Ndërlidhjet

Afaristët kërkojnë që ndihma nga shteti të mos vonohet


Punëtorë në një biznes të ushqimit të shpejtë në Shkup. Fotografi nga arkvi.
Punëtorë në një biznes të ushqimit të shpejtë në Shkup. Fotografi nga arkvi.

Në kohë të vështira, nevojitet reagimi i shpejtë për t’i sanuar dëmet e shaktuara nga kriza, në të kundërtën do të thellohet në masë të parikuperueshme hendeku i zhvillimit negativ në sektorin privat, që paraqet boshtin kryesor të zhvillimit ekonomik, thonë nga odat ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

Afaristët, thonë se për të qenë rikuperimi ekonomik më i qëndrueshëm në periudhë afatmesme, autoritetet e vendit duhet të punojnë në drejtim që ekonomia të bëhet më rezistente ndaj goditjeve që ka shkaktuar kriza e pandemisë.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, e cila përfaqëson mbi 2,000 biznese, thonë se miratimi me vonesë i masave anti-krizë në parlament, në masë të theksuar ka pamundësuar reflektimin e efekteve pozitive përmes këtyre mjeteve. Nga kjo odë, nënvizojnë se autoritetet e vendit duhet menjëherë të fokusohen në pakon e gjashtë të ndihmave, e cila duhet të strukturohet në atë mënyrë që ndihma të arrijë sa më shpejt, veçanërisht tek ata sektorë, të cilët kanë pësuar dëme më të mëdha, përkatësisht ata sektorë që e kanë të bllokuar plotësisht aktivitetin e tyre.

Durim Zeqiri nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se përderisa procesi i imunizimit realizohet me një dinamikë tejet të ngadaltë, vështirë se mund të flitet për rikuperim të bizneseve.

“Sa i përket pakos së gjashtë të ndihmave, për të vënë në kontroll dëmet që ka shkaktuar pandemia, ne si odë, mbrojmë qëndrimin se pakoja e ndihmave duhet të jetë më gjithëpërfshirëse, sidomos në sektorin e gastronomisë, pasi duhen eliminuar më shumë kritere që pamundësojnë shumë sektorë dhe veprimtari të ndryshme të aplikojnë për marrjen e ndihmave nga pakot e masave anti-krizë. Gjithashtu, vlerësojmë se edhe sasia e vlerës së ndihmave të parapara për injektim për këtë sektor, deri më tani është shumë e ulët, pasi ky sektor mbetet më i dëmtuari, meqë që nga fillimi i pandemisë ka qenë i mbyllur”, thotë Zeqiri.

Ndërkaq, Kirço Ivanov, pronar i një kompanie të tekstilit, që ka 120 punëtorë, thotë se përderisa kërkesat nga vendet e Evropës me të cilat bashkëpunojnë, mbeten në një nivel shumë të ulët, për shkak të mbylljes së qendrave tregtare, nuk mund të shihet dritë në fund të tunelit, për përmirësimin e gjendjes në industrinë e tekstilit, industri kjo që përfshin mbi 30,000 të punësuar.

Ivanov thotë se tani mbetet i fokusuar në ruajtjen e vendeve të punës, gjë që pa ndihmat e shtetit mbetet një mison vështirë i realizueshëm.

”Nëse nuk kemi ndihma nga shteti, nuk na mbetet asnjë rrugëdalje. Të punësuarit në kompaninë e tekstilit, kryesisht janë gra të cilat edhe pak vite duhet të dalin në pension, kështu që e kanë shumë të vështirë të gjejnë një punë tjetër. Për këtë arsye bëjmë të pamundurën që të ruajmë vendet e punës", thotë Ivanov.

"Por, pa ndihmën e shtetit do të jetë shumë e vështirë të sigurojmë rroga për muajt prill, maj e tutje. Andaj, kësaj radhe, përfundimisht nuk guxon të ketë shtyrje në palament, por këto masa duhet të aplikohen më së voni në gjysmën e parë të majit. Me mjetet që siguruam nga pakoja e pestë, arrita të paguaj punëtorët vetëm për muajin shkurt, përderisa për pagesën e muajit mars, mora kredi për të paguar punëtorët. E theksoj se nëse shteti nuk vepron me shpejtësi për të miratuar pakon e gjashtë të masave anti-krizë, unë rrugëdalje tjetër nuk shoh”, shton ai.

Ndërkaq, Marija Zarezankova-Petkovska, ligjëruese në Fakultetin e Ekonomisë në Shkup, si shumë problematike për sa i përket rimëkëmbjes së ekonomisë, e sheh faktin se gjatë krizës së pandemisë, edhe më shumë është thelluar hendeku për sa i takon importit të mallrave kundrejt eksportit që realizon Maqedonia e Veriut.

“Duhet të miratohen masa të duhura në momentin e duhur. Nëse prishet ky ekuacion, çdo ndihmë nuk do të ketë efektin e duhur”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Marija Zarezankova-Petkovska.

Ndryshe, gjatë fundjavës së kaluar, parlamenti miratoi pakon e pestë të masave anti-krizë, me të cilat mjete do të ndihmohen rreth 20,000 kompani dhe 150,000 qytetarë, që realizojnë veprimtari të pavarura, të cilat janë goditur nga kriza e pandemisë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, menjëherë pas kësaj, ka prezantuar pakon e gjashtë të masave anti-krizë, në vlerë prej 17.8 milionë euro, për mbështetje të veprimtarive të cilat u mbyllën tërësisht, që të parandalojnë përhapjen e koronavirusit gjatë muajit prill 2021, si dhe për përmirësimin e likuiditetit të kompanive të cilat investojnë gjatë vitit 2021.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG