Ndërlidhjet

Frika nga embargoja ekonomike?



Në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga institucionet vendore, disa nga qytetarët kosovarë kanë filluar të furnizohen me produktet kryesore ushqimore. Disa nga ta thonë se kanë marrë rezerva prej frikës se mund të ketë bllokadë ekonomike, ndërkaq pjesa tjetër për shkak të frikës se pas zgjidhjes së statusit do të ketë shtrenjtim të produkteve të përditshme. Por, ka edhe të atillë që nuk e shohin të arsyeshme grumbullimin e artikujve ushqimorë.

Sulltan Tahiri, nga qyteti i Mitrovicës, edhe pse me padurim pret shpalljen e pavarësisë, ai frikësohet se do të mund të ndodhë ndonjë bllokadë ekonomike dhe për këtë arsye ai tashmë është përgatitur me të gjithë artikujt ushqimorë. Me gjithë kushtet e vështira ekonomike, Tahiri ka arritur t'i blejë 500 kg miell dhe 80 litra vaj. “Kam marrë rezerva, miell, vaj. Nuk dihet si po vjen puna. I kam blerë 500 kg miell dhe katër pako vaj, që kanë nga 20 litra”, thotë Tahiri.

Një qytetar tjetër nga Prishtina, Ragip Rrahmani, thotë se përveç produkteve kryesore, ai ka marrë më shumë artikuj festivë. Megjithatë, edhe pse Rrahmani ka blerë miell dhe vaj rezervë, ai thotë se i ka blerë nga frika e ngritjes së çmimit. “Ushqim si zakonisht, pije ëmbëlsira, miell, vaj... Kemi marrë se po thonë që po shtrenjtohet mielli”, pohon Rrahmani.

Por, disa qytetarë tjerë nuk e shohin të arsyeshme grumbullimin e produkteve ushqimore. Riza Graiçevci thotë se as që ka menduar të marrë artikuj rezervë, pasi, shton ai, pas shpalljes së pavarësisë, pret vetëm ditë më të mira, si në aspektin politik, po ashtu edhe në atë ekonomik. “Unë besoj dhe jam shumë i sigurt se kjo nuk ka nevojë, se ky panik nuk është i mirë, nuk është i shëndoshë, sepse pavarësia nuk është diçka që krijon skamje, por pavarësia është një akt shtetëror, një akt i popullit, i cili sjell gëzim e nuk njeh kurrfarë telashesh tjera”, shprehet Graiçevci.

As Tefik Krasniqi nuk beson se do të ketë ndonjë embargo ekonomike, ashtu siç është kërcënuar Serbia. Dhe, për këtë arsye, ai thotë se përveç artikujve festivë që do t'i blejë për të festuar, sipas tij, ditën e shumëpritur të pavarësisë, nuk do të furnizohet me gjëra rezervë. “Nuk besoj se do të ketë ndonjë emergjencë të madhe, sepse Kosova është e zonja edhe në qoftë se Serbia mendon t'i bëjë bllokadë asaj. Nuk do të mundet, sepse kosovarët janë të aftë të bëjnë tregti me vendet tjera të rajonit. Ne mundemi të furnizohemi edhe nga Shqipëria dhe të gjitha anët i kemi të lira”, thotë Krasniqi.

Ndryshe, edhe disa pronarë të dyqaneve pohojnë se tashmë po vërehet një interesim më i madh i qytetarëve për të blerë artikuj ushqimorë, por jo në masë të madhe. Mehmet Bajrami, pronar i dyqanit ushqimor 'Drini-Market', në qendër të Prishtinës, pohon se dyqanin e tij e ka furnizuar me të gjithë artikujt e nevojshëm. “Shihet një fluks jo i madh; sigurisht presin ditët e fundit. Kështu që ndonjë rritje e madhe në shitje nuk vërehet. I kemi të gjithë artikujt e përditshëm, por edhe për festa të zakonshme; megjithëse, kjo nuk është e zakonshme, por është festë e shekullit”, tha Bajrami.

Edhe pronari i dyqanit 'Dragstor', Blerim Zylfiu, thotë se është furnizuar me të gjithë artikujt, por ai thotë se më rëndësi i ka kushtuar artikujve festivë, siç janë lloje të ndryshme të pijeve. Ndërkaq, sa i përket çështjes se grumbullimit të artikujve kryesorë nga qytetarët, ai thotë se kjo vërehet në një në masë të vogël. "...përveç gjërave elementare sa për dy ditë, jo më tepër. Do të thotë, për të mos humbur kohë pas gjërave ushqimore, por për të festuar se e kemi pritur shumë”, u shpreh Zylfiu.

Në anën tjetër, ekspertë të ekonomisë pohojnë se qytetarët kosovarë nuk kanë nevojë të shqetësohen për gjëra të tilla. Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se furnizimi me artikuj rezervë është vetëm panik i panevojshëm i qytetarëve. “Është folur për bllokadën eventuale të Serbisë me produkte ushqimore ndaj Kosovës, mirëpo kjo frikë është e papranueshme, sepse rrugët, tregjet dhe kanalet për furnizim me mallra të tilla janë të hapura”, pohon Keqa.

Qeveria e Serbisë, kohë më parë, është kërcënuar me embargo ekonomike, në rast të pavarësisë së Kosovës, edhe pse, sipas ekspertëve kosovarë të ekonomisë, gjasat për zbatimin e kësaj embargoje janë shumë të vogla, për shkak se nga një veprim i tillë dëmtohet më shumë vetë Serbia sesa Kosova.


XS
SM
MD
LG