Ndërlidhjet

MARRËVESHJA E FSHEHTË PËR TREGËTI ME ARMË


The Guardian

Në dy vitet e fundit, Pentagoni ka transportuar dhjetëra mijëra armë të vogla nga Bosnja në Irak, duke shfrytëzuar një rrjet të kompanive private që merren me shitblerjen e armëve, thuhet në një raport të hartuar nga organizata Amnesty International. Sipas këtij raporti, qeveria amerikane gjatë viteve 2004 - 2005 ka arranzhuar më së paku transportimin e 200 mijë pushkëve automatikë të tipit kallashnikov nga Bosnja në Irak. Mirëpo, edhe pse është thënë se armët janë për ushtrinë irakiane, tash për tash nuk ka dëshmi se ato kanë arritur cakun, ndërkohë që diplomatët perëndimorë në Ballkan kanë frikë se armët mund të kenë rënë në duart e dikujt tjetër.
Administratorët evropianë në Bosnjë, sikundër edhe organizatat joqeveritare që merren me grumbullimin dhe shkatërrimin e armëve nga lufta e Bosnjës, janë të zemëruar me Pentagonin, meqë programi për armatimin e Irakut ka penguar programin për çarmatimin e Bosnjës.
“Është vështirë të bindësh njerëzit të shkatërrojnë armët e tyre në kohën kur ata të gjithë presin nga dikush tjetër që të paguhen për një gjë të këtillë”, thotë Adrian Wilkinson, mbikqyrës i programit të Kombeve të Bashkuara për çarmatim në ish Jugosllavi. Zyrtarë të NATO-s dhe ata evropianë kanë konfirmuar se nuk ka asgjë të jashtëligjshme mbi marrëveshjen e qeverisë së Bosnjës apo Pentagonit për të transportuar armë në Irak, problemi ndërkaq ka të bëjë me transparencën dhe mënyrën se si është zhvilluar tregëtia.
Një zyrtar i lartë i NATO-s ka thënë se në këtë tregti janë përfshirë kompanitë amerikane, britanike dhe zvicerane dhe se marrëveshja është organizuar nëpërmjet ambasadave në Bosnjë dhe zyrave të atasheve ushtarakë.
“Ideja ishte që të largohen armët nga Bosnja ku vazhdojnë të rrezikojnë sigurinë dhe të dërgohen në Irak ku vazhdojnë të kenë nevojë për to”, ka thënë zyrtari i NATO-s.
Fati i armëve të transportuara duket se është varrosur në mjegullën përreth kompanive që merren me këtë lloj tregëtie. Pentagoni në fakt ka angazhuar kompaninë amerikane të sigurimit TAOS për të orkestruar blerjen dhe transportimin e armëve, por janë nënkompanitë e angazhuara nga TAOS ato të cilat duhet të përmbushin standarde për një punë të këtillë.
XS
SM
MD
LG