Ndërlidhjet

1244-SHI OFRON BAZË LIGJORE PËR MISIONIN E BE-SË


Arton Konushevci

Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit ofron një bazë të mjaftueshme ligjore për vendosjen e një misioni të ri të Bashkimit Evropian në Kosovë, thonë profesorë të së drejtës ndërkombëtare në Kosovë. Por, ambasadori rus në OKB,Vitali Curkin, ka thënë se një vendim i tillë duhet ta marrë bekimin e Këshillit të Sigurimit. Qerim Qerimi, ligjërues i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se nëse shikohet me kujdes rezoluta me të cilën aktualisht veprohet në Kosovë, kuptohet se është e mundshme që misioni i BE-së mund të vendoset edhe pa miratimin e Këshillit të Sigurimit. “Ka një rezolutë të Këshillit të Sigurimit që është në fuqi dhe që nga një lexim i kujdesshëm ofrohet baza ligjore për këtë lloj misioni të ri. Për shembull, nëse i lexojmë nenet përkatëse të Rezolutës 1244, atëherë do të shohim se është shumë e mundshme që një prani e BE-së të vendoset edhe pa një rezolutë të re. Pika gjashtë e Rezolutës 1244 thotë se Këshilli i Sigurimit i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm, që në konsultim me KS-në, të caktojë një përfaqësues të posaçëm për ta kontrolluar implementimin e pranisë civile ndërkombëtare”, tha Qerimi. Ai ka shtuar më tej se pika dhjetë e Rezolutës 1244 e autorizon Sekretarin e Përgjithshëm, që me ndihmën e organizatave përkatëse ndërkombëtare, të vendosë një prani ndërkombëtare civile. “Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e ka autoritetin sipas Rezolutës 1244 që të vendosë për praninë civile ndërkombëtare dhe ai me këtë rast do të mund ta ftonte Bashkimin Evropian që të merrte udhëheqjen e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë”, theksoi Qerimi. Edhe Iliriana Islami, profesoreshë e së drejtës ndërkombëtare publike në Fakultetin Juridik të Prishtinës, mendon se Bashkimi Evropian tashmë është i përgatitur për një mision në Kosovë dhe, sipas saj, BE-ja ka të drejtën të marrë vendime të tilla. “Sigurisht që Bashkësia Evropiane ka të drejtë që vetë të vendosë me vetë shtetet në kuadër të BE-së, të vendosë për çështjen në Kosovë, se si duhet të veprohet, meqenëse është e përgatitur që duhet të vendosë një mision të vetin në Kosovë. Prandaj, unë nuk do të kisha konsideruar se është i domosdoshëm një vendim në kuadër të Këshillit të Sigurimit, që të vendoset misioni i BE-së në Kosovë”, tha Islami. Ajo shtoi se e drejta ndërkombëtare nuk zhvillohet vetëm në nivel ndërkombëtar, por edhe në atë regjional. “Sa i përket misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, duhet të potencojmë se e drejta ndërkombëtare nuk krijohet vetëm në nivel universal, në kuadër të OKB-së; ajo krijohet edhe në nivele regjionale, si në rastin tani të Evropës. Disa çështje, të cilat janë imediate, të cilat nuk mund të zgjidhen në nivelin universal në nivel të Kombeve të Bashkuara, ekziston mundësia që me marrëveshje në mes të shteteve, në këtë rast të shteteve të Bashkësisë Evropiane, të krijohen dhe të zhvillohen në frymën që e kërkojnë vetë ato shtete, pra në këtë rast BE-ja”, u shpreh Islami. Sido që të jetë, profesorët e së drejtës ndërkombëtare në Kosovë kanë thënë se tash për tash shihet një vendosmëri e shumicës së shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, për vendosjen e një misioni të ri në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG