Ndërlidhjet

AHTISAARI NUK I NDRYSHON PLANET - VIZITON BEOGRADIN DHE PRISHTINËN MË 2 SHKURT


Arbana Vidishiqi

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin, Martti Ahtisaari, nuk i ka ndyshuar planet për të vizituar Prishtinën dhe Beogradin më 2 shkurt, ka konfirmuar zëdhënësi i zotit Ahtisaari, Remi Dourlot. Komentet e tij pasojnë njoftimet që kanë ardhur nga zyrtarë të lartë në Beograd, përfshirë këtu edhe kryeministrin Vojisllav Koshtunica, se nuk do ta pranojnë zotin Ahtisaari deri në formimin e Qeverisë së re serbe. “Deri më sot dhe deri në këto çaste kur jemi duke biseduar, zoti Ahtisaari planifikon të shkojë në Beograd dhe në Prishtinë, siç është paralajmëruar edhe më herët, më datën 2 shkurt për t’ua dorëzouar propozimin për statusin të dyja palëve”, tha zoti Dourlot. Duke i komentuar njoftimet, por dhe kritikat që vazhdojnë të vijnë nga Beogradi zyrtar se zoti Ahtisaari duhet fillimisht të presë krijimin e Qeverisë së re në Serbi për ta publikuar pastaj propozimin e tij, zoti Dourlot thotë se afati për publikimin e propozimit është qartësuar kohë më parë. “Ne kurrë nuk e kemi thënë se do të presim formimin e Qeverisë së re, kemi qenë jashtëzakonisht të qartë gjatë muajit nëntor kur kemi thënë se propozimin do ta publikojmë menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi”, tha zoti Dourlot, duke nënvizuar se ky qëndrim i zotit Ahtisaari mbetet i pandryshueshëm. Por, sa do të mund të ndikojë një qëndrim i këtillë i Beogradit në ndërlikimin e procesit të mëtutjeshëm në përcaktimin e statusit? Zoti Dourlot thotë se negociatorët ndërkombëtarë janë të gatshëm t’i pranojnë komentet dhe reagimet e të dyja palëve dhe të japin sqarime nëse një gjë e këtillë kërkohet prej tyre. “Nuk presim ndërlikime specifike, ne do të jemi të angazhuar me të dyja palët dhe shpresojmë se edhe ato do të angazhohen me ne pas datës 2 shkurt”, tha zoti Dourlot. Ai gjithashtu tha se edhe çështja e bisedimeve të mëtutjeshme midis Prishtinës dhe Beogradit, varet nga komentet dhe reagimet që do të pasojnë 2 shkurtin. “Megjithatë, ne jemi të hapur dhe të gatshëm për të biseduar me të dyja palët dhe nëse ato pajtohen që të bisedojnë me njëra tjetrën, ne padyshim do ta mundësojmë një gjë të këtillë”, tha zëdhënësi i zotit Ahtisaari, duke nënvizuar në fund se duhet pritur fillimisht zhvillimet që do të pasojnë datën 2 shkurt.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG