Ndërlidhjet

Ndërpritet regjistrimi


Shkup
Shkup
Procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoni është ndërprerë, pasi të gjithë anëtarët shqiptarë dhe ata maqedonas të Komisionit Shtetëror për Regjistrim (KSHR), në orët e hershme të mëngjesit, kanë dhënë dorëheqje, pas konstatimit të dështimit të këtij procesi.

Anëtari i KSHR-së, Artan Grubi, bën të ditur se dorëheqja vjen pas problemeve të shumta në terren dhe keqinterpretimit të Ligjit për regjistrim, në veçanti nga anëtarët maqedonas të Komisionit dhe regjistruesit në terren.

“Anëtarët e KSHR-së nuk arritën të gjejnë një gjuhë të përbashkët rreth zbatimit të Ligjit për regjistrim në terren - gjë që u reflektua te të gjithë regjistruesit, te të gjithë instruktorët rajonalë dhe shtetërorë. Kjo ishte ajo që e vështirësoi procesin e regjistrimit në bazë në terren”.

“Andaj ne, mbrëmë, vlerësuam se nuk kishim mundësi që ta zbatojmë procesin e regjistrimit në përpikëri me ligjin, sepse ai interpretohej në mënyra të ndryshme, dhe vendosëm se duhet në mënyrë kolektive t’i dorëzojmë dorëheqjen qeverisë”,
thotë Grubi.

Dorëheqja kolektive e anëtarëve të KSHR-së vjen pas informacionit të djeshëm të anëtarëve shqiptarë pranë këtij trupi, se në tetë ditët e para të realizimit të regjistrimit ishte arritur të regjistrohej vetëm një e katërta e popullsisë.

Në rajonin e Tetovës, të banuar me shqiptarë, ishte regjistruar vetëm 3.6 për qind e qytetarëve. Për këtë arsye, anëtarët shqiptarë të KSHR-së mbrëmë kërkuan shtyrjen e afatit, por kërkesa ishte refuzuar nga anëtarët maqedonas të Komisionit.

Drejtoresha e Entit Shtetëror të Statistikave, Bllagica Novkovska, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas dorëheqjes së mbrëmshme, të gjithë anëtarëve të KSHR-së u janë ndërprerë të gjitha aktivitetet rreth procesit të regjistrimit.

“Tani për tani, janë ndërprerë të gjitha aktivitetet rreth procesit të regjistrimit; të gjithë regjistruesit i kanë ndërprerë të gjitha aktivitetet në terren për regjistrimin e 2011-ës”.

“Ne, si Ent Shtetëror i Statistikave, do të marrim vendim se si të veprohet dhe në ç`mënyrë të mblidhet materiali, i cili është i shpërndarë në terren, gjersa presim vendimin e qeverisë rreth kësaj çështjeje”
, thotë Novkovska.

Por, Artan Grubi vlerëson se për ripërtëritjen e procesit në fjalë, gjasat janë pothuajse inegzistente. Sipas tij, ky proces mund të konstatohet përfundimisht i mbyllur.

“Unë besoj se duhet të fillohet një proces i ri, rishqyrtimi i Ligjit për regjistrim, si dhe rishqyrtimi i pozitave të komunitetit shqiptar dhe të komuniteteve tjera në Entin Shtetëror të Statistikave. Pra, ka shumë gjëra të tjera që duhet të bëhen në parapërgatitje të procesit të ri, ose realizimit të këtij procesi të regjistrimit që sapo e lamë”, shprehet Grubi.

Vendimi i KSHR-së pritet që sot të jetë temë kryesore në seancën jashtëzakonshme të qeverisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG