Ndërlidhjet

Sfida e imazhit


Presidentja Atifete Jahjaga
Presidentja Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga të enjten u bë presidentja e parë femër e Kosovës - e para kandidate për president, e cila u zgjodh në këtë post pas raundit të parë të votimit në Kuvendin e Kosovës dhe e para që kaloi në Zyrën e Presidentit të Kosovës nga një zyrë që ka të bëjë pak me politikën.

Ish-zëvendësdrejtorja e përgjithshme e Policisë së Kosovës, kandidimi i së cilës për postin e presidentit të vendit buroi nga marrëveshja ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës Kosova e Re, megjithatë do të ketë disa sfida politike, vlerësojnë analistët politikë në Prishtinë.

Marrëveshja e nënshkruar në mes të tri subjekteve politike parasheh ndryshime kushtetuese, të cilat do të përcaktonin zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës nga vota e drejtpërdrejtë e qytetarëve.

Drejtori për hulumtime në Iniciativën Kosovare për Stabilitet, Arbër Gorani, tha se për të realizuar këtë qëllim, presidentes së re do t’i duhet të bëjë balancimin e interesave të forcave politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.
Sfida e zonjës Jahjaga do të jetë balancimi i interesave politike, balancimi i grupeve politike brenda Parlamentit, si dhe përçimi i interesave të qytetarëve në përgjithësi.

“Dihen premtimet që janë bërë për ndërrimin e Kodit Zgjedhor, për ndërrimin e Kushtetutës dhe për zgjedhjen e presidentit nga vota direkte e popullit. Këto janë procese që, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e tjera, nuk do të shkojnë pa dallime në mes të partive politike”.

“Kjo do të thotë se sfida e zonjës Jahjaga do të jetë balancimi i interesave politike, balancimi i grupeve politike brenda Parlamentit, si dhe përçimi i interesave të qytetarëve në përgjithësi”,
tha Gorani.

Me përgjegjësitë, të cilat Kushtetuta aktuale e Kosovës ia përcakton presidentit të vendit, roli i Jahjagës do të jetë me tepër simbolik, vlerësoi analisti Driton Lajçi.

Ai tha se mandati i shkurtër si presidente deri në zgjedhjet e para të drejtpërdrejta për president në Kosovë do të jetë një pengesë për kryerjen e funksiononit si presidente.
Nuk besoj shumë që ajo do t’i qetësojë gjakrat e nxehtë të skenës politike në Kosovë.

“Të shohim se si do të rrjedhin gjërat, por nuk besoj shumë që ajo do t’i qetësojë gjakrat e nxehtë të skenës politike në Kosovë. Ajo do të ketë më tepër rol simbolik, rol të imazhit pozitiv sesa që do të mund të bëjë në esencë punë të madhe në Kosovë, sepse vetë sistemi të cilin e kemi, është i tillë që nuk jep shumë mundësi që të bëjë shumë”, u shpreh Lajçi.

Kohë më parë, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Prishtinë patën thënë se zgjedhja e një femre në postin e presidentes do të ndihmonte përmirësimin e imazhit të dëmtuar të Kosovës jashtë vendit.

Gorani tha se me tejkalimin e sfidave në rrafshin e brendshëm politik, Jahjaga mund të ndikojë në përmirësimin e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.

“Imazhi do të përmirësohet sigurisht nëse zonja Jajhaga do të ketë sukses edhe në tejkalimin e sfidave të brendshme të kryerjes së detyrës së saj si presidente”, tha Gorani.

Në radhët e përgjegjësive, të cilat neni 84 i Kushtetutës së Kosovës ia përcakton presidentit të Republikës, figurojnë: udhëheqja e politikës së jashtme të vendit; të qenët Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë së Kosovës; caktimi i mandatarit për formimin e Qeverisë (pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit); shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në konsultim me kryeministrin dhe të tjera.

Lexoni edhe këtë:
Tash, përqendrimi te reformat

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG