Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka vizituar bazat raketore për të inspektuar gatishmërinë e tyre për ndërmarrjen e veprimeve për “parandalim strategjik”, teksa tha se aftësitë bërthamore të Shteteve të Bashkuara janë kërcënim në rritje për shtetin e tij, raportoi media shtetërore koreanoveriore, KCNA.
Arsenali strategjik bërthamor i SHBA-së paraqet “një kërcënim gjithnjë e në rritje” për mjedisin e sigurisë të Koresë së Veriut dhe kjo gjë kërkon që Pheniani të mbajë një pozicion të rreptë kundërveprimi të forcave të saj bërthamore, citohet të ketë thënë Kim, sipas KCNA-së.
Koreja e Veriut është duke intensifikuar zhvillimin e raketave balistike dhe të arsenalit bërthamor, duke nxitur sanksione ndërkombëtare, dhe shteti po ashtu është duke krijuar raporte më të ngushta ushtarake me Rusinë.
Vizita e Kimit në bazat ushtarake vjen në kohën e rritjes së tensioneve të shtetit të tij me Korenë e Jugut dhe aleatëve të saj. Këtu përfshihen edhe pretendimet e Seulit se Koreja e Veriut ka dislokuar ushtarë në Rusi për të luftuar në Ukrainë, pretendim që është mohuar nga Pheniani.
Këshilltari për siguri kombëtare i Koresë së Jugut, Shin Won-sik, dhe kreu i byrosë të sigurisë kombëtare të Polonisë, Jacek Siewiera, gjatë një takimi në Seul shprehën shqetësimin e tyre lidhur me bashkëpunimin ushtarak mes Phenianit dhe Moskës.
Dy zyrtarët u pajtuan për bashkëpunim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar sa i përket kësaj çështjeje, njoftoi Zyra presidenciale në Korenë e Jugut.
Sipas KCNA-së, Kimi po ashtu bëri thirrje për modernizimin e forcave të armatosura dhe që në të ardhmen t’i jepet prioritet raketave strategjike, duke kërkuar “një parim të rëndësishëm të strategjisë për ndërtimin e mbrojtjes kombëtare”.
KCNA-ja nuk tregoi se cilat baza ushtarake i vizitoi lideri i Koresë së Veriut.