Ndërlidhjet

Ebadi: Goditje vdekjeprurëse


Shirin Ebadi
Shirin Ebadi
Në letrën e saj, fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Shirin Ebadi, e cilësoi si vdekjeprurëse goditjen e forcave të sigurimit në Iran kundër një proteste paqësore në Ahvaz, kryeqytet i provincës Khuzestan.

Tubimi i 15 prillit, për të cilin disa thoshin se ishte “Dita e zemërimit në Ahvaz”, kishte për qëllim protestën kundër asaj që pjesëmarrësit e përshkruanin si diskriminim dhe padrejtësi kundër arabëve etnikë, që përbëjnë 3% të popullatës në Iran.

Raportohet se protesta ishte ndihmuar nga rrjetet shoqërore në Internet, përfshirë edhe Facebook-un, nga grupet politike dhe të rinjtë, si brenda ashtu edhe jashtë Iranit, për të cilët thuhej se ishin inspiruar nga kryengritjet popullore në shtetet arabe.

Zyrtarët iranianë i kanë lavdëruar demonstratat në gjithë botën arabe, si një “zgjim islamik”, por vetë ata e kanë përdorur forcën kundër protestuesve iranianë, që kishin dalë në rrugë për të kërkuar demokraci dhe të drejta të njeriut.

Pra, forca ishte përgjigje e autoriteteve ndaj protestës më 15 prill në Ahvaz.


Mbi 12 të vrarë

Në letrën e saj dërguar shefes së OKB-së për të drejtat e njeriut, zonja Ebadi shkruan se mbi 12 veta janë vrarë në përleshje, 20 të tjerë janë plagosur, ndërsa ka pasur edhe të arrestuar.

Veprimtarët për të drejtat e njeriut i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ata kanë pranuar raporte se numri i të arrestuarve është mbi 150, përfshirë edhe një numër të intelektualëve, artistëve dhe veprimtarëve për të drejtat e grave.

Ata kanë thënë se provinca ishte shndërruar në “bazë ushtarake” nga forcat e sigurisë, të cilat u kishin tërhequr vërejtjen veprimtarëve që të mos flisnin me përfaqësues të mediave.

Shirin Ebadi ka kërkuar nga Kombet e Bashkuara që të bëjnë presion për lirimin e të arrestuarve, me qëllim që të evitohet kryengritja e gjerë në provincën Khuzestan.

Jusef Azizi Banitorof është një arab etnik i Iranit dhe e udhëheq grupin Qendra për luftimin e racizmit dhe diskriminimit kundër arabëve në Iran, me seli në Britani.

Ai i tha Radios Evropa e Lirë se organizuesit e protestës po kërkonin përfundim të diskriminimit racor, kulturor, ekonomik dhe politik.

“Ata po ashtu protestuan kundër diskriminimit në prill të vitit 2005, kur ata kishin dalë në rrugë për të protestuar kundër një letre të nënshkruar nga ish-zëvendëspresidenti i Iranit, Mohamed Ali Abtahi. Ata u kundërshtuan me forcë dhe 15 veta ishin vrarë. Ata tash dëshirojnë ta shënojnë atë ditë dhe po ashtu të kërkojnë të drejtat e tyre”, tha Banitorof.

Letra e përmendur, të cilën ish-zëvendëspresidenti iranian, Abtahi, e kishte përshkruar si të falsifikuar, bënte thirrje për zhvendosjen me forcë të popullatës lokale arabe dhe zëvendësimin me persianë.

Aktivisti Banitorof tha se ka dëgjuar raporte se dy njerëz janë vrarë në përleshjet ndërmjet demonstruesve dhe forcave të sigurisë më 14 prill.

Hamed Kanani, anëtar i një organizate për të drejtat e njeriut në Ahvaz, me seli në Londër, tha se disa gra dhe një 17-vjeçar ishin në mesin e të vrarëve.

Sipas tij, para fillimit të protestës së planifikuar, autoritetet u kishin dërguar mesazhe sms njerëzve në Ahvaz, duke u thënë që të mos dalin në rrugë. Aktivisti Kanani tha:

“Në Hamidieh, zyrtarët i kanë marrë 161 të rinj në Ministrinë e Inteligjencës dhe kanë kërkuar nga ta nënshkrimin e deklaratës, se ata nuk do të fotografojnë, nuk do të marrin pjesë në demonstratë, nuk do të raportojnë apo nuk do të bëjnë intervista me mediat dhe kanalet televizive, me seli jashtë Iranit”.

Në mediat shtetërore iraniane ka pasur shumë pak lajme për dhunën në Ahvaz. Ahmad Naseri, shef i policisë në Khuzestan, është cituar nga agjencia Fars të ketë thënë se një person është vrarë dhe një është plagosur në përleshjet në rajonin Shadegan. Ai i ka përshkruar këta të dy si “mashtrues të armatosur”.

Agjencia Fars ka raportuar se në një takim më 17 prill, anëtarët e Komitetit parlamentar për politikë të jashtme kanë diskutuar për “zhvillimet aktuale në Khuzestan”. Agjencia nuk ka dhënë më tepër detaje. (f.b.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG