Ndërlidhjet

Atifete Jahjaga zgjidhet presidente e Kosovës


Presidentja e sapozgjedhur, Atifete Jahjaga
Presidentja e sapozgjedhur, Atifete Jahjaga
Me 80 vota për Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur ish-zëvendësdrejtoren e përgjithshme të Policisë së Kosovës, Atifete Jahjagan, në postin e presidentes.

Jahjaga ishte kandidatja e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

Ajo fitoi në rrethin e parë të votimit. Për kundërkandidate kishte deputeten e AKR-së, Suzana Novobërdaliun, e cila mori vetëm 10 vota, përderisa 10 vota të tjera ishin të pavlefshme.

Presidentja e zgjedhur, Atifete Jahjaga, ka dhënë betimin para Kuvendit se do të mbrojë Kushtetutën, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.

Në fjalimin e parë para Parlamentit, presidentja Jahjaga tha se ka vullnet dhe vetëbesim që të ndihmojë reformat dhe ndryshimet pozitive në Kosovë.

Si presidente e vendit do të jem garante e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, faktor unifikues, e paanshme politikisht, mbrojtëse dhe përfaqësuese e interesave të Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, përfaqësuese e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim kombi, feje, race a gjinie”, tha Jahjaga.

Synimi i Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian si dhe ruajtja e miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha presidentja e sapozgjedhur.

Jahjaga përmendi edhe procesin e dialogut me Serbinë, të cilin e cilësoi si krejt normal.

“Pasi nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, ne do ta ndërtojmë të ardhmen duke mësuar nga gabimet e së shkuarës. Dialogu do të ketë sukses. Pas përfundimit të tij, rajoni do t’i kthehet paqes dhe stabilitetit. Kosova dhe Serbia do ta kenë rrugën e qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke ndihmuar dhe jo duke penguar njëra-tjetrën”, tha Jahjaga.

Atifete Jahjaga mund të jetë presidentja e fundit e zgjedhur nga Kuvendi, pasi që marrëveshja e arritur ndërmjet dy partive më të mëdha dhe e përkrahur nga AKR-ja, parasheh ndryshime kushtetuese, që në të ardhmen presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.

Vendimi i Kuvendit është përshëndetur nga kryeministri Hashim Thaçi. Ai tha se Kosova tash vazhdon me agjendën e saj të integrimeve dhe reformave.

Tanimë ne do të vazhdojmë me agjendën tonë zhvillimore të Kosovës evropiane, të sundimit të ligjit, të reformave të thella demokratike në politikë, në ekonomi dhe në legjislacion”, tha Thaçi.

Për dallim nga seanca e 22 shkurtit, kësaj radhe procesi i votimit është bojkotuar vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje. Shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti politik, Visar Ymeri, tha se Vetëvendosja është kundër kandidaturës së Atifete Jahjagës, ngase ajo është produkt i një marrëveshjeje politike dhe pazareve partiake.

Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Thaçit, Pacollit e Mustafës, sipas Ymerit, nuk paraqet dalje, por thellim të krizës politike.

Marrëveshja e arritur dje ia zgjat jetën kësaj qeverisjeje për minimalisht dy vjet e gjysmë. Këta dy vjet e gjysmë janë problemi e jo zgjidhja, sepse për këtë kohë ata do të synojnë që ta shesin PTK-në, KEK-un dhe Trepçën, si dhe t’i përmbyllin bisedimet me Serbinë, të cilat e bosnizojnë Kosovën”, tha Ymeri.

Në fund, me 75 vota për dhe 2 abstenime Kuvendi ka miratuar edhe rezolutën, me të cilën përkrah marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi, liderit të LDK-së, Isa Mustafa, dhe ish-kandidatit për president, Behxhet Pacolli.

Në këtë marrëveshje është përfshirë edhe pajtimi i treshes për ndryshime kushtetuese, reforma zgjedhore, zgjedhjet presidenciale pas afërsisht një viti e gjysmë dhe zgjedhjet parlamentare pas afërsisht dy vjetësh e gjysmë.


Kush është Atifete Jahjaga?

Atifete Jahjaga u lind më 20 prill, 1975, në Gjakovë, ndërkaq shkollimin fillor, atë të mesëm dhe studimet në Fakultetin Juridik i kreu në Prishtinë.

Përfundoi edhe studimet në Universitetin Leicester në Angli, çertifikimin postdiplomik në menaxhimin policor dhe të së drejtës penale në vitin 2006/2007 dhe çertifikimin postdiplomik në shkenca kriminalistike në Universitetin e Virxhinias në SHBA.

Karrierën e saj e nisi në Policinë e Kosovës, duke qenë e angazhuar në sektorë të ndryshëm të këtij institucioni, që nga patrullimi e deri te hetuesia.

Ka kryer edhe trajnimin në Qendrën Evropiane të Sigurisë “Xhorxh Marshall” në Gjermani dhe në Akademinë Nacionale të FBI-së në Departamentin e Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deri më sot, Jahjaga ka ushtruar postin e zëvendësdrejtores së përgjithshme të Policisë së Kosovës, ndërsa një kohë ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG