Ndërlidhjet

GK: NUK DO TË KETË NDARJE TË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pa marrë parasysh se cili do të jetë statusi i Kosovës, shqiptarët dhe serbët duhet të arrijnë marrëveshje praktike për veriun e Kosovës, duke siguruar kështu një qeverisje efektive atje, zhvillim ekonomik dhe mirëbesim të dyanshëm.
Kështu thuhet në deklaratën e Grupit të Kontaktit rreth gjendjes në veriun e Kosovës, e cila sot i është dorëzuar sot palës kosovare gjatë një takimi që përfaqësues të Grupit të Kontaktit zhvilluan me delegacionin e Kosovës për statusin.

Grupi i Kontaktit konfirmon se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, kurse bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë praninë e vet në Kosovë edhe pas statusit, si në planin civil monitorues, ashtu dhe në atë ushtarak përmes KFOR-it. Grupi i Kontaktit dëshiron të shohë zgjidhjen e statusit të Kosovës, në mënyrën e cila do të sigurojë të drejtat dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe e cila do të vendosë themelet e një shoqërie paqësore, demokratike e shumë-etnike, thuhet në deklaratë.

Shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, Tina Kaidanow tha se është me rëndësi që palët në bisedime të tregohen fleksibile dhe të arrijnë marrëveshje për çështjet e negociuara. Kurse takimi i sotëm me delegacionin e Kosovës, tha ajo kishte si qëllim diskutimet lidhur me gjendjen në veri të Kosovës:
“Ne diskutuam për rëndësinë që të gjitha palët të gjejnë forma për uljen e tensioneve dhe të garantohet situatë e qetë sigurie në veri”, tha Kaidanow, duke shtuar se qëndrimi i Grupit të Kontaktit për këtë çështje pasqyrohet në deklaratën e miratuar.

Kurse presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se rrjedha normale e bisedimeve deri në zgjidhjen e statusit, ishte në qendër të interesimit të palës kosovare gjatë takimit me përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit:
“Biseduam për zhvillimet e përgjithshme të procesit të bisedimeve dhe proceset e përgjithshme në Kosovë. Ishte një mbështetje e fuqishme e gjithë asaj që është duke ecur në trend të mirë dhe në këtë rast, natyrisht që i përcollëm dhe një mesazh të përbashkët Grupit të Kontaktit, me dëshirën që të jemi palë kontribuese, sikurse edhe Beogradi në anën e kundërt, kështu që ky proces të jetë në një rrjedhë te mirë të qëndrueshme për një të ardhme më të mirë të qytetarëve”, tha Sejdiu.

Përndryshe, Deklarata 10 pikëshe e Grupit të Kontaktit lidhur me gjendjen në veriun e Kosovës, fton Beogradin, Prishtinën dhe qytetarët e Kosovës që të ndërmarrin masa për t’u siguruar që pjesa veriore e Kosovës të mbetet një rajon stabil ku respektohen të drejtat e të gjithëve. Njëkohësisht, deklarata premton angazhimin e shtuar të bashkësisë ndërkombëtare për arritjen e stabilitetit në veri. Kurse Prishtina dhe Beogradi ftohen të arrijnë marrëveshje paraprake rreth këtyre masave përgatitore në kontekst të negociatave për statusin e ardhshëm që udhëhiqen nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari.

Deklarata nënvizon se decentralizimi i qeverisjes lokale mund t’i ndihmojë komunitetet në veri të Kosovës që ta ruajnë identitetin e tyre dhe të mbrojnë të drejtat e tyre. Gjithashtu, deklarata kërkon dhe mbrojtjen e të drejtave pronësore, lirinë e lëvizjes dhe kthimin e personave të zhvendosur.

Duhet gjetur zgjidhjet për qytetin e Mitrovicës. Marrëveshjet e reja, që tani janë duke u diskutuar, duhet të jenë funksionale, realiste dhe duhet të garantojnë të drejtat e të gjithë banorëve, thuhet në deklaratë, ndërkohë që vendimi i asambleve të komunave në veri për suspendimin e bashkëpunimit me institucionet kosovare, për Grupin e Kontaktit paraqesin një arsye për brengosje. Kështu që serbët e Kosovës ftohen që të marrin pjesë në institucionet e Kosovës ku ata më së miri do të mund t'i promovojnë interesat e tyre, thuhet në deklaratë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG