Me shekuj, afganët në zonat e varfra rurale kanë përdorur opiumin për të lehtësuar dhimbjen dhe për të nxitur gjumin.
Tani, mungesa e madhe e medikamenteve, e nxitur nga një krizë në kujdesin shëndetësor, i ka detyruar ata të përdorin opiumin edhe për trajtimin e sëmundjeve të zakonshme.
Opiumi mbetet i disponueshëm në të gjithë Afganistanin - njërin nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të narkotikëve - pavarësisht se talibanët e kanë ndaluar kultivimin, prodhimin dhe trafikimin e të gjitha drogave të paligjshme në prill të vitit 2022.
Numri në rritje i afganëve që e përdorin opiumin si ilaç për ftohje, dhimbje të stomakut dhe dhimbje të kokës, mund ta përkeqësojë epideminë e drogës në vend, paralajmërojnë ekspertët e shëndetësisë.
Afganistani është shtëpi e rreth 4 milionë përdoruesve të drogës, ose rreth 10 për qind të popullsisë së përgjithshme, sipas Kombeve të Bashkuara.
“Unë nuk jam i vetmi që e përdor opiumin si ilaç”, thotë Homayoon, një i ri nga provinca veriore Baglan, për shërbimin afgan të Radios Evropa e Lirë.
“Shumë në rajonin tonë e bëjnë të njëjtën gjë”, thotë ai.
Homayoon, i cili nuk do që të identifikohet edhe me mbiemër, thotë se pi opium për të trajtuar ftohjen e zakonshme dhe gripin.
“Opiumi për qëllime mjekësore”
Sistemi i kujdesit shëndetësor të Afganistanit, i mbështetur nga ndihmat e huaja për gati dy dekada, ka marrë tatëpjetën prej se talibanët kanë marrë pushtetin në gusht të vitit 2021.
Qindra objekte shëndetësore janë mbyllur në dy vjetët e fundit, duke mos pasur fonde për t’i paguar pagat e mjekëve dhe infermierëve. Spitalet që janë ende të hapura, vuajnë nga mungesa e madhe e barnave.
Disa nga humbjet janë kompensuar me përfshirjen e vazhdueshme të organizatave të huaja të ndihmës. Por, shumë prej tyre janë detyruar t’i kufizojnë operacionet, për shkak të zvogëlimit të financimit ndërkombëtar.
Profesionistët afganë shëndetësorë thonë se kanë parë rritje të përdorimit të narkotikëve, duke përfshirë opiumin, kristalin dhe kanabisin, për trajtimin e sëmundjeve të zakonshme.
Rahmatullah, një mjek me bazë në Kabul, i cili nuk do që të identifikohet edhe me mbiemër, thotë se mungesa e objekteve të kujdesit shëndetësor dhe barnave, i ka detyruar njerëzit - veçanërisht në zonat rurale - t’u drejtohen drogave të paligjshme për të trajtuar sëmundje si diarreja, dhimbja e fytit apo pagjumësia.
“Por, përdorimi i përsëritur i opiumit për qëllime mjekësore çon në varësi”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë, duke zbuluar se shumë nga pacientët e tij janë bërë të varur nga droga.
Abdul Basit Karim, një mjek në qytetin verior të Mazar-e Sharifit, thotë se mungesa e objekteve mjekësore “me staf dhe pajisje të mjaftueshme”, është arsyeja kryesore që afganët gjejnë zgjidhje në narkotikë.
“Mungesë e madhe fondesh”
Organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Afganistan, janë detyruar muajve të fundit që ta ndërpresin ndihmën e tyre për afganët në fushën e kujdesit shëndetësor, si dhe ndihmën ushqimore, kryesisht për shkak të mungesës së fondeve.
Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) ka ndërprerë ndihmën urgjente për miliona afganë të cenueshëm në muajin shtator, për shkak të një “mungese të madhe fondesh”.
Ndërkohë, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka ndaluar financimin e 25 spitaleve në të gjithë Afganistanin më 31 gusht, duke përmendur mungesën e burimeve.
OKB-ja vlerëson se më shumë se 28 milionë afganë, ose mbi dy të tretat e popullsisë 40-milionëshe të vendit, kanë nevojë për ndihmë humanitare.
“Situata në Afganistan është e rëndë dhe mungesa e burimeve dhe fondeve për t’i mbështetur punonjësit dhe objektet shëndetësore, po rrezikon jetë të panumërta”, ka thënë në gusht drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Kjo përfshin edhe objektet e rehabilitimit të të droguarve, shumë prej të cilave nuk kanë mjaftueshëm ilaçe bazë, ushqim dhe rroba për pacientët.
Shumë qendra janë mbyllur ose po përpiqen të mbeten të hapura prej se talibanët kanë marrë pushtetin.
Talibanët kanë marrë një qëndrim jashtëzakonisht të ashpër në trajtimin e problemit masiv të drogës në Afganistan, duke i grumbulluar të varurit dhe duke i mbyllur ata me muaj të tërë, si një formë trajtimi. Por, kritikët thonë se qasja e tillë është mizore dhe joefektive.
Safia, një grua që jeton në Kabul, thotë se ka përdorur opium për të trajtuar një dhimbje kronike të dhëmbit. Por, pas disa javësh përdorimi, është bërë e varur nga droga.
“Kam marrë pak opium me çaj natën, por varësia ime nga droga ka vazhduar”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.