Ndërlidhjet

Dialogu (s')ka lidhje me integrimin


BE
BE
Një pjesë e shoqërisë civile ka prezantuar një platformë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, përmes procesit integrues në BE. Kjo, sipas shoqërisë civile, do të bëhej me ndihmën e dialogut, i cili do t’i ndihmonte të dyja palët të afroheshin kah BE-ja. Por, diplomatët evropianë, integrimin dhe dialogun i shohin si dy procese të ndara.


Një pjesë e shoqërisë civile, e grumbulluar rreth Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, ka prezantuar një platformë, sipas së cilës çelësi i suksesit për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi gjendet në Bashkimin Evropian.

Luan Shllaku, nga KFOS-i, mendon se kosovarët duhet ta shfrytëzojnë këtë kohë të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për t’u afruar me BE-në.

Shllaku, në një debat në Qendrën Mediale në Çagllavicë, tha se fokusi fillimisht duhet të jetë te liberalizimi i vizave si dhe të lidhja e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në.

“Kosova në këtë moment është në atë pikë ku akoma nuk ka filluar asnjë proces integrues. Në këtë moment kemi menduar se mund të përdoret dialogu, apo pala e tretë në dialog, e cila është negociuese, por jo vetëm si negociuese, por edhe stimuluese e negociatave Kosovë-Serbi”.

“Kemi menduar se është një pozicion, ku të dyja palët, edhe Serbia, edhe Kosova, mund të përfitojnë, duke avancuar pozicionet e tyre në këtë rrugëtim, e posaçërisht Kosova, e cila të paktën në 6 muajt e fundit, përkundër premtimeve që iu dhanë vitin e kaluar, ka vendqëndruar, ka mbetur në një vakuum, nga i cili assesi nuk mund të dalë”,
tha Shllaku.

Kosova dhe Serbia synojnë integrimin në BE. Para dialogut thuhej se Serbisë i është ofruar statusi i kandidatit, po qe se pranonte të hynte ne dialog me Kosovën. Por, synimi i përbashkët - integrimi në BE - për zëvendëskryeministrin Sllobodan Petroviq nuk paraqet një garanci, se raportet do të përmirësohen mes dy vendeve.

Kryenegociatorët e dialogut: Borko Stefanoviq dhe Edita Tahiri
Kishim thirrjen e mëhershme të ministrit për Kosovën, Bogdanoviq, i cili kërkoi nga serbët që të bojkotojnë regjistrimin, edhe pse ky proces është i financuar nga Komisioni Evropian. Kjo nuk i përket rrugës evropiane. Natyrisht se kjo e vështirëson integrimin e mëtejmë dhe zgjidhjen e problemeve teknike mes palëve”.

“Si do të nisim rrugën evropiane kur nuk e dimë se sa jemi dhe sa duhet të kthehen? Mendoj se nuk mund të thoni se brengoseni për popullin, e ai popull për shkak tuajin dhe politikës suaj paguan dy tabela regjistrimi, dy lloje tatimesh”,
u shpreh Petroviq.

Në anën tjetër, ambasadori francez, Zhan Fransoa Fitou, hodhi poshtë idenë e ndonjë bashkëveprimi të dialogut dhe integrimit në BE.

Nuk duhet ngatërruar dialogun me çështje të mëdha. Nuk është çështje e madhe. Ai ka për qëllim që të përmirësojë jetën e qytetarëve të rëndomtë si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi. Dialogu nuk është këtu për të zgjidhur të gjitha problemet politike, apo ta vë Kosovën në qendër të hartës evropiane. Kjo do të bëhet me përpjekjet vetanake të Kosovës. Dialogu është çështje e vogël, e kufizuar në masë dhe kohë”, tha ambasadori Fitou.

Fitou mohoi se Serbisë i është ofruar më tepër nga BE-ja, për shkak se ka pranuar të bisedojë me Kosovën, ndërsa Kosova s’ka përfituar asgjë, meqë ende nuk njihet nga 5 vendet evropiane.

“Dialogu nuk është pjesë e integrimit evropian. Është diçka për të cilin BE-ja është angazhuar si ndërmjetëse. BE-ja po e ndërmjetëson dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Nëse ky nuk është hapi i parë drejt njohjes, unë pyes veten se cili qenka?! BE-ja po u thotë të gjitha shteteve në rajon se e kanë vendin brenda BE-së”.

“Ka shumë probleme sa i përket njohjes dhe procesit të afrimit. Por, mos t’i bëjmë njerëzit të mendojnë se BE-ja është e njëanshme karshi Kosovës apo karshi Serbisë”,
tha Fitou.

Shoqëria civile ka bërë thirrje që Kosovës t’i mundësohet vetëm të hyjë në garë për në BE dhe të mos fitojë asgjë pa meritë.

Në të vërtetë, Kosova ka mbetur i vetmi vend në rajon që nuk është përfshirë ne regjimin e lirë të vizave në BE. Po ashtu, vetëm Kosova ende nuk e ka marrë udhërrëfyesin nga BE-ja, i cili përcakton detyrat që vendi duhet t’i kryejë para anëtarësimit në Union.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG