RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Jesen Petersen, po e dëgjojmë gjithmonë e më shpesh argumentin se Perëndimi në Kosovë vuri stabilitetin përpara demokracisë. Sipas jush, sa janë të sakta këto deklarata?
SOREN JESEN PETERSEN
Nuk i kam dëgjuar deklaratat që përmendët, por do t’i quaja qesharake. Deri tani e kemi nxjerrë mësimin se pa demokraci nuk ka stabilitet. Nga përvoja ime personale, njerëzit në Kosovë i janë përgjigjur me entuziazëm pjesëmarrjes në proceset demokratike.
Kur kam qenë atje, kemi pasur zgjedhje me pjesëmarrje të konsiderueshme, të cilat kanë qenë të lira e të ndershme. Demokracia është kyçe për stabilitetin dhe ky është rasti edhe në Kosovë. Kemi pasur ushtrim të demokracisë në Kosovë edhe para pavarësisë.
RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët zgjedhjet, por kemi dëgjuar akuza të shumta për votimet e dhjetorit. Po kështu kemi pasur dhe akuzat e raportit të Dik Martit. A jeni të befasuar nga këto zhvillime?
SOREN JESEN PETERSEN
Fillimisht do të ndalesha te zgjedhjet. Ka pasur raporte për zgjedhje të parregullta në pjesë të caktuara të Kosovës. Shqetësimet u adresuan menjëherë përmes rivotimeve.
Sa për argumentin tjetër, më duhet të them se nuk e kam lexuar raportin e Martit. Por, e di që institucionet evropiane kanë kërkuar hetime të mëtejshme dhe besoj se kjo duhet të mirëpritet edhe nga udhëheqësit e Kosovës. Duhet të jepen provat nëse ato ekzistojnë.
Akuzat e Martit duhet të adresohen dhe kjo është në interesin e Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur raporte të UNMIK-ut, të dala në media, që flasin për akuza të ngjashme me ato të Martit apo për qendra paraburgimi në veri të Shqipërisë. A i hetoi UNMIK-u këto akuza?
SOREN JESEN PETERSEN
Kemi dy elemente. Nuk ka pasur akuza dhe përmbajtja e këtyre raporteve asnjëherë nuk është sjellë në vëmendjen time gjatë dy vjetëve në Kosovë.
Përpara vajtjes sime në Kosovë, UNMIK-u ka pasur raporte lidhur me ngjarjet në Shqipëri, të cilat ia ka dorëzuar institucionit më kompetent, Gjykatës së Hagës.
RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët Hagën. Ju keni pasur raporte me gjykatën në fjalë, e në veçanti me kryeprokuroren, Karla Del Ponte. Nga distanca kohore, si i gjykoni këto raporte?
SOREN JESEN PETERSEN
Le të bëjmë dallimin mes gjykatës dhe kryeprokurores. Kam besuar se Gjykata e Hagës është shumë e rëndësishme që krimet të mos mbeten pa u ndëshkuar.
Gjatë qëndrimit tim në Kosovë, ndaj ish-kryeministrit Haradinaj u ngrit aktakuza. Ishte shumë e rëndësishme për ne që t’i thoshim zotit Haradinaj që të bashkëpunonte me Gjykatën e Hagës. Ai u dorëzua vullnetarisht. Ky bashkëpunim ishte i rëndësishëm për mua, për zotin Haradinaj dhe për Kosovën. Në këtë kuptim, bashkëpunimi me gjykatën ka qenë shumë i rëndësishëm.
Sa i përket kryeprokurores, nuk është sekret raporti me të. Në atë kohë isha i befasuar – thënë më së buti – me disa nga deklaratat e saj. Mendoj se disa nga deklaratat e Del Pontes i kalonin kufijtë e pozicionit që mbante. Kaq mund të them, isha shumë i befasuar me pohimet e saj.
RADIO EVROPA E LIRË
Do ndryshoj temë, duke kaluar te një nga shqetësimet kyçe për Kosovën sot - lufta kundër korrupsionit. Si jeni ballafaqur me të kur ishit në Kosovë dhe cilat kanë qenë pengesat?
SOREN JESEN PETERSEN
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është sfida më e madhe për Kosovën. Nuk mund të kemi demokraci nëse njerëz jashtë strukturave formale, pra të përfshirët në krim e korrupsion, drejtojnë ndonjë vend.
E kam thënë më herët dhe e përsëris se personalisht jam i zhgënjyer që nuk bëmë më shumë përparim gjatë kohës që isha atje. Edhe sot nuk është shënuar përparimi i duhur.
Ka fjalë kundër korrupsionit, si nga udhëheqësit e Kosovës dhe nga ndërkombëtarët, por ato që na duhen janë veprimet. Raportet e vazhdueshme për korrupsionin, të pandjekura me veprime konkrete, janë të dëmshme për imazhin e Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Kush ju pengoi të bënit më shumë?
SOREN JESEN PETERSEN
Mendoj se kemi të bëjmë me të njëjtat probleme që ka edhe sot bashkësia ndërkombëtare në Kosovë. Mund t’i studiosh e hetosh akuzat, por herët a vonë bllokohesh, pasi ka njerëz që punojnë kundër hetimeve. Kjo ka qenë përvoja jonë në Kosovë.
Ndoshta nuk kemi qenë të mençur sa duhet. Njerëzit në terren janë shumë mirë të informuar rreth korrupsionit. Ndërkombëtarët, nga ana tjetër, e kanë të vështirë të hyjnë te këto struktura lokale.
RADIO EVROPA E LIRË
Po ju pyes sërish, kush ju luftoi në luftën tuaj kundër korrupsionit?
SOREN JESEN PETERSEN
Kemi pasur shumë pak bashkëpunim nga ata me të cilët ishte e nevojshme të bashkëpunonim. Nuk mund të jem më specifik.
Si ndërkombëtar, nuk mund të jesh i suksesshëm kundër korrupsionit pa punuar ngushtë me institucionet vendore. Kjo është edhe më evidente tani që Kosova është e pavarur. Nëse nuk ke bashkëpunim me vendorët, nuk ka gjasa për sukses.
RADIO EVROPA E LIRË
A është e saktë të thuhet se gjatë kohës suaj në Kosovë institucionet vendore nuk kanë qenë bashkëpunuese sa duhet në luftën kundër korrupsionit?
SOREN JESEN PETERSEN
Do të thosha sërish se e kishim shumë të vështirë të penetronim në mjedisin vendor. Ndoshta ne nuk e kemi kuptuar, ndoshta nuk kemi pasur kontaktet e duhura...
Do të ishte shumë më e frytshme po të kishim më shumë bashkëpunim, nëse autoritetet vendore do të na ishin afruar e të kishin punuar me ndërkombëtarët.
RADIO EVROPA E LIRË
Që nga largimi juaj nga Kosova, disa probleme mbeten të njëjta, mes të cilave veriu i vendit. Sipas jush, veriu aktualisht funksionon si pjesë e Kosovës, e Serbisë, apo si tokë e askujt?
SOREN JESEN PETERSEN
Le të jemi të qartë. Veriu është pjesë e Kosovës. Strukturat ndërkombëtare e kanë bërë të qartë para, gjatë dhe pas bisedimeve për statusin se nuk ka ndarje të Kosovës. Le të jemi të qartë në këtë pikë, për çfarë kemi pasur dhe deklarata të përsëritura e kategorike.
RADIO EVROPA E LIRË
Përse është kaq i vështirë integrimi i veriut? A ka pasur vendim politik që gjërat të lihen siç janë?
SOREN JESEN PETERSEN
Mendoj se e humbëm rastin në periudhën e hershme pas luftës, flas në vitet 1999 -2000. Në këtë periudhë ka pasur prani masive civile dhe ushtarake ndërkombëtare. Kjo ka qenë koha kur bashkësia ndërkombëtare duhet të kishte vepruar me më shumë vendosmëri dhe të siguronte që nuk do të kishte përpjekje të suksesshme për të shkëputur veriun nga Kosova.
Po e përsëris dhe një herë, ndërkombëtarët e humbën rastin menjëherë pas mbarimit të luftës për të adresuar problemin e veriut.
Katër-pesë vjet më vonë, me fillimin e bisedimeve për statusin, kjo ka qenë e pamundur, pasi në këndvështirimin e Beogradit, kjo do të ishte një pjesë shumë e rëndësishme e bisedimeve.