Hashem Safieddine është kushëriri dhe potencialisht pasardhësi i Hassan Nasrallahut, liderit të vrarë të Hezbollahut nga Izraeli.
Safieddine, figurë e lartë brenda Hezbollahut, grup militant dhe parti politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit, raportohet se është shënjestruar nga sulmet ajrore izraelite në kryeqytetin libanez, Bejrut, natën e 3 tetorit. Nuk është e qartë nëse ai është vrarë.
Safieddine, një klerik shiit, ka lidhje me Iranin. Ai iu bashkua Hezbollahut pak pasi grupi u themelua në vitet ’80.
Hashem Safieddine gjerësisht shihet si pasardhës i Nasrallahut, udhëheqësit karizmatik të kamotshëm të grupit që u vra gjatë sulmeve ajrore izraelite në Bejrut më 27 shtator.
Safieddine udhëheq krahun ekzekutiv të Hezbollahut që mbikëqyrë çështjet politike të grupit. Ai po ashtu është anëtar i Këshillit Shura, ku merren vendime, por edhe i Këshillit Xhihad, që udhëheq operacionet ushtarake të grupit.
Safieddine më 2017 ishte shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara. SHBA-ja po ashtu ka shpallur Hezbollahun organizatë terroriste, ndërkaq Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë politike. Partia Hezbollah ka ulëse në Parlamentin e Libanit.
Safieddine, sikurse Nasrallahu, ka mjekër dhe bart shami të zezë, që tregojnë prejardhjen nga profeti Muhamed.
“Si kushëri i Nasrallahut dhe si person që për një kohë të gjatë konsiderohet si pasardhës i tij, ai me gjasë do të jetë në gjendje të unifikojë radhët e Hezbollahut përreth tij”, tha Matthew Levitt, nga Instituti i Uashingtonit për Politikën e Lindjes së Afërt.
“Por, atij i mungon karizma e Nasrallahut dhe ai e trashëgon një organizatë që është nën hijen e vetvetes”, shtoi Levitt, autor i librit për Hezbollahun: “Gjurmët globale të Partisë së Zotit të Libanit”.
Vrasja nga Izraeli e Nasrallahut ishte goditja më e madhe që i është dhënë Hezbollahut në 42 vjetët e ekzistimit të grupit. Organizata shiite ka pësuar shumë humbje në muajt e fundit. Izraeli ka vrarë shumë anëtarë të udhëheqjes së Hezbollahut, ka neutralizuar një pjesë të konsiderueshme të arsenalit të tij ushtarak dhe ia ka ndërprerë komunikimet grupit.
Gjatë mbi 30 vjetëve të udhëheqjes së Hezbollahut, Nasrallahu kishte kultivuar raporte të mira me Iranin me shumicë shiite, shtet që është mbështetësi kryesor i Hezbollahut. Me ndihmën e madhe financiare dhe politike nga Teherani, Nasrallahu e bëri Hezbollahun një parti të fuqishme dhe entitet ushtarak në Liban dhe lojtar kryesor në rajon.
Safieddine, i lindur në jug të Libanit, po ashtu ka raporte të ngushta me Republikën Islamike. Ai ka studiuar në qytetin e shenjtë shiit të Komit, në Iranin qendror. Vëllai i tij, ndërkaq, është përfaqësuesi i Hezbollahut në Iran.
Djali i Safieddineit është i martuar me vajzën e Qassem Soleimanit, një komandanti të lartë iranian që u vra gjatë sulmeve ajrore të SHBA-së në Irak më 2020.