Ndërlidhjet

BARROSO: BE-JA TË JETË E PËRGATITUR PËR MË TEPËR PËRGJEGJËSI NË KOSOVË


Augustin Palokaj, Bruksel

Kryetari i Komisionit Evropian Hose Manuel Barroso iu është bashkuar sot thirrjeve që Bashkimi Evropian të përgatitet për të marrë më shumë përgjegjësi në Kosovë, pasi diskutimet për statusin e ardhshëm të Kosovës kanë hyrë në fazën vendimtare. Barroso e ka thënë këtë sot duke folur në seancën plenare të Parlamentit Evropian. Hose Barroso ka përshëndetur dhe faktin se presidenca austriake e Bashkimit Evropian e ka vënë Ballkanin në prioritetet kryesore gjashtë muajt që vijnë. Që nga viti 2003 vendet e Ballkanit perëndimor kanë perspektivë evropiane. Ky proces është vendimtar për të siguruar paqe dhe stabilitet në tërë Evropën, ka thënë sot Barroso. Ai ka shtuar se Komisioni Evropian i kushton rëndësi të veçantë përcjelljes së kujdesshme të zhvillimeve në Ballkan, për çka dhe ka vendosur personalisht ta vizitojë këtë rajon në javët që vijnë. Duke folur për Kosovën Barroso ka thënë se Evropa po ashtu duhet të përgatitet për të marrë një përgjegjësi më të madhe në Kosovë. Në kohën kur diskutimet për statusin e ardhshëm të Kosovës kanë hyrë në fazën kritike, BE-ja duhet të dëshmojë se është në gjendje që të japë kontribut konkret në zgjidhjen e një çështjeje komplekse dhe delikate, ka thënë kryetari i Komisionit Evropian Hose Manuel Barroso. Edhe kancelari austriak Volfgang Shysel, vendi i të cilit ka presidencën e rradhës të BE-së, ka mbrojtur sot para deputetëve të Parlamentit Evropian nevojën për t'i siguruar Ballkanit perspektivën e integrimit në BE. Shysel ka thënë se procesi i zgjerimit, nëse bëhet me kujdes, mund të shndërrohet edhe në një përparësi ekonomike të Bashkimit Evropian. Mbështetja që kancelari austriak i bën procesit të zgjerimit, vjen në një kohë kur kjo temë nuk është aq e popullarizuar në vendet e Bashkimit Evropian, por Shysel ka thënë se vendet që aspirojnë në BE, duhet të plotësojnë të gjitha kriteret, ndërsa Bashkimi Evropian gjatë procesit të zgjerimit, duhet po ashtu të marrë parasysh kapacitetet absorbuese të tij.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG