Ndërlidhjet

Plani drejt ekonomisë së tregut


Kryeministri Hashim Thaçi - foto arkiv
Kryeministri Hashim Thaçi - foto arkiv
Kosova nuk do të ndërtohet mbi parimet apo mentalitetin e së kaluarës të kooperativave bujqësore, por të ekonomisë së lirë të tregut dhe të konkurrencës së lirë, tha kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, para një grupi studentësh në Prishtinë. Opozita kosovare kritikoi ekzekutivin vendor për mungesë të politikave ekonomike, ndërsa vlerësoi se një plan i tillë nuk mund të realizohet vetëm me shitjen e pasurisë vendore.


Rritja ekonomike prej diku 7 për qind, privatizimi i aseteve publike, ulja e papunësisë deri në 10 për qind, kalimi nga ekonomia joformale në atë formale, zhvillimi i sektorit të arsimit dhe të tjera janë caktuar si prioritete të Qeverisë së Kosovës në kuadër të planit të zhvillimit ekonomik për periudhën 2011-2014.

Këtë e bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një ligjërate para studentëve të Universitetit AAB-Riinvest.

Thaçi tha se me një plan të tillë, Kosova do të ecë në drejtim të një shteti me ekonomi të lirë të tregut.
Kosova do të ndërtohet mbi parimet e ekonomisë së lirë të tregut, të konkurrencës së lirë të shtetit modern.

“Për shtetin e Kosovës nuk do të ketë kthim prapa, për shtetin e Kosovës nuk do të ndërtohet Kosova mbi parimet e së kaluarës, mentalitetin e së kaluarës apo të kooperativave bujqësore, por të ekonomisë së lirë të tregut, të konkurrencës së lirë të shtetit modern - pra, të një ekonomie të hapur dhe integruese”, tha Thaçi.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, u shpreh pesimist lidhur me mundësitë e zbatimit të një plani të tillë. Ai tha se ky plan nuk mund të bazohet vetëm në shitjen e aseteve vendore.

Ne e dimë se Kosova i ka disa pasuri, të cilat i mundësojnë vendit një zhvillim dinamik, mirëpo për t’u realizuar kjo, duhen një varg masash të politikave ekonomike, të cilat e krijojnë mundësinë për një zhvillim të tillë - e para, sundimi i rendit dhe i ligjit, pastaj krijimi i ambientit miqësor për bizneset dhe në veçanti tërheqja e investitorëve të jashtëm”, tha Shatri.

Kreu i ekzekutivit kosovar e cilësoi planin e hartuar javën e kaluar në Bullgari, si planin më të mirë që ka pasur Kosova deri më tani për zhvillim ekonomik, ndërsa shprehu bindjen se kritikat eventuale në të cilat do të hasë ai plan, do të kenë të bëjnë me mungesën e vizionit të kritikuesve.

Mungesa e një vizioni të tillë, sipas tij, ka shkaktuar një varg kritikash në kohën e nisjes së ndërtimit të autostradës Morinë-Merdarë.

Kryeministri kosovar tha se deri në fund të tetorit të këtij viti do të përmbyllen tri seksionet e para të kësaj autostrade, ndërsa për seksionin e katërt dhe të pestë, siç tha ai, do të nisin punimet këtë vit për të përfunduar në 2012-ën.

Thaçi foli dhe për planin e ardhshëm të ekzekutivit vendor që ka të bëjë me infrastrukturën rrugore.

“Tash do të fillojë së realizuari projekti Shkup-Ferizaj-Aeroport në drejtim të Mitrovicës, përmes procesit të partneritetit publiko-privat; do të vazhdojë në drejtim të Pejës dhe të Mitrovicës”, njoftoi ai.

Kryeministri Thaçi tha se qysh tani Kosova ka nisur të punojë në drejtim të përmirësimit të gjendjes ekonomike të vendit.

Si shembull për këtë, sipas tij, mund të merret rritja e pagave të punonjësve të sektorit publik. Thaçi shprehu bindjen se raportet e Qeverisë, të cilat ishin acaruar për shkak të këtij projekti me Fondin Monetar Ndërkombëtar, do të përmirësohen së shpejti.

“Diskutimet kanë shkuar në drejtim të duhur dhe jemi në një drejtim të angazhimeve, që çojnë drejt përputhjes së agjendës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Por, një gjë e ritheksoj përsëri: uroj të gjithë punëtorët që kanë marrë paga me rritje, kështu që nuk do të ketë kthim prapa”, theksoi Thaçi.

Ekspertët kanë tërhequr vërejtjen se për shkak të rritjes së pagave për sektorin publik, Kosova do të mund të rrezikojë qëndrueshmërinë buxhetore. Kjo qëndrueshmëri, sipas tyre, është e nevojshme për nxitjen e investitorëve të huaj në vend.

Dokumenti për buxhetin parasheh 1 miliard e 264 milionë euro të hyra buxhetore, ndërsa 1 miliard e 434 milionë euro shpenzime.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG