Ndërlidhjet

PRISHTINA KONSIDERON SE REZOLUTA E KËSHILLIT TË EVROPËS NUK KA PESHË NË STATUSIN


Zijadin Gashi

Deputetë të Parlamentit të Kosovës vlerësojnë se koha e bisedimeve dhe imponimeve për statusin e Kosovës ka kaluar, siç kërkohet në Rezolutën e miratuar mbrëmë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Deputetët kosovarë e çmojnë rolin e Këshillit të Evropës, pavarësisht se rezolutat e tilla nuk kanë një karakter imponues. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ramë Buja, thotë se çdo thirrje për vazhdim negociatash nuk çon më peshë, pasi që procesi është në ditët e finalizimit me shpalljen e pavarësisë. “Rezoluta e Këshillit të Evropës ka një kuptim dhe ai kuptim i saj është i përgjysmuar për vetë faktin e disa pikave që nuk janë shumë sqaruese dhe bile janë më shumë që turbullojnë në vazhdimësinë e punës dhe të angazhimit për Kosovën. Unë besoj që e thëna se do të vazhdojnë bisedimet, nuk ka peshë më, sepse gjithçka po shkon në drejtim të asaj që tanimë statusi i Kosovës të përmbyllet dhe të mos ketë më nevojë për rezoluta të këtij apo një niveli tjetër”, tha Buja. Për dallim nga Këshilli i Evropës me seli në Strasburg, në anën tjetër Bashkimi Evropian, sipas deputetit nga grupi më i madh parlamentar në Kuvend, Ramë Buja, tashmë ka dhënë sinjale të qarta se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet dhe atë shumë shpejt. Ai beson se Kosova do ta ketë mbështetjen e pjesës më të madhe të vendeve anëtare të BE-së për pavarësinë e saj. “Unë nuk besoj që do të ndodhë ai unifikim që ne e dëshirojmë, që Bashkimi Evropian të pranojë si tërësi pavarësinë e Kosovës, por ne jemi shumë të sigurt që 23 apo 24 vende të Bashkimit Evropian do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, besoj shumë shpejt nga dita dhe data e shpalljes. Dhe, pastaj, besoj edhe këto 2-4 vende të mbetura, më vonë do ta bëjnë një hap të tillë dhe gjithçka do të shkojë në rregull. Unë besoj se nuk është pengesë dhe nuk është diçka që duhet të na shqetësojë”, vlerëson Buja. Jo vetëm për kah pesha e vendimeve, por edhe vetë përbërja e Këshillit të Evropës dallon nga Bashkimi Evropian, pasi që aty bëjnë pjesë edhe Rusia e Serbia, thotë ndërkohë shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini. Andaj, ai thotë se në Këshillin e Evropës nuk mund të ketë një qëndrim unik për pavarësinë e Kosovës. “Ne nuk kemi iluzione se të gjitha shtetet e Evropës do ta mbështesin fillimisht pavarësinë e Kosovës. Ne e dimë se Serbia, Rusia e disa vende tjera, të cilat nuk janë në Bashkimin Evropian, por që marrin pjesë në Këshillin e Evropës, nuk e mbështesin një gjë të tillë dhe ka qenë e pritshme se do të gjendet një gjuhë e kompromisit”, tha Gjini. Edhe deputeti nga blloku opozitar, Ardian Gjini, beson se me shpalljen e pavarësisë, që, sipas tij, pritet të ndodhë shumë shpejt, Kosova do të njihet si shtet i pavarur nga shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Kështu që, sipas tij, më nuk mund të thuhet se Evropa ka qëndrime të luhatshme për të ardhmen e Kosovës. “Në Bashkimin Evropian, shumica dërrmuese e vendeve anëtare e mbështesin pavarësinë e Kosovës në bazë të planit të Ahtisaarit. Ne me siguri se në Kosovë shumë shpejt do të jemi gati që ta shpallim pavarësinë në bazë të këtij plani dhe më pas do të pasojë njohja, definitivisht jo nga të gjitha vendet përnjëherë, por shumica e vendeve të botës do ta njohin këtë pavarësi”, thotë Gjini. Ndërkohë, Oliver Ivanoviq, nga Lista Serbe, thotë se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka dalë me një rezolutë mjaft racionale, duke mbështetur sidomos vazhdimin e negociatave për statusin e Kosovës. Ai vlerëson se Këshilli i Evropës është i vetëdijshëm se Kosova nuk ka të drejtë në shpalljen e njëanshme të pavarësisë, andaj kërkon zgjidhje kompromisi. “Bashkësitë etnike nuk kanë të drejtë në ndarje dhe kjo nuk ekziston askund në botë”, thotë Ivanoviq, duke iu referuar ambicieve të Kosovës që ta deklarojë pavarësinë si shtet i pavarur. Ndryshe, Rezoluta e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Evropës kërkon nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara që të imponohet zgjidhja për Kosovën, duke pasur parasysh se mundësitë për kompromis mes Prishtinës e Beogradit janë shterur. Statusi i pazgjidhur i Kosovës konsiderohet se ndikon në jostabilitetin e rajonit, andaj edhe kërkohet që të gjendet zgjidhja sa më e shpejtë. Përderisa sponsoruesi i Rezolutës, Lordi Rusell Johnston, i cili ka vizituar disa herë Kosovën, në fjalën e tij ka shprehur mbështetjen për planin e Ahtisaarit. Sidoqoftë, teksti i miratuar i rezolutës, sipas zyrtarëve kosovarë, ishte një tekst kompromisi dhe dallon nga prezantimet që Lordi Johnston ka bërë në Prishtinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG