Ndërlidhjet

Mbi një milion ukrainas në terr si pasojë e sulmeve ruse


Dy zjarrfikës në vendin e një sulmi raketor rus, në rajonin Volyn, Ukrainë, 28 nëntor 2024.
Dy zjarrfikës në vendin e një sulmi raketor rus, në rajonin Volyn, Ukrainë, 28 nëntor 2024.

Rusia kreu sulme të mëdha ajrore ndaj infrastrukturës së Ukrainës të enjten, duke i lënë më shumë se 1 milion njerëz pa rrymë në një mot acar.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, e akuzoi Rusinë për "përshkallëzim të neveritshëm" të konfliktit, pasi Ministria e Brendshme e Ukrainës regjistroi dëme në infrastrukturë në nëntë rajone.

Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se sulmi më i fundit ishte "përgjigjja" e Moskës ndaj sulmeve ukrainase në territorin rus me raketa amerikane me rreze të mesme veprimi, ATACMS.

Duke folur gjatë një vizite në Kazakistan, Putin paralajmëroi se objektivat e ardhshme të Rusisë mund të jenë edhe "qendrat e vendimmarrjes" në Kiev.

Ai shtoi se Rusia i lëshoi më shumë se 90 raketa dhe 100 dronë në një "sulm gjithëpërfshirës" më 28 nëntor, duke thënë se 17 objektiva u goditën. Këto hollësi i jep rrallëherë presidenti rus.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se i kanë rrëzuar 79 raketa dhe 35 dronë, ndërsa 62 dronë të tjerë u "zhdukën”. Zyrtarët raportuan se të gjitha raketat dhe dronët e nisur drejt kryeqytetit Kiev, janë asgjësuar.

Sulmi e detyroi operatorin kombëtar të rrjetit elektrik, Ukrenerho, të njoftojë menjëherë për ndërprerje emergjente të furnizimit me rrymë, tha ministri i Energjisë, Herman Halushchenko, në orët e para të mëngjesit të 28 nëntorit.

"Edhe një herë, sektori energjetik është nën një sulm masiv armiqësor. Sulmet ndaj objekteve të energjisë po ndodhin në të gjithë Ukrainën", shkroi Halushchenko në rrjetet sociale.

Furnizuesi me energji elektrike, DTEK, njoftoi se do të ketë reduktime të rrymës në Kiev, Odesa, Dnipropetrovsk dhe Donjeck.

Raportohet se Kievi gjithashtu i shkëputi nga rrjeti elektrik disa njësi të centraleve bërthamore gjatë sulmit. Ukraina e prodhon më shumë se gjysmën e energjisë elektrike nga centralet bërthamore.

Sulmi ndodhi në një ditë kur temperatura në të gjithë Ukrainën kanë rënë nën zero gradë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG