Afganët po përballen me mbijetesë mes një krize ekonomike që ka ndërprerë disa shërbime bazike, duke i lënë ata që të përballen me rritjen e çmimeve dhe perspektiva të zbehta të punësimit. Kriza po ashtu ka goditur sektorët shëndetësorë dhe financiarë. Por, liderët e shtetit, talibanët, të kufizuar me të ardhurat e brendshme në buxhetin e parë të tyre vjetor, kanë gjetur mënyra se si të vjelin edhe më shumë fonde nga qytetarët.
Për të financuar buxhetin, që është parashikuar që të arrijë vlerën e 2.6 miliardë dollarëve – vlera e të cilit u ka bërë përshtypje ekspertëve – pavarësisht deficitit prej 500 milionë dollarësh, talibanët varen shumë në aftësinë e tyre, tashmë të dëshmuar, për të mbledhur taksa dhe për të rritur eksportet e burimeve të çmueshme natyrore, sikurse qymyri.
Grupi ekstremist ka thënë se ka çrrënjosur korrupsionin në procesin e mbledhjes së taksave, por po ashtu edhe në minierat e paligjshme dhe eksportin e burimeve natyrore. Talibanët po ashtu kanë riaktivizuar një sistem elektronik dhe ka pezulluar gjobat për pagesat me vonesë të taksave me qëllim që të sigurohen se qytetarët do të paguajnë.
“Është një shumë e madhe parash”, tha William Byrd nga Instituti për Paqe i Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se edhe nëse buxheti i projektuar dështon, gjithsesi tregon se përpjekja për të mbledhur të ardhura “nuk po shkon aq keq, krahasuar me situatën ekonomike, e cila është e rëndë”.
“Mendoj se në kuptim e udhëheqjes së qeverisë, është adekuate", tha ai, duke shtuar se “nëse ato para shpenzohen në mënyrën e duhur”.
Përveç deklarimeve se fondet do të gjenerohen nga doganat, taksat dhe minierat, megjithatë, talibanët ende nuk kanë dhënë detaje se nga ku do të vijnë paratë ose ku do të alokohen.
Një gjë është e sigurt: afganët mund të presin se do të paguajnë më shumë taksa për gjithçka, nisur nga transportimi i mallra në autostradë e deri te shitja e tyre në dyqane. Por, mungesa e transparencës së qeverisë talibane dhe humbja e shërbimeve thelbësore e bën të vështirë të shihet se çfarë qytetarët po marrin në këmbim.
Vdekje, taksa dhe talibanët
Tregtia e jashtme ka rënë në mënyrë dramatike qëkur talibanët morën pushtetin në gusht dhe ndihma e huaj, që dikur mbështeste ekonominë afgane, është zhdukur, duke detyruar talibanët që vet ta financojnë qeverinë.
Megjithatë, teksa njoftoi për buxhetin e parë vjetor të talibanëve, në muajin maj zëvendëskryeministri, Abdul Salam Hanafi, parashikojë të ardhura prej 186.7 miliardë afgani (rreth 2.1 miliardë dollarë), teksa zyrtarët e tjerë citohet të kenë thënë se është çrrënjosur korrupsioni, që është përmendur si faktor kontribuues.
“I tërë buxheti, përfshirë shpenzimet në edukim, shëndetësi, zhvillim, mbrojtje dhe sektorë të tjerë, do të financohen nga burimet tona të të ardhurave kombëtare pa asnjë kontribut të huaj”, tha Hanafi, duke shtuar se fokusi do të jetë në ofrimin e arsimit për fëmijët dhe se 27.9 miliardë afgani (30 milionë dollarë) do të shpenzohen për projekte zhvillimi, pa specifikuar se për çfarë projektesh bëhet fjalë.
Hanafi po ashtu nuk tregoi se si do të llogaritet deficiti i parashikuar i Afganistanit.
Qeveria e mëparshme, e mbështetur nga Perëndimi, më 2021 kishte një buxhet prej rreth 6 miliardë dollarësh, përpara se talibanët ta merrnin pushtetin. Ai buxhet parashikonte të ardhura të brendshme prej 216.5 miliardë afgani (2.7 miliardë dollarë), por parashikimet buxhetore u goditën nga pandemia e koronavirusit dhe shpenzimet e mëdha ushtarake. Të ardhurat vjetore do të ishin më të mëdha (3.3 miliardë dollarë) nëse do të përfshiheshin edhe grantet e huaja.
Ashtu sikurse buxheti i talibanëve, edhe në të kaluarën buxheti mbushej me të ardhura të brendshme nga doganat dhe taksat, ku pjesa më e madhe e buxhetit përdorej për të paguar pagat dhe 35 për qind shkonte në infrastrukturë, agrikulturë dhe shëndetësi.
Por, qëkur talibanët u rikthyen në pushtet, punonjësit qeveritarë kanë raportuar se po paguhen me vështirësi, çmimet e ushqimit dhe karburanteve janë rritur dhe sistemet e arsimit dhe kujdesit shëndetësor janë duke u rrënuar. Teksa grupi militant prezanton politike, i zbaton ato dhe rrit taksat për të gjithë sektorët, afganët thonë se nuk po përfitojnë asgjë, teksa po shtojnë thirrjet për lehtësime.
Gjatë këtij muaji, talibanët njoftuan për tarifat e reja për transportimin e mallrave, që sipas tyre do të shtojë 30 miliardë afgani (341 milionë dollarë) në Thesar. Por, shoferët me të cilët ka biseduar Radio Azadi e Radios Evropa e Lirë thanë se përpjekjet për të mbledhur më shumë para nga shoferët veçse kishin nisur.
Omid, i cili shpesh udhëton me makinën e tij transportuese në autostradën Kabul-Xhalalabad për të transportuar tekstil, tha se ky udhëtim dikur i kushtonte atij 70 afgani (0.80 dollarë) për transportimin e mallrave, por tani taksa rrugore është rritur për trefish, që në kombinim edhe me çmimet e rritura të karburanteve, kanë tkurrur të ardhurat e tij.
Ai tha se është me fat nëse në fund të ditës i mbeten 300 ose 400 afgani (3.4 deri në 4.5 dollarë), duke shtuar se “të jeni të sigurt se nuk kam fituar 3,000 ose 4,000 afgani [34 ose 45 dollarë]” që prej fillimit të majit.
Në Kabul, dyqanxhinjtë janë ankuar se autoritetet lokale kanë vendosur një taksë, që më herët injorohej.
Mohammadullah, i cili është pronar i një dyqani ushqimor në kryeqytetin afgan, tha se zyrtarët kanë vizituar dyqanin e tij dhe “matën hapësirën dhe më kërkuan 12,000 afgani për metër katror” dhe i kanë thënë se ligji për një taksë të tillë është në fuqi që nga viti 2017.
Afganë të tjerë janë ankuar për taksën jopopullore mbi kartelat e telefonave, që në Qeverinë e kaluar ishte shpallur e jashtëligjshme. Qytetarët po ankohen se kjo taksë po aplikohet pavarësisht se nuk ka mbulim të duhur të rrjetit telefonik.
Massud, një qytetar nga Kabuli i cili punon për një agjenci qeveritare, i tha Radios Azadi se edhe pse ende pret që të paguhet për punën që bën, ai po faturohet me 10 për qind taksë për të shtuar mbushje në telefonin e tij celular.
“Që tre muaj nuk jam paguar. Jam duke menduar se si do ta paguaj qiranë”, tha Masud. “Qeveria duhet të zgjidhë çështjen e taksës për kartat e telefonit sepse ne aktualisht nuk mund të paguajmë për to”.
Situata është përkeqësuar aq shumë në mediat e shtetit – teksa janë mbyllur qindra media për shkak të presionit ekonomik dhe shtypjes së talibanëve ndaj disidencës – saqë është bërë thirrje që mediat të përjashtohen nga taksat, në mënyrë që të mund të mbijetojnë.
Ari i zi
Edhe pse autoritetet talibane janë zotuar se do të gjejnë mënyra për të ulur kostot e ngrohjes dhe të ofrojnë më shumë energji elektrike për industritë dhe qytetet e mëdha, ata po rrisin eksportin e një burimi të rëndësishëm natyror që iu duhet për këto përpjekje – qymyrin – për të ndihmuar në financimin e buxhetit.
Talibanët njoftuan në maj se do të rrisnin eksportet e qymyrit për në shtetin fqinj, Pakistan, teksa grupi ekstremist po synon që të gjenerojë më shumë të ardhura nga sektori afgan i minierave dhe po dëshiron që të përfitojë nga çmimet rekorde për shitjen e qymyrit. Furnizimet globale kanë rënë për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe për shkak të ndalesën ndaj eksporteve të Indonezisë, që është furnizuesja më e madhe në botë e qymyrit.
Talibanët raportohet se në gjashtë muajt e funit kanë mbledhur mbi 33 milionë dollarë nga të ardhurat e doganës dhe kanë rritur eksportet e qymyrit në 1.8 milion tonë gjatë vitit të kaluar, apo një rritje e eksportit prej 16 për qind.
Për të rritur më tej buxhetin, talibanët muajin e kaluar raportohet se kanë rritur taksat për eksportet e qymyrit nga 20 në 30 për qind.
Shumica e qymyrit që po eksportet në Pakistan vjen kryesisht nga 17 miniera në mbarë Afganitanin, tha Esmatullah Burhan, zëdhënës i Ministris për Miniera dhe Karburante të talibanëve.
Pjesa më e madhe e qymyrit merret nga minierat artizanale që tradicionalisht janë parë si burim i madh i korrupsionit dhe po ashtu ka pasur kritika të mëdha se në këto miniera përdoren edhe fëmijët si fuqi punëtore.
“Ne lejojmë çdo kompani të nxjerrë 2 tonë qymyr në ditë dhe ata e eksportojnë atë në Pakistan”, tha Buran. “Ne eksportojmë rreth 10 deri në 15 tonë qymyr në ditë”.
Byrd nga Instituti për Paqe i Shteteve të Bashkuara, i cili ka qenë edhe menaxher për Afganistanin në Bakën Botërore dhe më pas ka shërbyer edhe si këshilltar ekonomik për shtetin, tha se burimet e qymyrit të Afganistanit janë më të larta në kualitet sesa të Pakistanit dhe se eksporti i qymyrit është “një mundësi e mirë tregtare për Afganistanin”.
Rritja e eksporteve do të thotë “shumë kamionë të ngarkuar me qymyr”, shumica prej të cilëve shkojnë për në Pakistan përmes pikëkalimit kufitar të Tokhamit, tha Bryd.
“Dhe sa më shumë siguri që ka në pushtetin e talibanëve aq më pak do të ketë pikëkontrolle grabitqare dhe marrje të ryshfeteve përgjatë rrugëve transportuese dhe kjo ndoshta ndihmon minierat dhe eksportin”.
Megjithatë, ai tha se të ardhurat e gjeneruara nga honorarët nga mihja e qymyrit janë të ulëta dhe qymyri nuk do të jetë një kontribuues i madh për buxhetin, madje mund të ketë ndikim negativ në terma afatgjatë, sikurse ndikimi negativ në mjedis.
“Çfarë do të mund të gjeneronte të hyra më të mëdha janë projektet e mëdha”, tha Byrd, duke theksuar zhvillimin e projektit të bakrit Mes Aynak, që nuk shkoi “asgjëkund” në qeveritë e kaluara.
Sipas tij, “disa fqinj të mëdhenj sikurse Kina ose Rusia mund të arrijnë një pikë – veçmas Kina – që të kenë gatishmëri për të investuar në projekte të mëdha” në Afganistan.
Byrd shprehu dyshimet e tij lidhur me financimin e talibanëve për projektet zhvillimore, duke shtuar se pjesa e ndarë e buxhetit për këtë gjë “është shumë e vogël”.
Me një kohë të shkurt për të finalizuar detajet deri në publikimin e buxhetit të plotë nga talibanët, është e vështirë të gjykohet se ku do të merren parat për të mbushur buxhetin dhe ku do të shpenzohen, tha Byrd.
“Gjëja kyçe për buxhetin është se duhet të ketë transparencë”, tha ai. “Dhe ne duhet të dimë më mirë për planet e talibanëve për shpenzimet në mënyrë që Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e ndihmës e organizatës joqeveritare të mos i dyfishojnë ato shpenzime”.