Ndërlidhjet

A po e shkel Kosova marrëveshjen e CEFTA-s?


Ilustrim
Ilustrim

Marrëveshja për tregti të lirë, CEFTA, konsiderohet se mund të jetë shkelur nga autoritetet e Kosovës me vendimin e fundit për vendosjen e taksës doganore prej 30 për qind për produktet bujqësore që hyjnë në Kosovë.

Janë autoritetet e Maqedonisë ato të cilat kanë theksuar se nuk kanë qenë të informuar me kohë nga Qeveria e Kosovës për vendosjen e kësaj mase mbrojtëse për produktet bujqësore, e që sipas Shkupit zyrtar, është obligim i Kosovës, pasi është pjesë e CEFTA-s.

Megjithatë, autoritetet e Kosovës kishin bërë të ditur se vendimi është marrë si masë mbrojtëse për produktet bujqësore dhe është i bazuar në kompetencat ligjore dhe dispozitat përkatëse të Marrëveshjes së CEFTA-s.

Flamur Keqa, ish-drejtor i Departamentit të Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në vitin 2011, kur Kosova ka menaxhuar CEFTA -n, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo marrëveshje parasheh lëvizje të lirë të mallrave, pa pengesa të tilla.

“Me marrëveshjen, CEFTA është e paraparë që të gjitha produktet dhe mallra në mes shteteve që janë anëtare të CEFTA-s të lëvizin në mënyrë të lirë pa vendosjen e taksave të ndryshme, mirëpo praktika na tregon se shtetet tjera në veçanti dhe jo Kosova në të kaluarën kanë vendosur pengesa në import duke tentuar të mbrojnë produktet vendore. Në këtë kontekst edhe e shoh të arsyeshme dhe e përkrahi vendimin e Kosovës për marrjen e masave për ndalesën e importit për disa produkte”, thekson Keqa.

CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova është anëtare e këtij mekanizimi që nga viti 2007.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa se beson që Kosova i ka analizuar të gjitha dispozitat e marrëveshjes CEFTA dhe ka bërë hulumtim përkatës para se të ndërmarrë një vendim të tillë në mënyrë që të shmanget ndonjë ndëshkim apo ndonjë pasojë tjetër që mund të përballet.

“Unë nuk mund të konkludoj për momentin nëse Kosova ka bërë ndonjë shkelje ose jo. Marrëveshja CEFTA kur është nënshkruar ka qenë produkt i mungesës së negociatave të duhura nga autoritetet e Kosovës, përkatësisht administratës së UNMIK-ut si nënshkruese dhe rrjedhimisht në atë kohë nuk janë reflektuar të gjitha nevojat e Kosovës”.

“Shtetet e tjera kanë produkte dhe sektorë të caktuar të cilët kanë të drejtë t’i mbrojnë në periudha të caktuara të vitit, por e njëjta nuk vlen për Kosovën dhe Bosnjën të cilat duket se nuk kanë negociuar ndonjë produkt apo sektor të caktuar për të cilin mund të aplikojnë mbrojte për periudha të caktuara brenda vitit”, thekson Zeka

Marrëdhëniet tregtare të Kosovës me vendet fqinje, përgjatë viteve ishin përcjellë me probleme të ndryshme.

Vendet e rajonit si Serbia, Maqedonia, Bosnje e Hercegovina dhe Shqipëria, jo rrallë herë patën vendos barriera tregtare prodhimeve kosovare, duke dëmtuar kështu ekonominë e Kosovës.

Barriera më të mëdha tregtare karshi Kosovës kishin bërë Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, që vetëm pak muaj pas shpalljes së pavarësisë, kishin ndaluar produktet e Kosovës, për shkak të ndërrimit të vulës së Doganave nga ato të UNMIK-ut në Doganat e Kosovës.

Maqedonia, ndërkohë, kishte vënë barriera për prodhimet kosovare, siç ka qenë rasti me prodhimet e pijeve dhe me miellin.

Derisa, Shqipëria, për një kohë të gjatë kishte aplikuar çmimin referent për patatet e prodhuara në Kosovë.

Ndërkohë, Flamur Keq njohës i fushës thekson se vendimi i Ministrisë së Tregtisë për vendosjen e taksës doganore për produktet bujqësore që hyjnë në Kosovë do të arsyetohej nëse do të kishte efektin e përkrahjes se prodhimit vendor.

“Shpresoj që Ministria e Tregtisë dhe dikasteret përkatëse kanë bërë analiza të mjaftueshme se më këtë masë realisht përkrahet produkti vendor. Nuk do të kisha pasur dëshirë që të jetë një masë e ndërmarrë që nuk ka ndonjë efekt, por vetëm për propagandë. Realisht nëse do të mbrojë produktet në listën e paraparë unë e përkrahi këtë masë, sepse kjo masë dhe të tilla janë ndërmarrë kohë pas kohe nga të gjithë anëtarët që janë pjesë e CEFTA-s, thekson Keqa.

Deficiti i lartë tregtar vazhdon të përbëjë një sfidë të rëndësishme për ekonominë e Kosovës. Eksporti i mallrave sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për muajin maj të këtij viti kishte vlerën 32.8 milionë euro, ndërsa importi 310.6 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG