Talibanët kanë tentuar të kontrollojnë paraqitjet edhe sjelljet në publik të miliona afganëve, posaçërisht grave, prej marrjes së pushtetit më 2021.
Mirëpo, zbatimi i rregullave të grupit ekstremist, që lidhen me moralin, përfshirë kodin strikt të veshjeve islamike dhe ndasitë në baza gjinore në shoqëri, ka qenë sporadik dhe jo i shtrirë njëjtë në gjithë shtetin.
Tani, grupi islamik i linjës së ashpër i ka shndërruar në ligj kufizimet drakonike, duke nxitur frikë në mes të afganëve për kufizime edhe më të rrepta sesa tani.
Ligji për Përhapjen e Virtytit dhe Parandalim të Vesit, që është miratuar edhe zyrtarisht më 21 gusht, parasheh kufizime të ashpra në paraqitjen publike, në sjellje dhe lëvizje të grave.
Ligji parasheh kufizime edhe për burrat.
Adela, grua në moshë të mesme, është anëtarja e vetme që siguron bukën e shtëpisë për një familje me 10 anëtarë.
Ajo është e shqetësuar që ligji i ri për moralin do t'i gërryejë edhe ato pak të drejta që u kanë mbetur grave.
Talibanët u kanë mundësuar disa grave, kryesisht në sektorët e edukimit dhe shëndetësisë, që të punojnë jashtë shtëpive të tyre.
“Frikësohem që gratë afgane nuk do të mund t’i bëjnë më këto punë”, ka thënë Adela, emër i ndryshuar nga redaksia me qëllim të mbrojtjes së identitetit, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Dilawari, banor i kryeqytetit afgan, Kabulit, ka paralajmëruar për trazira shoqërore nëse talibanët rrisin shkallën e kufizimeve.
“Të rinjtë po vuajnë nga papunësia ekstreme. Shtypja e tyre do të provokojë kufizime”, ka thënë 26-vjeçari, emri i të cilit është ndryshuar, gjithashtu, për shkak të shqetësimeve për sigurinë.
Lista e gjatë e kufizimeve
Ligji i ri për moralin përbëhet prej 35 neneve, shumica prej tyre shënjestrojnë gratë.
Grave u kërkohet t’i mbulojnë plotësisht fytyrat dhe trupat kur janë në publik, dhe u ndalohen veshjet “transparente, të ngushta dhe të shkurtra”.
Ligji ua ndalon grave edhe ngritjen e zërit apo këndimin në publik.
Grave u kërkohet edhe që të jenë të shoqëruara me një burrë kur largohen prej shtëpive të tyre, dhe nuk mund të përdorin transportin publik vetëm.
Ligji ua ndalon grave dhe burrave të rritur që ta shikojnë njëri-tjetrin në publik.
Edhe burrat duhet të vishen në mënyrë modeste, përfshirë rastet kur merren me sporte apo stërviten. Atyre u ndalohet të rruajnë apo shkurtojnë mjekrën.
Ata obligohen që të shkojnë në xhami rregullisht për t’u lutur dhe të agjërojnë në Muajin e shenjtë të Ramazanit.
“[Burrat] nuk duhet t’i shkurtojnë flokët, sepse është në kundërshtim me Sheriatin”, përmendet në njërën prej pikave të ligjit.
Ndalohet edhe shoqërimi me të huajt dhe imitimi i paraqitjeve të tyre, apo posedimi i çfarëdo simboli që mund të duket perëndimor.
Ligji ndalon edhe marrëdhëniet seksuale para martesës, si dhe homoseksualitetin.
Konsumimi i alkoolit, përdorimit të drogave të paligjshme dhe bixhozi, konsiderohen krime serioze.
Ndalohet edhe transmetimi i muzikës në publik. Ndalohet edhe shënimi i festave jomyslimane, sikurse Viti i Ri Persian – Novruzi.
Policia e Moralit do të jetë përgjegjëse për zbatim të këtij ligji. Ky departament policor, që besohet të ketë disa mijëra pjesëtarë, është nën mbikëqyrjen e Ministrisë për Përhapjen e Virtytit dhe Parandalim të Vesit.
Me ligjin e ri, fuqitë e Policisë së Moralit, janë zgjeruar.
Pjesëtarët e këtij departamenti do të angazhohen nëpër gjithë shtetin, për të vëzhguar nëse qytetarët po veprojnë në përputhje me ligjin.
Anëtarët e Policisë së Moralit udhëzohen për të bërë paralajmërime ndaj shkelësve të ligjit.
Personat që shkelin vazhdimisht ligjin mund të ndalohen, gjobiten apo edhe t’iu konfiskohet prona.
Policia e Moralit mund të arrestojë shkelësit e ligjit deri në tri ditë dhe t’i ndëshkojë pa gjyq paraprak.
Talibanët kanë thënë javën e kaluar se pjesëtarët e këtij departamenti, kanë ndaluar më shumë se 13.000 afganë në vitin e kaluar, për shkelje të rregullave të moralit.
“Gjendje ferri”
Ligji i talibanëve për moralin është dënuar ashpër nga afganët, shtetet perëndimore dhe organizatat për të drejta të njeriut.
Talibanët e kanë mbrojtur ligjin, për të cilin pretendojnë se “bazën e ka në ligjërata islamike”.
“Ligji i ri është thellësisht i dëmshëm”, ka thënë Heather Barr, drejtoreshë e departamentit për të drejta të grave në organizatën ndërkombëtare, Human Rights Watch.
“Përmes dhënies së statusit si ligj, këto kufizime ashpërsohen edhe institucionalizohen”.
Ajo ka thënë se ligji përbën “përshkallëzim serioz” dhe "rrëshqitje në kushte ferri për gratë dhe vajzat afgane”.
Roza Otunbaeva, udhëheqëse e Misionit të Kombeve të Bashkuara për Asistencë në Afganistan, ka thënë më 25 gusht se ligji krijon “pamje shqetësuese për të ardhmen e Afganistanit”, për shkak të kompetencave të mëdha që do të ketë Policia e Moralit.
Obaidullah Baheer, ligjërues i politikave në Universitetin Amerikan të Afganistanit, ka thënë se pjesë të ligjit të miratuar janë “jashtëzakonisht të paqarta”.
Megjithatë, Policia e Moralit do të ketë kompetenca të gjera, përfshirë ndëshkimin e njerëzve “në mënyrë arbitrare” pa një proces të drejtë, ka thënë ai.
“Ligji i ri i bën ata gjyqtarë, juri dhe ekzekutues”, ka thënë Baheer.