjaft të kufizuar. Kurse tash, kur kemi marr qasje atje, kemi tentuar të kontaktojmë me personat apo entitetet që atje e kanë shfrytëzuar atë, në mënyrë që të kuptojmë se mbi çfarë baze ligjore po e kanë shfrytëzuar atë”, tha Limani.

Sipas tij, Policia i ka dhënë AKP-së informacione se në këtë kompleks ka pasur aktivitete të paligjshme.

Lista Serbe dhe Petkoviq reagojnë për aksionin në Banjskë

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka reaguar pas aksionit në Banjskë, duke thënë se Qeveria e Albin Kurtit “rrëmbeu” kompleksin në Banjskë “para syve të komunitetit ndërkombëtar”.

“Kompleksi ‘Rajska Banja’ është ndërtuar ekskluzivisht me para të Qeverisë së Serbisë, që ka investuar përmes Zyrës për Kosovën. Ky kompleks është hapur në vitin 2019 dhe institucionet e Kosovës nuk kanë investuar asnjë dinar dhe nuk kanë bazë ligjore për pretendimet se janë pronarë të kompleksit”, tha Lista Serbe përmes një njoftimi.

Ndërkaq, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, e cilësoi si “ilegal” aksionin e Policisë dhe AKP-së për marrjen nën administrim të “Rajska Banjës”.

Përmes një njoftimi për media, Petkoviq tha se pjesëtarët e Policisë së Kosovës bastisën kompleksin në Banjskë dhe i dëbuan punëtorët që punonin në mirëmbajtjen e hotelit dhe restorantit që gjendet aty “nën kërcënim të forcës”.

Sipas Petkoviqit, me këtë aksion, autoritetet në Kosovë “edhe një herë sulmuan të drejtat kolektive të popullit serb dhe u shkel e drejta e pacenueshme e paprekshmërisë së pronës”.

“Natyrisht, për këtë sulm do ta informojmë bashkësinë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ndërmjetësit në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Petkoviq.

Në ambientet e këtij kompleksi, pas një sulmi ndaj Policia e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në shtator të këtij viti, dy persona ishin arrestuar, por më pas ishin liruar nga autoritetet.

Gjatë sulmit të shtatorit, u vra një polic i Kosovës dhe tre sulmues të armatosur.

Kosova fajëson Serbinë për këtë sulm, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Rindërtimi i këtij resorit ka filluar në vitin 2015 nga Qeveria e Serbisë përmes Zyrës së saj për Kosovën. Në atë projekt janë investuar rreth 7 milionë euro.

Drejtori atëhershëm i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, kishte nënshkruar marrëveshje për restaurimin e banjës me Dioqezën e Rashkës së Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe kryetarin e Autoritetit të Përkohshëm Komunal, Ivan Todosijeviq.

Kështu, kompleksi "Rajska Banja" kaloi në pronësi të Qeverisë së Serbisë, Kishës dhe Autoritetit të Përkohshëm Komunal të Zveçanit.

Ky resor gjendet në afërsi të manastirit të Banjskës, në vendin me të njëjtin emër, në komunën e Zveçanit.
Në këtë vend ka burime uji të nxehtë dhe sulfuror.

Në Kosovë ky kompleks është i regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në emër të Aleksandar Zllatkoviq.

AKP-ja menaxhon të gjitha ish-ndërmarrjet shoqërore të Kosovës dhe pretendon se është pronarja e vetme e atyre pronave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG