Ndërlidhjet

SHBA-Pakistan: Mospajtime në rritje në fushën e inteligjencës


Lahore - arkiv
Lahore - arkiv
Shefi i Drejtorisë së Shërbimeve të Inteligjencës së Pakistanit, Shuja Pasha, ka mbajtur takim në Uashington, në periudhën kur raportet flasin se Islamabadi po synon reduktim të madh të operativistëve amerikanë në Pakistan dhe ndaljen e sulmeve të aeroplanëve pa ekuipazh kundër militantëve.

Një zëdhënës i Agjencisë Amerikane CIA e ka karakterizuar takimin ndërmjet zotit Pasha dhe shefit të CIA-s, Leon Paneta, si “produktiv”.

Takimi katërorësh u bë pas një varg zhvillimesh aktuale, që i reflektojnë mospajtimet në rritje ndërmjet dy palëve, për mënyrën se si të lëvizet përpara kundër ekstremistëve islamikë në Pakistan dhe në Afganistanin fqinj.

Mediat raportojnë se Islamabadi po synon tërheqjen e më se 300 operativistëve amerikanë nga Pakistani.

Sipas së përditshmes Nju Jork Tajms, ky numër paraqet prej 25 - 40 % të forcave speciale operacionale të Shteteve të Bashkuara në Pakistan.

Ish-gjenerali ushtarak, Talat Masud, tash një analist i njohur pakistanez i çështjeve të mbrojtjes, thotë se arrestimi dhe pastaj lirimi i kontraktorit të sigurisë së agjencisë CIA, Rejmond Dejvis, nga ana e autoriteteve të Pakistanit, ka ekspozuar masën e rrjetit të CIA-s në Pakistan.

Rejmond Dejvis kishte vrarë dy pakistanezë të armatosur në qytetin Lahore, në muajin janar, por ishte liruar pas pagesës prej më tepër se dy milionë dollarësh në “para të përgjakshme” për farefisin e dy personave të vrarë.

Analisti Masud thotë se ky incident i ka treguar mospajtimet ndërmjet aleatëve dhe i ka ngjallur zërat lidhur me shqetësimet, më herët të heshtura, në Islamabad, se përpjekjet për anti-terrorizëm të Shteteve të Bashkuara po e minojnë sovranitetin e Pakistanit.

Ata ishin shumë të relaksuar, mendoj Qeveria dhe Agjencia ISI, në lejimin e shumë amerikanëve që të operojnë në Pakistan. Kjo përfundimisht rezultoi me incidentin e kësaj natyre. Tash ata dëshirojnë ta parandalojnë përsëritjen e gjërave të këtilla. Kjo po ashtu po e minonte sovranitetin e tërësishëm".

"Prandaj, Agjencia e Inteligjencës e Pakistanit dëshiron që ata ta zvogëlojnë rrjetin e tyre në një nivel të arsyeshëm, i cili do të mundësonte marrjen e informacioneve të caktuara, çfarë është e domosdoshme për një aleat”,
thotë analisti Masud.

Por, Shtëpia e Bardhë, më herët këtë muaj, ka tërhequr vërejtjen se Islamabadi ende nuk ka plan konkret për eliminimin e grupeve të dhunshme islamike në territorin e tij.

Mbetet e paqartë rruga që kryengritjes në Pakistan t’i shkaktohet disfatë, përkundër një vendosjeje të paprecedente dhe të qëndrueshme të më se 147 mijë trupave”, njoftoi Shtëpia e Bardhë në vlerësimin e saj të fundit tremujor për situatën në Pakistan dhe Afganistan.

Qarqet e afërta me Uashingtonin thonë se një kritikë e tillë publike është vetëm një pjesë e vogël e listës së gjatë të vërejtjeve, që zyrtarët e lartë amerikanë i kanë mbajtur për vite.

Nga ana tjetër, ish-gjenerali pakistanez, Asad Munir, thotë se Islamabadi po e plotëson pjesën më të madhe të obligimeve të tij, si aleat i linjës së parë të frontit në luftën kundër terrorizmit.

Ai thekson se liderët e lartë amerikanë janë mirë të informuar për kufizimet e Islamabadit në pjesët fisnore perëndimore, përgjatë kufirit me Afganistanin.

Analisti Munir thekson se CIA dhe Agjencia pakistaneze ISI mund të kenë dallime lidhur me çështjet si ajo e sulmeve në Mumbai në vitin 2008, por të dyja palët janë të bashkuara në luftimin e ekstremizmit, që e minon sigurinë amerikane dhe atë pakistaneze.

Mendoj se qëllimet dhe objektivat e tyre janë të njëjta. Të dyja palët nuk mund të lejojnë keqësimin e marrëdhënieve të tyre ose ta bllokojnë shkëmbimin në fushën e inteligjencës. Mendoj se çështjet do të zgjidhen”, thotë Munir.

Por, analisti Talat Masud mendon se mospajtimet do të vazhdojnë, veçanërisht lidhur me zbulimin e ngjarjeve në Afganistan.

Sipas tij, megjithëqë të dyja palët po punojnë për harmonizimin e politikave të tyre, kanë shumë çështje për t’i diskutuar para se të arrihet marrëveshja.

Njëra nga çështjet madhore e bashkëpunimit në fushë të inteligjencës, është ajo e sulmeve me aeroplanë pa ekuipazh.

Analisti Masud thotë se frekuenca e sulmeve të këtilla mund të shihet si test i raporteve ndërmjet Islamabadit dhe Uashingtonit. (f.b.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG