Ndërlidhjet

HARADINAJ LAVDËRON UNITETIN E EKIPIT NEGOCIUES


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Çështja e Mitrovicës do të zgjidhet duke ruajtur tërësinë territoriale të Kosovës dhe pandashmërinë e saj sipas parimeve të Grupit të Kontaktit, tha sot në Prishtinë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke shfaqur bindjen se institucionet e Kosovës do të arrijnë të bëjnë një ofertë serioze për integrimin e qytetarëve serbë të veriut. Këto komente Haradinaj i ka bërë pas takimit të tij të parë zyrtar me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu. Ramush Haradinaj tha se roli presidentit është tani edhe më i rëndësishëm në udhëheqjen e delegacionit për status:
"Meqenëse jemi në vitin e statusit, atëherë roli i presidentit është shumë i madh dhe jam i bindur se në mënyrën se si po punon delegacioni, po vjen në shprehje një unitet që është shumë i dobishëm dhe shumë i rëndësishëm,"tha Haradinaj, sipas të cilit duke qenë në prag të zgjidhjes së statusit që sipas tij është pavarësia e Kosovës, institucionet duhet ta kuptojnë se që nga dita një e pavarësisë, i duhet kushtuar më shumë kujdes dhe rëndësi zhvillimit ekonomik, pasi Kosova do të ketë shumë punë për të bërë pas zgjidhjes së statusit.
Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se çështja e Mitrovicës do të zgjidhet në kuadër të zgjidhjes përfundimtare të statusit të Kosovës, pa ndarjen e saj, por pala kosovare duhet të ketë një ofertë për qytetarët serbë të veriut:
"Mendoj se parimet bazë të GK kanë dhënë mënyrën se si do të zgjidhet çështja e Kosovës. Në të është përfshirë territori dhe është thënë se nuk ka ndarje – atëherë në bazë të kësaj na del neve si Kosovë obligimi që të kemi një ofertë për mënyrën se si do ta zgjidhim çështjen e qytetarëve serbë në veri të Mitrovicës,"tha Haradinaj, duke shfaqur bindjen se institucionet e Kosovës dhe ekipi i unitetit do ta ketë një ofertë për mënyrën e integrimit të qytetarëve serbë në veri.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që udhëheq qeverinë në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Karadinaj, tha se ndikimi i tij në punën e institucioneve do të jetë në kuptim të mbështetjes dhe ndihmës eventuale për funksionimin sa më të mirë të institucioneve:
"Jam kryetar i AAK-së, gjeneral lejtënant Agim Çeku është kryeministër i Kosovës, i zgjedhur nga parlamenti. Pra, ai është kryeministër dhe është i mandatuar, mirëpo do t’i jap mbështetje qeverisë dhe institucioneve të tjera, nëse ata e kërkojnë këtë dhe nëse ndihma ime është e nevojshme".
Ky ka qenë takimi i parë zyrtar i Ramush Haradinajt me drejtues të institucioneve vendore, pasi Tribunali i Hagës i ka lejuar aktivitetet politike dhe publike, ndërkohë që dy ditë më parë Haradinaj ka biseduar edhe me shefin e UNMIK-ut Soren Jessen Petersen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG