Ndërlidhjet

Policia e Kosovës mohon se e ka kaluar kufirin me Serbinë


Një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri. Fotografi nga arkivi.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri. Fotografi nga arkivi.

Policia e Kosovës i ka cilësuar të pavërteta pretendimet e autoriteteve të Serbisë se policë të Kosovës kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare me Serbinë, në veri të vendit.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë pretendoi se një grup i policëve të Kosovës, të armatosur rëndë, kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare në fshatin Çirkoviq, në Leposaviq.

“Shkrimet e tilla të referuara në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Andaj këto shkrime dhe njoftimi i publikuar si i tillë, është një dezinformat që ka për qëllim të krijojë pasiguri te qytetarët e asaj zone dhe të njollosë punën e Policisë së Kosovës”, u tha në reagimin e Policisë së Kosovës.

Ministria serbe e Mbrojtjes tha se “kalimi i paautorizuar i vijës administrative” mes Serbisë dhe Kosovës paraqet “provokim të rrezikshëm dhe kërcënim për paqen”.

Kjo ministri tha se ushtria serbe po vëzhgon situatën në terren dhe “janë të gatshëm të reagojnë” në bazë të Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës.

“Ministria e Mbrojtjes kërkon nga KFOR-i, si forca e vetme legale dhe legjitime ushtarake në territorin e Kosovës, që të marrë masa në përputhje me mandatin e tij dhe të parandalojë autoritetet e përkohshme të Prishtinës në përpjekjet për të shkaktuar përshkallëzim të dhunës”, tha Ministria serbe e Mbrojtjes.

Lidhur me pretendimet e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, ka reaguar edhe presidenti i këtij shteti, Aleksandar Vuçiq.

Për transmetuesin publik serb, Vuçiq ka thënë se nuk pret që komuniteti ndërkombëtar të reagojë, “përveç amerikanëve”.

“Amerikanët e dinë që ishte [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti ai që e urdhëroi këtë me qëllim. Ai priste që këta individë të likuidoheshin dhe kjo të ishte arsyeja për të përfshirë NATO-n në një konflikt me Serbinë. Herën tjetër, ne do të reagojmë në përputhje me rregullat e plota të shërbimit ushtarak, dhe kërkojmë nga amerikanët që të na informojnë nëse kemi të drejtë kur themi se Kurti personalisht urdhëroi provokimin dhe hyrjen e forcave të tij të armatosura në territorin e Serbisë”, është shprehur Vuçiq.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 350 kilometra dhe mbi 60 për qind e kësaj vije përfshin komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Në vitet e fundit, Kosova shpesh ka akuzuar Serbinë se sjellë pranë kufirit ushtrinë. Ndërkaq, në qershor të vitit 2023, Kosova tha se tre policë të saj u arrestuan brenda territorit të shtetit, afër kufirit, por Serbia pretendoi se ata kishin kaluar vijën kufitare. Disa ditë më vonë, policët u liruan nga autoritetet serbe.

Për Kosovën vija kufitare është kufi, për Serbinë vijë administrative.

Për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është përgjegjës misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare Policia e Kosovës.

Megjithatë, sipas një vendimi të vitit 2014 të komandantit të atëhershëm të KFOR-it, Policia mund të patrullojë në vijën kufitare Kosovë-Serbi deri në 1 kilometër afër vijës ndarëse.

Aktualisht KFOR-i ka mbi 4.400 trupa ushtarake në Kosovë.

NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX.

Shefi i ri i NATO-s, Mark Rutte, tha muajin e kaluar se gjendja e sigurisë në Kosovë dhe rajon është e brishtë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG