Ndërlidhjet

Gratë protestojnë në Kabul kundër kufizimeve


Fotografi e realizuar gjatë një proteste të mëhershme të grave dhe vajzave në Afganistan.
Fotografi e realizuar gjatë një proteste të mëhershme të grave dhe vajzave në Afganistan.

Duke brohoritur “bukë, punë, liri”, dhjetëra gra protestuan në kryeqytetin afgan, Kabul, më 29 maj kundër kufizimeve të ashpra ndaj të drejtave të tyre që talibanët kanë vendosur.

Qëkur u rikthyen në pushtet në gusht të vitit 2021, talibanët kanë kufizuar të drejtat e grave. Në shumicën e qyteteve në Afganistan, vajzat mund të shkojnë në shkollë deri në klasën e gjashtë. Në mars, talibanët urdhëruan mbylljen e shkollave të mesme për vajzat.

“Edukimi është e drejta ime! Rihapni shkollat!”, brohoritën protestueset, shumica prej të cilave kishin vendosur shami për të mbuluar të gjithë fytyrën.

Protestueset u mblodhën para Ministrisë së Edukimit. Ato marshuan disa qindra metra para se të përfundonin protestën e tyre, teksa autoritetet vendosën në rrugë luftëtarët talibanë, raportoi AFP.

“Ne dëshironim që të lexonim një deklaratë, por talibanët nuk na lejuan”, tha Zholia Parsi, e cila doli që të protestonte.

“Ata na morën telefonat mobilë dhe po ashtu na ndaluan që të bënim fotografi dhe video të protestës sonë”, tha ajo për AFP.

Qëkur morën pushtetin, pas tërheqjes së trupave ndërkombëtare nga Afganistani, talibanët janë zotuar se do të sundojnë ndryshe nga regjimi brutal në vitet ’90, kur gratë u mbyllën në shtëpitë e tyre, argëtimi u ndalua në mbarë vendin dhe u aplikuan ndëshkime të ashpra, përfshirë edhe ekzekutimet publike.

Por, këto premtime po merren me skepticizëm nga shumë afganë dhe qeveri në mbarë botën, përfshirë ato në Azinë Qendrore. Kjo për faktin se gratë janë detyruar që të largohen nga disa punë qeveritare dhe janë ndaluar që të udhëtojnë të vetme.

Gjatë këtij muaji, lideri suprem i Afganistanit dhe shefi i talibanëve, Hibatullah Akhundzada, urdhëroi gratë që të mbulohen kur janë në publik, përfshirë edhe fytyrën e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG