Ndërlidhjet

KOSUMI JEP DORËHEQJEN, LDK SHKARKON DACIN


Gjeneral Çeku, kandidat për kryeministër, Kolë Berisha kandidat për kryeparlamentar

Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi ka dhënë dorëheqjen, përderisa Lidhja Demokratike e Kosovës ka shkarkuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci. Të dy këto zhvillime ndodhën në orët e sotme të pasdites.
Kryeministri Kosumi e ka quajtur dorëheqjen, akt moral dhe veprim të duhur.
“Duke pasur parasysh mundësinë që qeveria e Kosovës të mbetet pa shumicën e votave në Kuvendin e Kosovës, duke pasur parasysh krijimin e mundësive të reja për forcat politike në Kosovë për të vazhduar me proceset, për të krijuar shance të reja bashkëpunimi me miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët na kanë përkrahur dhe po vazhdojnë të na përkrahin në këtë proces, e çmoj veprim të duhur dhe akt moral që në përputhje me Kornizën Kushtetuese të Kosovës, të jap dorëheqjen time nga posti i kryeministrit të Kosovës”.
Pak para se të bëhej e ditur dorëheqja e kryeministrit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shkarkuar nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës Nexhat Dacin. Nga 19 anëtarët e Kryesisë së LDK-së, 15 kanë votuar për shkarkimin e Dacit dhe zëvendësimin e tij me nënkryetarin e tanishëm të LDK-së, Kolë Berishën. Anëtari i Kryesisë së LDK-së Eqrem Kryeziu, tha se vendimi ishte i vështirë. Ai beson se zoti Daci do ta respektojë këtë vendim.
”Unë ju besoj, por kjo do të thotë se janë teste pikërisht për
njerëzit e institucioneve kryesore dhe sipas qëndrimit tonë, ne
urojmë që nesër zoti Daci të vije te Kolë Berisha, ose te unë dhe të thotë se tërhiqet për hir të procesit demokratik”.
Por, Ramush Tahiri, këshilltar i kryetarit të Kuvendit Nexhat Daci, ka thënë se kryeparlamentari nuk do të pranojë një vendim të tillë. Tahiri citon Dacin të ketë thënë se anëtarët e Kryesisë së LDK-së i kanë bërë presion atij për të dhënë dorëheqjen. Daci citohet të ketë thënë se Kryesia nuk është organi legjitim për të vendosur për shkarkimin e tij.
“Tash mbetet të zgjidhet në forumet më të larta se sa që është Kryesia e partisë. Mundet, që edhe në Këshillin e Përgjithshëm të partisë të jetë vendimi i njëjtë, por mund të jetë edhe i ndryshëm. Por mundet që ndërkohë, edhe nën udhëzimet e ndërkombëtarëve, Kuvendi të vendosë në mbledhjen e radhës, domethënë shumë shpejt, besoj në fund të kësaj jave, që me aklamacion të zgjedhë anëtarët e rinj të Kryesisë dhe ta shkarkojë kryeparlamentarin Daci."
Në anën tjetër, Kryesia e AAK-së, në një takim të mbajtur pasdite, ka pranuar dorëheqjen e kryeministrit Kosumi. Në të njëjtën kohë ata kanë propozuar në mënyrë unanime gjeneralin Agim Çeku, komandant aktual i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, si kandidat për kryeministër të Kosovës. Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ernest Luma, thotë:
“Gjeneral Çeku i ka dëshmuar cilësitë e tij prej lideri gjatë periudhave më të vështira që i ka kaluar Kosova, duke dëshmuar përkushtim të thellë në kryerjen e detyrave të cilat i janë besuar”.
Komandanti Agim Çeku nuk është deklaruar nëse do të largohet nga TMK-ja, por Luma tashmë e ka quajtur atë anëtar të ri të AAK-së dhe ka thënë se kanë marrë konfirmimin se zoti Çeku do të pranojë këtë funksion.
“AAK-ja natyrisht që ka zhvilluar kontakte, ka qenë në korrent të zhvillimeve të deritashme gjatë gjithë ditës dhe jo rastësisht ka propozuar zotin Çeku, si kandidat për kryeministër. Ai si anëtar i AAK-së do të jetë edhe kryeministër i Kosovës”.
Në bazë të Kornizës Kushtetuese, pas dorëheqjes së kryeministrit e gjithë qeveria jep dorëheqjen. Megjithatë, Kryesia e AAK-së ka vendosur që të gjitha ministrat, zëvendësministrat dhe këshilltarët e AAK-së, të ruajnë postet e tyre edhe në kabinetin e ri qeveritar.

Albana Isufi, Prishtinë

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG