Ndërlidhjet

Rusia i afrohet qytetin kyç të Ukrainës, teksa Zelensky e viziton vijën e frontit


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky (i dytë djathtas) e viziton një divizion të Brigadës së 27-të të Artilerisë Raketore, më 12 dhjetor.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky (i dytë djathtas) e viziton një divizion të Brigadës së 27-të të Artilerisë Raketore, më 12 dhjetor.

Forcat ruse vazhdojnë t’i afrohen qytetit strategjik në lindje të Ukrainës, Pokrovsk, derisa përpjekjet diplomatike janë rritur për t’i dhënë fund luftës më të madhe në Evropë ndër dekada.

Sipas platformës online të hartave të luftës, Deep State, trupat ruse janë afruar 3 kilometra pranë pjesës lindore të Pokrovskut, i cili është kryqëzim kyç për Ukrainën, si dhe furnizuesi i vetëm i brendshëm i vendit për koks.

“Duhet të ndërmerren vendime jokonvencionale për ta zgjatur qëndresën e mbrojtjes sonë dhe për ta shkatërruar më shumë pushtuesin”, tha gjenerali Oleksandr Syrskiy, kryekomandanti i Ukrainës.

“Luftë jashtëzakonisht e ashpër në fushëbeteja. Rusët po i përdorin të gjitha forcat në përpjekje për ta thyer mbrojtjen tonë”, shkroi ai në Facebook.

Kjo zonë prej muajsh është dëshmitare e disa prej beteja më të ashpra nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës prej Rusisë.

Mes bombardimeve, banka në rrota u shërben ukrainasve afër frontit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:18 0:00

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili vizitoi vijat e frontit në rajonin e Zaporizhjas të enjten, ka kërkuar përforcime, pasi duket se pozicionet ukrainase po hasin në vështirësi për ta përballuar përparësinë e Rusisë në ushtarë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Serhiy Filimonov, komandanti i batalionit të 108-të “Da Vinci Wolves”, paralajmëroi se arsyeja kryesore e humbjeve derisa Rusia po çan përpara drejt Pokrovskut, janë “detyrat joreale” për trupat në këtë rajon, duke marrë parasysh numrin e ushtarëve të tyre.

Luftimet në fushëbeteja janë ashpërsuar pasi të dyja palët janë duke synuar t’i përforcojnë pozicionet e tyre, pasi ka shenja për një armëpushim të mundshëm dhe për bisedime për paqe në muajt në vijim.

Vrulli diplomatik

Ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë u takuan në Berlin të enjten për të biseduar rreth ndihmës për Ukrainën, ndërsa kryeministri polak, Donald Tusk, vendi i të cilit është mbështetës i fortë i Ukrainës fqinje, e priti presidentin francez, Emmanuel Macron, në një takim në Varshavë për të biseduar për hapat pas luftës.

Liderët nga e gjithë Evropa po përpiqen t’ia dëshmojnë presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, i cili do ta marrë detyrën më 20 janar, se ata janë të gatshëm ta bartin barrën që u takon për t’i dhënë fund luftës pothuajse trivjeçare në Ukrainë.

Trump ka pohuar se ai mund t’i japë fund luftës për 24 orë, duke ngjallur shqetësim se ai mund ta detyrojë Ukrainën t’i dorëzojë territor Rusisë, duke e rrezikuar sigurinë e BE-së.

Në një Deklaratë të ashtuquajtur "Deklarata e Berlinit", ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës, Polonisë, Italisë, Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, nënvizuan mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Kievin.

“Ne jemi të përkushtuar për t’i siguruar Ukrainës garanci të palëkundshme të sigurisë, duke përfshirë mbështetje afatgjate ushtarake dhe financiare”, tha deklarata.

Takimi në Berlin u organizua nga ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Pas takimit me Macronin, Tusk tha se Polonia nuk ka plane për të dërguar trupa në Ukrainë.

Një media polake raportoi në prag të takimit se Tusk dhe Macron do të diskutonin mundësinë e dërgimit të një force paqeruajtëse evropiane prej 40.000 ushtarësh në Ukrainë.

Zelensky ka kërkuar vazhdimisht garanci të forta sigurie, përfshirë anëtarësimin në NATO, duke thënë se ndryshe nuk mund ta ndalesh Rusisë nga kryerja e pushtimeve të tjera.

Tusk dhe Macron, të cilët u takuan para mbledhjes së ministrave të BE-së, riafirmuan se çdo marrëveshje paqeje në Ukrainë duhet të përfshijë ukrainasit.

“Ne do të punojmë me Francën për një zgjidhje që do të mbrojë mbi të gjitha Evropën dhe Ukrainën”, tha Tusk.

Kryeministri polak tha dy ditë më parë se bisedimet për paqen mund të fillojnë “në dimër”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG