Ndërlidhjet

ABC thotë se Trump dhe Harris janë pajtuar për debat presidencial më 10 shtator


Fotografi e kombinuar e të nominuarit të republikanëve për president, Donald Trump, dhe kundërshtares së tij, kandidates së demokratëve, Kamala Harris, për zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Fotografi e kombinuar e të nominuarit të republikanëve për president, Donald Trump, dhe kundërshtares së tij, kandidates së demokratëve, Kamala Harris, për zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Transmetuesi amerikan ABC njoftoi të enjten se i nominuari i republikanëve për president, Donald Trump, dhe kandidatja demokrate, Kamala Harris, janë pajtuar për të marrë pjesë në një debat presidencial më 10 shtator.

ABC e bëri këtë njoftim pak pasi Trumpi tha në një konferencë për media se ka propozuar tri debate presidenciale me tri rrjete televizive, duke shtuar se është pajtuar për data të caktuara në shtator.

Trumpi pranoi të shkojë në debat në ABC disa ditë pasi shkroi në rrjetin e vet social se nuk do të merrte pjesë në debatin e këtij transmetuesi, duke e përmendur një padi që e ka bërë.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme të kemi debate”, tha Trump të enjten.

“Mezi pres të shkoj në debate, sepse mendoj se ne duhet t’i themi gjërat troç”, shtoi ai.

Fushata e Harrisit ende nuk e ka komentuar çështjen e debateve.

Harris hyri në garë për Shtëpinë e Bardhë pasi presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara për rizgjedhje muajin e kaluar.

Pasi Biden u tërhoq nga gara presidencial dhe e mbështeti Harrisin, Trumpi tha se nuk do të debatonte me të, sepse ajo nuk ishte kandidate zyrtare.

Si dëshmi për mungesën e mbështetjes për të, ai tha se ish-presidenti Barack Obama nuk e kishte mbështetur atë.

Por, Obama e mbështeti Harrisin një ditë më vonë, dhe javën e kaluar, Harris i siguroi votat e nevojshme të delegatëve për t’u nominuar kandidate e demokratëve për zgjedhjet e nëntorit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG