Ndërlidhjet

A po rikthehet Memorandumi serb!?


Akademia Serbe e Shkencave.
Akademia Serbe e Shkencave.
Opinioni në Serbi dhe në vendet tjera ballkanike kohët e fundit ka hetuar ngjashmëri me atmosferën e krijuar para viteve '90 dhe, madje, flitet edhe për vazhdimësinë e politikës së Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave.

Ndonëse shumica e analistëve thonë se aktualisht situata është shumë më e ndryshme nga ajo kohë, ata sinjalizojnë se Memorandumi dhe projekti serbomadh ende është aktual.

Pos tjerash, kjo argumentohet me “angazhimin e shtuar” të Beogradit zyrtar për serbët që jetojnë jashtë Serbisë dhe me rekomandimet që atyre u jepen para regjistrimit të popullsisë.

Milivoje Mihajlloviq, zëdhënës i Qeverisë së Serbisë, thotë se në qarqet e ngushta të politikës serbe nuk ka “trashëgëmi” të Memorandumit.

“Politika e Serbisë është krejtësisht e qartë dhe ajo definohet përmes punës së organeve shtetërore dhe përmes marrëdhënieve të të gjithë atyre që prezantojnë këtë politikë. Synojmë që bashkëpunimin politik dhe ekonomik me të gjithë ta zgjerojmë”, thotë Milivoje Mihajlloviq.

Por, një pjesë e opinionit në Serbi dhe veçanërisht ata që nga fundi i viteve '80 kishin sinjalizuar “ndodhinë e popullit” të Millosheviqit, thonë se problemi ekziston.

“Nuk dua të jem paranoik, por shoh se çfarë po ndodh dhe nuk e kam të qartë”, thotë avokati Srgja Popoviq.

Dyshimet janë shtuar pas bërjes publike të strategjisë së qeverisë për serbët jashtë Serbisë, me të cilën kërkohet konstituivitet i serbëve në Kroaci dhe Malin e Zi.

Krerët e Kishës Ortodokse Serbe

Në propagandën shtetërore është përfshirë edhe Kisha Ortodokse që ka ftuar pjesëtarët e popullit serbe që me rastin e regjistrimit të deklarohen si serbë ortodoksë.

Beogradi nuk fsheh interesimin e shtuar për serbët në vendet e rajonit.

Në këtë kontekst, Vuk Jeremiq, ministër i Jashtëm, para pak kohësh pati deklaruar:

“Mbrojtja e interesave të popullit serb në rajon është imperativ politik, historik dhe moral”
.

Ndonëse është e drejtë e çdo shteti të kujdeset për popullin e vet, mesazhet si ky i Jeremiqit kanë kthyer në rend dite temën e aspiratave shtet-mëdha dhe kanë hapur pyetjen nëse “babai i kombit”, Dobrica Çosiq dhe akademikët janë duke këshilluar politikanët serbë që në paqe të jetësojnë atë që nuk e arritën përmes luftërave.

Sonja Biserko, nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, thotë:

“Sërish në plan të parë vihet projekti shtet-madh. Kjo dëshmon se në Serbi ekzistojnë qendrat formale dhe joformale të forcës. Është evidente se qendrat joformale janë më të fuqishme dhe më të organizuara, ndërsa çdo pushtet demokratik në Serbi shërben vetëm si mbulesë për këtë projekt”.

Shkrimtari Filip David pohon se situata tash është shumë më e ndryshme nga ajo e kohës së politikës së errët të akademikëve serbë, por shton se idetë e tyre, kohët e fundit, janë gjithnjë e më të pranishme dhe manifestohen në qëndrimin ndaj vendeve fqinje.

“Rastësisht apo qëllimisht, Serbia në vazhdimësi po shkakton jostabilitet. Ndonëse jo si politikë zyrtare, Memorandumi ende ekziston si një opsion i fuqishëm politik"
.

"Interpretimi jozyrtar është ky – nuk është koha që disa gjëra nga Memorandumi tash t’i realizojmë, por do t’i jetësojmë kur të vijë koha. Nëse kjo politikë mbetet në skenë, të ardhmen nuk mund ta shohim me optimizëm”,
konkludon Filip David. (m.k.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG