Ndërlidhjet

KMLDNJ: GJENDJA E PAKICËS SERBE ËSHTË SHUMË E RËNDË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pozita e komunitetit serb në Kosovë është mjaft e rëndë dhe larg standardeve evropiane për pakicat, ka vlerësuar Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut me seli në Prishtinë. Ibrahim Makolli nga ky këshill, thotë se raporti i fundit paraqet gjendjen reale të pakicës serbe në Kosovë në fusha të caktuara siç janë arsimi, shëndetësia, punësimi, e drejta e përkrahjes sociale, siguria dhe liria e lëvizjes, e çështje të tjera.
Makolli thotë se me gjithë përparimet e caktuara, dhe përkundër faktit se gjendja nuk është e njëjtë në të gjithë territorin e Kosovës, në përgjithësi Kosova duhet të bëjë më shumë për integrimin e serbëve dhe për përmirësimin e pozitës së këtij komuniteti.
"Edhe përkundër faktit se kjo gjendje nuk është stabile, nuk është e njëjtë në të gjitha pjesët e Kosovës ku jeton komuniteti serb, megjithatë mund të thuhet se gjendja e këtij komuniteti në Kosovë, megjithë përmirësimet që kanë ndodhur kohëve të fundit. Kjo, edhe më tutje mbetet një sfidë për shoqërinë kosovare dhe për institucionet e Kosovës në veçanti".
Në anën tjetër Avni Arifi, koordinator i qeverisë së Kosovës për standardet, thotë se qeveria dhe institucionet në pjesët e konsiderueshme të aktiviteteve të tyre, u kushtohen përmirësimit të standardeve, të cilat mëtojnë pikërisht në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe në veçanti të pakicës serbe.
"Vlerësimet e Këshillit të Sigurimit që kanë të bëjnë me standardet, janë tregues realë të përpjekjeve dhe të angazhimeve të qeverisë së Kosovës. Besoj se angazhimi i qeverisë së Kosovës, jo vetëm që nuk do të mungojë, por edhe do të rritet, në mënyrë që jo vetëm pozita e minoriteteve, por edhe pozita e gjithë shoqërisë të përmirësohet. Megjithatë duhet të jemi të bindur momentalisht se gjendja e përgjithshme ekonomike në Kosovë kërkon shumë përmirësime."
Ndër disa prej faktorëve që ndikojnë në pozitën e vështirë të pakicës serbe, sipas KLMDNJ-së, paraqitet edhe pozicioni i Beogradit ndaj Kosovës dhe veçanërisht ndaj këtij komuniteti, si dhe refuzimi i pakicës serbe që të integrohet. Ibrahim Makolli vlerëson se ka përpjekje për integrimin e serbëve, por përparimet janë ende të vogla.
"Jemi të vetëdijshëm se institucionet e Kosovës, bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, administrata ndërkombëtare në Kosovë kanë bërë përpjekje që ky komunitet të integrohet. Madje një pjesë mjaft të madhe të veprimtarisë së vet institucionet e kanë shpenzuar në këto përpjekje, por megjithatë nuk kanë arritur sukses. Dhe këtu gjithsesi kemi hetuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë, e cila nuk ka qenë dhe nuk është e interesuar që ky komunitet të jetë pjesë përbërëse e ndërtimit të një shoqërie demokratike në Kosovë. Si rezultat i kësaj është edhe e natyrshme, që gjendja e këtij komuniteti në Kosovë vazhdon megjithatë të jetë ende e rëndë".
Në rekomandimet që jepen në fund të raportit, prej institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare kërkohet që të angazhohen më shumë, sidomos në fushën e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për komunitetin serb. Nga lidershipi kosovar kërkohet që t'i vizitojë vendbanimet serbe, si dhe ato të përziera, e t'i njoftojë qytetarët për rëndësinë që ka trajtimi i barabartë i gjithë qytetarëve të Kosovës dhe respektimi i të drejtave të njeriut për të gjithë.

XS
SM
MD
LG