Ndërlidhjet

Ndërrimet e paligjshme të vendeve të punës


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Ndërrimet e vendeve të punës në institucionet publike, nga disa punëtorë cilësohen si joligjore. Por, zyrtarë institucionesh mendojnë se këto ndërrime bëhen për shkak të reformës, si dhe funksionimit adekuat të institucionit përkatës.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, lëvizja e stafit nga një vend i punës në tjetrin, ka zgjuar reagime të shumta.

Besim Bajraktari, është njëri nga shërbyesit civil, i cili ndërrimin e
vendit të punës e cilëson si të kundërligjshëm.

“Unë nuk jam i kënaqur me ndërrimin e vendit të punës, është bërë shkelje ligjore për arsyen se nuk jam pyetur nëse dua ta ndërroj vendin e punës. Unë punoj qe 4 vjet në Minsitrinë e Shëndetësisë dhe më është ndërruar vendi i punës me vendimin e Sekretarit të përhershëm”,
thotë Bajraktari.

Sipas Bajraktarit, ankesa e tij drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, ka marrë përgjigje negative, e cila, siç thotë ai, ka qenë e pritur. Ai ka shkruar ankesë edhe në Këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës.

Ndërkaq, kryetari i këtij këshilli, Mehdi Geci, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Ligji për shërbimin civil e ka paraparë edhe mundësinë për transferimin e nëpunësve civilë në institucionin ku ata punojnë. Geci shpjegon se transferimi mund të jetë i përkohshëm apo i përhershëm.

Ai përmend disa raste të po kësaj ministrie, që kanë dërguar ankesa.

“Këshilli, duke u bazuar në Ligjin për shërbyesit civilë, në rregulloren për transferin, si dhe në faktet dhe provat, i ka refuzuar disa nga ankesat e punëtorëve në Ministrinë e Shëndetësisë si të pabaza. I kemi refuzuar, për arsye se nuk janë dëmtuar në pagë dhe në pozita dhe nuk mendoj se është shkelur ligji, sepse ligji është shumë i qartë shumë mirë i specifikon në mënyrë të detajuar transferet e nëpunësve civilë”,
shpjegon Geci.

Ndërkaq, sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj, thotë se ai ka autorizimet për të bërë lëvizjen e stafit dhe, siç thotë ai, nuk është shkelur ligji në asnjërin rast të këtyre transferimeve të stafit.

Kam ardhur në ministri dhe kam gjetur një gjendje të tillë në 10 vitet e fundit, një ministri jo funksionale dhe nuk është e gatshme të garantojë një përballje të suksesshme me reformën, e cila është proklamuar muajt e fundit në Ministrinë e Shëndetësisë. Dhe, në këtë situatë, hezitimi për të marrë vendime të ligjshme që i ka sekretari, do të ishte një dështim i punës sime personale", shprehet Tolaj.

Ndërkaq, zoti Geci thotë se me kujdes janë shqyrtuar gjitha ankesat dhe janë marrë vendime, siç thotë, ai të drejta.

“Vendimet e Këshillit janë vendime të prera dhe ky komision ka vlerësuar se nuk ka pasur shkelje”, thekson Geci.

Por, zoti Bajraktari mendon se janë bërë shkelje, pasi që, siç thotë ai, ndërrimi i vendit të punës nga një pozitë në tjetrën, është bërë pa arsye.

“Unë nuk kam marrë vërejtje asnjëherë, gjithçka ka qenë në rregull, po është marrë ky vendim që e cilësoj si të kundërligjshëm”,
shprehet Bajraktari.

Në anën tjetër, Tolaj thotë se ka raste në Ministrinë e Shëndetësisë në pozita të caktuara, të cilat, siç thotë ai, janë shkelur procedurat ligjore edhe gjatë ushtrimit të detyrës.

“Në disa procedura ka elemente të shkeljes ligjore, e që jam duke i hulumtuar. Të gjithë do t’u nënshtrohen procedurave të ligjshme, duke mos përjashtuar as ndjekjen nga organet e ndjekjes për veprimet e kundërligjshme, si masë fillestare që mendoj se është e pranueshme edhe për stafin, e që do të rezultojë me sukses”, deklaron Tolaj.
XS
SM
MD
LG