Ndërlidhjet

KËRSTOVIQ: NUK ËSHTË I MIRË NDIKIMI I MADH I BEOGRADIT MBI SERBËT E KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ndikimi i Beogradit zyrtar mbi serbët e Kosovës dhe udhëheqësit e tyre politik është i madh dhe vendimtar për pothuajse secilin vendim që ka të bëjë me jetën e bashkësisë serbe në Kosovë. Edhe pse për të gjitha çështjet përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare e kërkojnë mendimin e serbëve të Kosovës, bisedimet bëhen me Beogradin.
Analisti politik nga Prishtina, Shkëlzen Maliqi, mendon se serbët janë së tepërmi të varur nga Beogradi:
"Prej kohësh ata janë pothuaj totalisht të varur. Politika e Beogradi i ka vendosur këto njerëzit e vet, pykat e veta dhe manipulon me ta, janë si teatër i kukullave në njëfarë dore. Vetëm kohët e fundit ka disa zëra, disa forca që mundohen të shkëputen nga ky ndikim, por ende nuk kanë krijuar sa duhet besim në vetë popullatën", tha zoti Maliqi, sipas të cilit pas përcaktimit të statusit pritet që të mbizotërojë politika realiste se serbët e Kosovës duhet të jetojnë në Kosovë.
Ndërkohë vetë serbët e Kosovës kanë qëndrime të ndryshme lidhur me nevojën ose jo të një ndikimi kaq të fortë. Rada Trajkoviç, nga Këshilli Nacional Serb thotë se serbët e Kosovës janë të lidhur për Beogradin, pasi janë të brengosur për sigurinë e tyre dhe për perspektivën e mbetjes në Kosovë:
"Nga frika për të ardhmen, lidhjet me Beogradin janë gjithnjë e më të fuqishme, për shkak të frikës për planifikuar organizimin e jetës në Kosovë dhe për shkak se institucionet e Kosovës nuk u kanë ofruar mjaft," tha zonja Trajkoviq.
Dhe, ndërsa njëra palë thotë se Beogradi mund të përfaqësojë interesat e bashkësisë serbe, të tjerët mendojnë se vetë ata duhet të marrin vendime. Dragisha Krstoviç, anëtar i Listës Serbe thotë se ndikimi i Beogradit mbi serbët e Kosovës është i madh dhe kjo është e gabueshme:
"Beogradi ka ndikim të madh mbi serbët e Kosovës dhe kjo nuk është mirë. Mendoj se ekziston një lidhje e ngushtë ndërmjet Beogradit dhe Këshillit Nacional Serb, por Lista Serbe ka pak mbështetje në Beograd," tha Kërstoviç.
Mirëpo, analisti Shkëlzen Maliqi kështu i shpjegon arsyet e një varësie të tillë:
"Është një teknikë dhe teknologji i manipulimit që është parë edhe në vendet e tjera. Natyrisht se serbët e Kosovës asnjëherë nuk kanë krijuar ndonjë lider të profilit, apo të pavarur dhe kjo ka mbetur kështu prej kohës. Ata edhe më herët kanë qenë një pakicë e vogël dhe nuk kanë mundur të bëhen faktorë pa Beogradin. Sidomos koha e Milosheviqit ka ndikuar shumë që politika e serbëve të Kosovës të mbështetet në Beograd dhe kjo nuk po përmirësohet."
Zoti Shkëlzen Maliqi tha se kjo varësi reflektohet në formën e bojkoteve të ndryshme dhe ka qenë e shprehur sidomos në tre vitet e shkuara, pasi edhe politika e Beogradit, edhe kisha i kanë detyruar serbët e Kosovës që t’u nënshtrohen urdhrave të Beogradit dhe jo interesave të tyre reale që i kanë këtu. Analisti Maliqi ka theksuar posaçërisht urdhrin e Serbisë për serbët e Kosovës që të mos marrin rrogat e Kosovës dhe e vlerëson këtë një gjë pa kuptim, pasi në fund të fundit serbët e Kosovës duhet të jetojnë në Kosovë.
Në anën tjetër, zoti Dragisha Kërstoviq pranon se serbët nuk janë në institucione, për shkak të thirrjeve të Beogradit, që ka bërë thirrje për bojkot..Për shkak të politikës së tillë, tash e dy vjet liderët e serbëve bojkotojnë Kuvendin dhe qeverinë e Kosovës. Por, jo edhe Slavisha Petkoviq, Ministër për Kthim dhe Komunitete, i cili thotë se nuk e ka dëgjuar Beogradin.
Rol posaçërisht të madh luan Beogradi në bisedat për statusin e Kosovës dhe në çështjen e decentralizimit. Dragisa Kërstoviq tërheq vërejtjen se është i gabueshëm qëndrimi i Beogradit që të marrë përsipër gjithë procesin e zgjidhjes së statusit, duke përjashtuar serbët e Kosovës:
"Serbët e Kosovës kanë kapacitet që vetë të kujdesen për të ardhmen e tyre dhe vetë të vendosin në fund të fundit se çfarë do të jetë statusi i Kosovës, çfarë do të jetë siguria e tyre dhe çfarë decentralizimi duhet të bëhet," tha Kërstoviq, sipas të cilit këto janë çështje që kanë të bëjnë me ekzistencën e serbëve në Kosovë.
Megjithatë, zonja Trajkoviq mendon se zgjidhja e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes garancive që ofrojnë Prishtina dhe Beogradi:
"Fuqinë e serbëve në Kosovë e përbën ajo që është mbështetje e Beogradit në kuptim të veprimit të përbashkët," tha zonja Trajkoviq. Sipas saj perspektiva e serbëve të Kosovës është e lidhur me marrëveshjen esenciale ndërmjet Beogradit, serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve. Ndërkohë në procesin e bisedave për statusin e Kosovës, serbët e këtushëm janë pjesë e delegacionit të Beogradit. Liderët e serbëve të Kosovës janë shprehur disa herë të pakënaqur pasi anëtarë të këtij grupi janë vetëm përfaqësuesit e pjesës veriore të Kosovës.



XS
SM
MD
LG