Ndërlidhjet

KUPCHAN:"RUSIA DHE KINA NUK DO TË BLLOKOJNË PAVARËSINË E KOSOVËS"


Charles KUPCHAN, drejtor në Këshillin për Marrëdhënje me Jasht /SHBA/

RADIO EVROPA E LIRË
Si e komentoni takimin e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kushtuar Kosovës?

CHARLES KUPCHAN
Duket se nuk ka pasur ndryshime rrënjësore në pozicionet e palëve të interesura. Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare kanë vënë në pah rëndësinë e përmirësimit të të drejtave të njeriut, para së gjithash të bashkësisë serbe. Zhvillimi mbase më simbolik ishte prania e kryeministrit të Kosovës, pavarësisht që nuk morri pjesë në debat. Kjo e dhënë flet për ndryshimin e statusit të Qeverisë së Prishtinës.

RADIO EVROPA E LIRË
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, përshëndeti praninë e kryeministrit Kosumi, por ka shfaqur bindjen se kjo nuk do të ketë efekte politike, përkatësisht nuk do të prejudikoi statusin e Kosovës?

CHARLES KUPCHAN
Është shumë e rëndësishme që Tadiç ka përshëndetur praninë e Kosumit dhe ky mund të jetë hap në drejtim të përmirësimit të marrëdhënjeve dhe gjetjes së një kompromisi. Por, pas takimit të Këshillit të Sigurimit nuk jemi më afër zgjidhjes së statusit final të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësuesit e vendeve perendimore dhe para së gjithash të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe kanë thënë se pavarësia e Kosovës është opcion real. Rusia ka kritikuar mospërmbushjen e standardeve, Kina ka vënë në pah rëndësinë e ruajtjes së sovraniteteit dhe integritetit të Serbisë e Malit të Zi. A është pavarësia e Kosovës jo vetëm opcion real, por edhe opcioni i vetëm, siç konsiderojnë disa ekspertë dhe politikanë në Perendim?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se është heret të thuhet se pavarësia e Kosovës është opcioni i vetëm. Por, ky opcion figuron dhe gjithsesi do të shqyrtohet. Kohët e fundit është bërë ndryshim i pozicionit të SHBA-ve dhe BE-së në aspektin e e theksimit të pavarësisë së Kosovës si epilog i dëshiruar. Këtë qëndrim nuk e ndajnë Kina dhe Rusia. Kjo do të thotë se jemi para një beteje në Këshillin e Sigurimit nëse nga ai pritet të verifikoj pavarësinë. Konsideroj se në bisedime nuk duhet shkuar me qëndrimin se pavarësia është çështje e kryer. Të gjitha palët duhet të jenë të gatshme për kompromis.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni në pavarësinë e kushtëzuar, apo siç propozojnë disa, të kushtëzuar me një periudhë kalimtare që nënkupton përmbushjen e standardeve të domosdoshme si dhe praninë e fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare?

CHARLES KUPCHAN
Nëse kemi të bëjmë me opcionin e pavarësisë së kushtëzuar, atëherë është e domosdoshme të ngriten institucione funksionale, të forcohet rendi juridik, të garantohet liria e lëvizjes për serbët dhe pakicat tjera, mbrojtja e objekteve kulturore dhe fetare, e gjithë kjo në funksion të një zgjidhjeje afatgjate. Konsideroj gjithashtu se bashkësia ndërkombëtare, NATO, BE-ja dhe OKB-ja nuk duhet t'i konsiderojnë bisedimet dhe definimin e statusit si rast që menjëherë pastaj të braktisin rajonin. Madje edhe në rastin e epilogut më të dëshirueshëm, gjithnjë do të ketë nevojë për praninë e policisë ndërkombëtare dhe të pranisë ushtarake në Kosovës, për të evituar shpërthimin eventual të dhunës.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se Rusia dhe Kina në Këshillin e Sigurimit gjithashtu duhet të verifikojnë pavarësinë eventuale të Kosovës. Nëse Moska dhe Kina kundërshtojnë pavarësinë, a do të tentojnë vendet perendimore të tejkalojnë organizatën botërore pikërisht si në rastin e aksionit të NATO-s kundër Jugosllavisë, apo mbase Rusia dhe Kina nuk do të shkojnë aq largë në kontestimin e pavarësisë së Kosovës?

CHARLES KUPCHAN
Rusia dhe Kina për shkaqe të politikës së brendshme nuk mbështesin pavarësinë e Kosovës, duke iu frikësuar presedanit. Moska ka parasysh Kaukazin dhe Çeçeninë, ndërsa Pekini zyrtar ballafaqohet me sfidën e disa konflikteve etnike dhe me kërkesat për pavarësi të disa pjesëve. Por, nuk besoj se Kina dhe Rusia do të shpenzojnë shumë energji dhe kredi të veta për të bllokuar pavarësinë e Kosovës. Për Moskën dhe Pekinin më e rëndësishme është të ruajnë marrëdhënjet e mira me Perendimin. Rrjedhimisht, nëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian insistojnë për pavarësinë e Kosovës, nuk besoj se Pekini ose Moska do ta bllokojnë një kërkesë të tillë. Ato nuk do të jenë të entuziazmuara me këtë opcion, por do të befasohesha nëse në Këshillin e Sigurimit do ta kundërshtonin, për ta detyruar Perendimin që zgjidhjen ta gjejë duke tejkaluar organizatën botërore.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të mund të refleketohej pavarësia e Kosovës në skenën politike të Serbisë. Javën e kaluar lideri i Partisë Radikale Serbe, Tomislav Nikoliq, ka kërkuar nga Parlamenti i Serbisë që në rast të pavarësimit, të shpallë se Kosova është e okupuar?

CHARLES KUPCHAN
Nuk është befasi që një politikan i Partisë Radikale Serbe jep deklarata të tilla, ashtu si nuk do të jetë befasi nëse në rast të pavarësimit të Kosovës, kjo dhe parti tjera nacionaliste në Serbi të forcohen përmes potencimit të çështjes së teritorit dhe identitetit nacional. Do të ishte më mirë sikur debati në Serbi të ishte më përmbajtsor, duke përfshirë më shumë aspekte. Me sa dij unë, vetëm ish ministri i jashtëm Svilanoviq ka thënë se pavarësia e Kosovës nuk është opcioni më i keq. Duke pasur parasysh drejtimin e bisedimeve për statusin e Kosovës, do të ishte mirë që politikanët në Serbi hapur të flasin dhe të informojnë opinionin se pavarësia është opcion i mundshëm. Në të kundërtën, Serbia do të befasohet dhe kjo do të shkoi në favor të forcave nacionaliste.

Intervsitoi: D. SHTAVLJANIN

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG