Një adoleshent rus është dënuar me katër vjet burgim nën akuzat për tradhti. Ai është viktima më e fundit e luftës së Kremlinit ndaj qytetarëve të vet që e kundërshtojnë pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Kevin Lik, 18 vjeç, banor i rajonit Adigea në Kaukazin Verior, u shpall fajtor për vëzhgimin dhe fotografimin e bazës lokale ushtarake dhe dërgimin e fotografive përmes emailit te një përfaqësues i një qeverie të huaj, sipas prokurorëve.
Gjykata e dha aktgjykimin e saj më 28 dhjetor, pasi një gjykimi me dyer të mbyllura. Liku u dënua me një të tretën e dënimit minimal prej 12 vjetëve për tradhti, për shkak të moshës dhe gjoja pranimit të fajësisë dhe pendimit për veprimet e tij.
Lik gjoja i kreu këto veprime nga dhjetori 2021 – kur ishte i mitur dhe nxënës në shkollën e mesme – deri më 8 shkurt 2023, thanë prokurorët. Ai i kishte kundërshtuar politikat e Qeverisë dhe luftën në Ukrainë.
Lik u arrestua në verë, raportoi BBC. E ëma e tij ishte arrestuar më 9 shkurt për 10 ditë për përdorimin e “gjuhës së pahijshme” në ndërtesën e ushtrisë ruse.
Kremlini e ka përdorur ligjin kundër tradhtisë si një mjet për t’i shtypur kundërshtarët e luftës së Moskës në Ukrainë. Njerëz nga të gjitha sferat e jetës janë prekur nga ligji i tradhtisë, thonë ekspertët.
Rusia pritet të hapë më shumë raste të tradhtisë këtë vit, krahasuar me çdo vit prej renies së Bashkimit Sovjetik, sipas Kholod, një medium i pavarur i lajmeve.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e nënshkroi në fillim të këtij viti një ligj në bazë të cilit tradhtia dënohet me burgim të përjetshëm.