Ndërlidhjet

QYTETARËT MIDIS PRITJEVE PËR NDRYSHIME DHE DETYRIMIT MORAL


Nadie Ahmeti

Qytetarë të shumtë, të cilët kanë dalë të votojnë në qendra të votimit, kanë vlerësime të ndryshme mbi çështjen nëse votat e tyre do të sjellin ndryshime pozitive për të ardhmen. Megjithatë, Emel Hajdini, e cila për herë të parë ka votuar, thotë se është kënaqësi dhe një ndjenjë e mirë të votosh. Ajo madje shpreson se do të ketë ndryshime pozitive në mandatin e ardhshëm qeverisës. “Jam votuese për herë të parë, ndjenjë e mirë. Shpresoj se moshatarët e mi dhe votuesit e parë do ta ndjekin rrugën e drejtë. Ndoshta, ne, si votues të rinj, kemi marrë këmbën e djathtë dhe shpresoj ta çojmë vendin përpara. Shpresa thonë se vdes e fundit dhe për ne ka shpresë se në të ardhmen do të bëhet diçka më mirë, për ne të rinjtë dhe për të gjithë popullin e Kosovës”, thotë Hajdini. Bekim Sekiraça është optimist se pas zgjedhjeve të sotme do të ketë ndryshime pozitive në aspektin ekonomik. “Po, gjithsesi, po të mos ishte optimizmi, ne nuk do të dilnim në zgjedhje. Me vetë faktin se liderët e partive politike më shumë i kanë dhënë rëndësi zhvillimit ekonomik dhe nuk janë ato frazat e mëparshme që kemi dëgjuar, mendojmë se në të ardhmen partitë politike do të jenë të orientuara nga ajo që t’i ofrojnë më shumë popullatës”, pohon Sekiraça. Ndërkaq, Dashurie Aliu thotë se zgjedhjet e sivjetme janë vendimtare për popullin e Kosovës, pasi, shton ajo, pas këtyre zgjedhjeve do të zgjidhet edhe çështja e statusit përfundimtar të Kosovës. “Shpresoj shumë se janë për të mirën e Kosovës dhe çdo qytetar është i obliguar të votojë. Shpresoj shumë se statusi i Kosovës do të vendoset dhe çdo qytetar do ta gjejë veten e vet. Besoj se do të ketë punë, rrymë dhe të gjitha pas zgjedhjeve”, u shpreh Aliu. Se ndryshime pozitive do të ketë në të gjitha aspektet pas zgjedhjeve të sotme, mendon edhe Ahmet Sekiraça. “Duke filluar prej rregullimit të jetës së qytetarëve, zhvillimit ekonomik, punësimit, infrastrukturës dhe në të gjitha poret e jetës, mendoj se është koha e ndryshimeve. Në rend të parë, pres të arrihet pavarësia e Kosovës. Pavarësia e Kosovës sjell të gjitha të mirat që i meriton ky popull. Andaj, pres ditë më të mira për popullin e Kosovës”, thotë Sekiraça. Burim Tërnava beson se pas zgjedhjeve të sivjetme do të ketë përmirësim në uljen e shkallës së papunësisë. “Mendoj se do të ndryshojë, do të zvogëlohet shkalla e papunësisë, do të ulët niveli i varfërisë. Diçka prej premtimeve do të realizohen, kurse të gjitha nuk besoj“, thotë Tërnava. Kërkesat dhe nevojat e qytetarëve do të realizohen pas zgjedhjeve të përgjithshme që po mbahen sot në Kosovë, pohon Selvete Cakolli. “Pres një ardhmëri më të mirë, të stabilizohen rrugët. Pres që të përmbushen dëshirat që ka populli”, shprehet ajo. Edhe Nazmi Mengjiçi beson se pas zgjedhjeve, gjendja në Kosovë do të ndryshojë. “Pres ndryshim radikal, se duhet votuar për ndryshime. Pres të rregullohet infrastruktura, sepse është katastrofë, siguria dhe ndryshime në të gjitha aspektet tjera”, thotë Mengjiçi. Ndërkaq, Besnik Mustafa, pas zgjedhjeve të sotme, pret përgjegjësi më të madhe nga të zgjedhurit e rinj në Kuvendin e Kosovës. “Prej partive, pres që të bëjnë më shumë për të rinjtë, pres që të hapen vende të reja të punës, sepse nuk ka”, tha Mustafa. Arben Neziraj pret përmirësim të pozitës së të rinjve. “Pres të bëhet më mirë, konkretisht për ne, rininë. Shkalla e punësimit të përmirësohet dhe niveli i arsimit”, thotë Neziraj. Sali Cakolli, edhe pse nuk pret asnjë ndryshim nga zgjedhjet, megjithatë ka hedhur votën e tij. “Nuk pres asgjë, por e kemi obligim moral të japim votën e lirë, se, përndryshe, nuk pres asgjë prej asnjërit. Jemi zhgënjyer që sa vite, por e kemi obligim moral që të dalim të votojmë”, tha Cakolli. Edhe Fehmi Gjakaj thotë se nuk pret ndonjë përmirësim edhe pas hedhjes së votës. “Jo, nuk pres përmirësim, veç dola ta kryej obligimin“, tha ai. Ndryshime do të ketë, por jo siç kanë premtuar partitë politike gjatë fushatës zgjedhore, thotë Mehdi Jashari. “Ndryshime duhet të ketë patjetër, por jo në atë mënyrën rrënjësore. Rritje të punësimit do të ketë në mënyrë graduale, ndërkaq menjëherë jo, se nuk janë kushtet”, thotë Jashari.

XS
SM
MD
LG