Ky dokument nëntë-pikësh parasheh shfuqizimin e aktit të pavarësisë nga organet e Kosovës, duke e quajtur këtë akt si të dhunshëm. Në bazë të pikës tre, të gjithë qytetarët e Kosovës që njohin Serbinë janë qytetarë të saj dhe kanë të drejtë të mos njohin pavarësinë. Kurse pika gjashtë e këtij dokumenti shfuqizon po ashtu të gjitha vendimet e Bashkimit Evropian lidhur me Kosovën.
Kryeministri Vojisllav Koshtunica, në konferencën për media të Qeverisë së Serbisë, ka ftuar serbët të rrinë në Kosovë.
"Edhe njëherë dhe pa menduar, Qeveria u bën thirrje të gjithë serbëve në Kosovë të rrinë dhe të jetojnë. Ky dokument u garanton që Qeveria e Serbisë do të bëjë githçka që këto kushte, në të cilat jetojnë, të jenë normale. Normalisht do të ndajmë buxhet të veçantë. Qeveria do të bëjë po ashtu gjithçka që në Kosovë, si pjesë përbërëse e Serbisë, të zgjerojë praninë e saj, të forcohet dhe jetën e të gjithë qytetarëve lojalë ta bëjë të mundur më së miri", ka theksuar Koshtunica para gazetarëve.
Megjithatë, analistët serbë mendojnë se nuk është aq me rëndësi që Serbia nuk do ta njohë Kosovën. Sipas Dushan Janjiqit, drejtues i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike, gjeneratat e reja do ta njohin Kosovën.
"Ky akt është një reagim normal i Beogradit dhe sigurisht që me këtë bllokohet në një afat më të gjatë njohja e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Sikur ta kishte njohur Serbia, do të ishte gjë e kryer. Pra, siç duket, me këtë potez, Koshtunica dhe Tadiq kanë krijuar një obligim për gjeneratat e reja që do ta njohin Kosovën në marrëdhëniet bilaterale dhe kjo është e mundur mbase dikur në Bashkimin Evropian, kur të jenë ndërruar gjeneratat. Por, duhet llogaritur se kjo bllokadë do të zgjasë. Duhet llogaritur edhe se për arsye të brendshme shumë gjenerata nuk do ta njohin Kosovën. Pra, fillimisht, mund të priten 40 shtete", thekson Janjiq.
Ndërkaq, Jellena Milliq, nga Qendra për Studime Euro-Atlantike, thotë se njohja nga Serbia nuk është më e rëndësishmja në këto momente.
"Kjo nuk është çështja kryesore. Por, çfarë fitohet apo humbet me njërin apo potezin tjetër? Derisa është një mosnjohje formale dhe nuk sjell probleme, kriza dhe gjëra të tjera, nuk është problem aq tragjik. Nuk e di se çfarë do të mund të bënte çdo shtet sikurse t'i ndodhte një gje e ngjashme. Por, në një kohë tjetër do të vendosen gjërat në vendin e tyre", mendon Milliq.
Ndërkaq Stevan Nikshiq, analist i javores NIN, thotë se në fund, Serbia do të ketë më së shumti dëme nga të gjitha vendimet e saj.
"Ky është një demonstrim i qëndrimit politik. Për Beogradin është me rëndësi që të tregojë në opinionin lokal se nuk pajtohet me tërë atë që po ndodh. Megjithatë, është më e rëndësishmja që të gjitha këto do të përfundojnë në kuadër të reagimeve diplomatike. Mendoj se as Moska, e as Beogradi nuk mund të ndërrojnë shtegun e zhvillimit të ngjarjeve", thekson Nikshiq.