Ndërlidhjet

NATO dislokon trupa në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut


Pjesëtarë amerikanë të KFOR-it në një pikë të kontrollit në Leposaviq, në veri të Kosovës më 18 gusht 2022.
Pjesëtarë amerikanë të KFOR-it në një pikë të kontrollit në Leposaviq, në veri të Kosovës më 18 gusht 2022.

Pothuajse 200 trupa nga Forcat e reja Aleate të Reagimit (ARF) do të dislokohen në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut nga 30 shtatori deri më 16 tetor, për stërvitje që synojnë “gatishmërinë e tyre dhe mbështetje për KFOR-in”.

Kështu njoftoi NATO-ja më 30 shtator, duke thënë se kjo është hera e parë që do të dislokohen forca të ARF-së, që kur ajo u krijua në korrik të vitit 2024.

Në Kosovë do të dislokohen 50 trupa të Ekipit Operacional të Ndërlidhjes dhe Zbulimit (OLRT) të ARF-së, ndërkaq 150 të tjerë në Maqedoninë e Veriut.

“Personeli i dislokuar do të performojë aktivitete stërvitore për të mbajtur në nivel të lartë gatishmërinë dhe për të testuar aftësitë e tyre dhe procedurat për dislokim të shpejtë të një force të madhe. Një pjesë e selisë së ARF-së do të integrohet përkohësisht në komandën dhe strukturat kontrolluese të misionit të KFOR-it dhe do të ketë për detyrë që të identifikojë kërkesat e mbështetjes logjistike, mbështetjen infrastrukturore dhe operacione për KFOR-in në rast të nevojës për një përforcim të pranisë së KFOR-it”, u tha në njoftim.

Sipas NATO-s, ARF-ja është një forcë strategjike, e gatishmërisë së lartë me aftësi të shumë fusha. Kjo forcë mund të dislokohet shpejt dhe mund të ofrojë ndihmë në mbrojtje në skenare të ndryshme.

NATO tha se dislokimi i fundit, së bashku me dislokimet e bëra më herët gjatë këtij muaji në Kosovë të Forcave Strategjike Rezervë (SRF), dërgojnë “mesazh të qartë të vendosmërisë të fortë të NATO-s dhe përkushtimit për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe aftësinë e aleancës dhe gatishmërinë për t’u përgjigjur”.

Së fundi, në Kosovë janë dislokuar trupa të Britanisë për të marrë pjesë në stërvitje me trupat e misionit paqeruajtës të aleancës ushtarake perëndimore në Kosovë, KFOR.

Ndryshe, KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX.

Misioni i NATO-s në Kosovë po ashtu është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë. Ndërsa, pjesën tjetër të vijës kufitare e mbikëqyr Policia e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG