Ndërlidhjet

Stuhia e Kroacisë


Në pritje të vendimit të Gjykatës së Hagës, Zagreb, 15 prill 2011.
Në pritje të vendimit të Gjykatës së Hagës, Zagreb, 15 prill 2011.
"Times"

Luftërat ballkanike të viteve ‘90 janë përshkuar me masakra më brutale të civilëve në historinë e pasluftës në Evropë. Pas një gjykimi trevjeçar në Tribunalin e Hagës, dy gjeneralë kroatë u dënuan javën e kaluar për krime lufte të kryera më 1995, por vendimet ishin të ndershme dhe të drejta.

Rëndësia e tyre duhet të pranohet nga liderët kroatë nëse vendi mëton që të integrohet tërësisht në familjen evropiane të shteteve.

Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç, komandantë ushtarakë, janë dënuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, me nga 24 vjet, përkatësisht 18 vjet burgim.

Gjeneralët kanë vënë në shënjestër civilë gjatë operacionit “Stuhia” [Oluja], një fushatë ushtarake për të rikthyer Krajinën e kontrolluar nga serbët. Pretendimet e prokurorëve, të pranuara nga gjykatësit, flasin për 324 serbë të vrarë gjatë këtij sulmi dhe 90,000 të dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Bombardimet e rajoneve civile ishin vrastare dhe monstruoze. Dorëzimi i ekzekutuesve te drejtësia ndërkombëtare ishte kërkesë minimale për liderët e Kroacisë.

Logjika e njëjtë vlen edhe për Serbinë; autoritetet e saj duhet ta burgosin dhe ekstradojnë gjeneralin Ratko Mlladiq, komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, të akuzuar për gjenocid në Srebrenicë dhe për krime të tjera.

Nëse nuk dëshmojnë seriozitet në këtë detyrim, atëherë aplikacioni i Serbisë për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian është i zbrazët. Çdo shtet që aspiron për të marrë pjesë në institucionet politike të Evropës, duhet t’i pranojë standardet evropiane të drejtësisë.

Por, edhe politikë-bërësit perëndimorë gjithashtu kanë një detyrim - duhet të pasqyrojnë me kritikë peshën e përgjegjësisë në historinë e re dhe të tmerrshme të Ballkanit.

Krimet janë kryer nga të gjitha anët dhe spastrimi etnik i popullatës civile ishte një ndërmarrje kriminale në secilin rast, por nuk mund të ketë një barazim të fajit.

Përgjegjësia më e madhe për zhbërjen e ish Jugosllavisë bie mbi Sllobodan Millosheviqin, i cili në cilësinë e presidentit serb, inicioi një fushatë ksenofobike dhe të përgjakshme për të themeluar “Serbinë e Madhe”. Për të arritur këtë qëllim pervers, ai nisi luftën në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe në Kosovë.

E gjithë kjo ka të bëjë më shumë sesa me një debat historik, duke qenë se ka ndikime direkte në politikën që bëhet sot. Nacionalistët serbë po bëjnë sërish përpjekje për të ndërtuar shtete të vogla etnike në Bosnjë dhe në Kosovë.

Është ky një biznes i papërfunduar dhe djallëzor i vetë Millosheviqit. Krimet e kryera kundër civilëve serbë në luftërat që ai nisi, nuk ofrojnë asnjë arsyetim. (a.v.)
XS
SM
MD
LG